Comments Off

Mosdekolonizimi është kolonizim

2010
03.24

Shkruan: Visar YMERI
Trepça vazhdon të jetojë në vitet e nëntëdhjeta. Madje është duke i jetuar të nëntëdhjetat e hershme – ka disa punëtorë shqiptarë në të, të cilët punojnë të ndarë nga ata serbë; vazhdon të jetë gjigant ekonomik e metalurgjik, por me kapacitete të dëmtuara për shkak se të keqpërdorura; vazhdon të jetë e eksploatuar pa investuar fare në të, gjë që po e dërgon drejt shkatërrimit; si dhe, çka është edhe më keq, vazhdon të ndjeket nga fantazmat kreditore të dikujt tjetër, që po ia rënojnë të tashmen dhe po ia rrezikojnë qenien në të ardhmen. Marrë parasysh madhësinë e saj si dhe potencialin ekonomik e social të Trepçës, dhe rëndësinë që ajo kishte në ekonominë e gjithëmbarshme të Kosovës, çka ishte mirë për Trepçën ishte mirë për Kosovën. Mirëpo sot këtë thënie mund ta kthejmë shumë lehtë përmbys: çka është keq për Kosovën është keq për Trepçën. E kjo e keqe është mosshkëputja e qartë dhe e vendosur nga padrejtësitë e së kaluarës, që rrjedh nga moskorrigjimi i këtyre padrejtësive.

Kur UNMIK-u e mori nën administrim Kosovën, ligjet e Serbisë të cilat qartazi i diskriminonin shqiptarët dhe pakicat tjera joserbe në Kosovë, u shpallën të pazbatueshme në territorin e Kosovës. Mirëpo, përkundër kësaj, transformimi i dhunshëm i pronës të cilën e kishte bërë Serbia, nuk u prek fare. Kjo praktikë e administrimit e vazhdoi dhunën e Serbisë për shkak se e vazhdoi padrejtësinë e Serbisë përmbi pasuritë e Kosovës, të cilat i takojnë popullit të Kosovës. Të njëjtën praktikë e vazhduan edhe institucionet e Kosovës, sikur ato të Përkohshme të Vetëqeverisjes, ashtu edhe këto të Ahtisaarit. (Zaten, meqenëse janë të varura, vendimet e këtyre institucioneve nuk mund të jenë të pavarura, por vetëm vazhdim i varësisë.) Dhe ky administrim zbatohet në tërë pronën në Kosovë, qoftë ajo private (kujtoni banesat e uzurpuara nga shteti serb gjatë viteve ’90 të cilat i janë kthyer pronarëve serbë, të cilët i kishin pronësuar këto padrejtësisht), qoftë ajo publike a shoqërore. Kur filloi procesi i privatizimit në Kosovë (i dëmshëm edhe në shumë aspekte tjera) ndërmarrjet që shiteshin ishin të krijuara nga asetet e ndërmarrjeve ekzistuese. Pra, nuk shiteshin ndërmarrjet, për shkak se konsiderohej që ato janë pronë e dikujt tjetër. I tërë fondi i privatizimit sot mbahet i ngujuar në banka, duke i pritur pronarët të cilët do të caktohen përmes një procesi të arbitrazhit. Gjatë viteve ’90 Milosheviqi e kishte transferuar pronësinë mbi pasuritë shoqërore e publike të Kosovës, duke i bërë ndërmarrjet tona degë të ndërmarrjeve të Serbisë. Dhe sot ky transfer vazhdon të pranohet si i vlefshëm juridikisht, ekonomikisht e politikisht. T’i pranohet ky transfer prone është njëlloj si t’i pranohet politika e Milosheviqit mbi Kosovë. Për shkak se luftërat për territore, çfarë kanë qenë dhe mbesin ato të Serbisë, janë, në të vërtetë, luftëra për resurse. Ashtu siç ishte luftë për pasuri nëntokësore marrja nën kontroll e Trepçës, kontroll ky që tash po pranohet.

Sipas një artikulli në Zëri të shkruar nga Ibrahim Rexhepi, Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka pranuar kërkesat për borxhe që na i paska Trepça të parashtruara nga kompani të ndryshme, të cilat arrijnë shumën prej 197 milionë eurosh. Kjo listë përbëhet nga kompani a institucione të ndryshme, të cilat kanë kërkesa të ndryshme ndaj Trepçës, kërkesa këto pronësie apo obligime borxhesh. Si pronari më i madh i Trepçës në këtë listë paraqitet Fondi për Zhvillimin e Republikës së Serbisë, që pretendon të ketë 67% të aksioneve të Trepçës sipas marrëveshjes së bërë në vitin 1994. Pastaj vijnë edhe kompani tjera nga Serbia, të cilat kërkojnë kthim borxhesh të marra nga Trepça gjatë viteve ’90 apo kthim aksionesh pronësie të blera në Trepçë gjatë po të njëjtave vite. Por aty është edhe kompania greke “Mytelinios”, e cila thotë se Trepça i ka borxh asaj mbi 55 milionë euro për shitjen e plumbit dhe zinkut si dhe 44 milionë euro për shkak të një kredie që ia ka dhënë qeverisë së Serbisë, me ç’rast Trepça është përdorur si hipotekë e klasit të parë. Kërkesa tjetër e lëshuar nga Goran Bogdanoviqi, ministër për Kosovë në qeverinë e Serbisë, deklaron se vetëm 25.7% të Trepçën janë pronësi shoqërore. Këto kërkesa janë të papërballueshme për Trepçën në gjendjen e saj ekzistuese. Mirëpo shumë më me rëndësi është fakti se të gjitha këto janë absolutisht të padrejta dhe të papranueshme. E tërë kjo shitje e Trepçës apo marrje kredie në emër të Trepçës, është bërë nga një shtet okupator kolonialist, dhe është bërë në kushte të ushtrimit të një dhune të tmerrshme. Madje shitja e Trepçës dhe kreditë e marra në emër të saj, sikur edhe vjedhja tjetër e pasurisë së shqiptarëve në Kosovë, është përdorur kryesisht për t’i financuar fushatat gjenocidale të të shtetit të Serbisë gjatë viteve ’90.

Në ligjin ndërkombëtar e drejta e vetëvendosjes lidhet ngushtë me të drejtën për kontroll mbi pasuritë natyrore të vendit, si dhe mbi kapacitetet zhvilluese të atij vendi. Sepse pa këto, pra pa aspektin e mundësisë ekonomike, e drejta për vetëvendosje nuk do të kishte kuptim. Për shkak se, në fund të fundit, liria do të duhej të shërbente për rritje të mirëqenies së popullatës së lirë. Sepse liria në kushtet e shtrëngimit ekonomik nuk është liri. Rezoluta 1803 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së thotë: “E drejta e popujve dhe kombeve për sovranitet të përhershëm mbi pasuritë dhe resurset e tyre natyrore duhet të ushtrohet në interes të zhvillimit të tyre kombëtar dhe të mirëqenies së popullit të shtetit në fjalë”, për të vazhduar se eksploatimi dhe investimi në këto resurse duhet të bëhet në bazë të rregullave dhe kushteve të cilat shteti lirshëm i ka identifikuar si të domosdoshme ose të dëshirueshme për autorizimin, kufizimin ose ndalimin e shfrytëzimit të pasurive të tilla. Me një fjalë, kjo thotë se shteti duhet të jetë i lirë të vendos mbi mënyrën e shfrytëzimit të pasurive të veta, ndërkohë që destinimi i kësaj pasurie duhet doemos të jetë mirëqenia e qytetarëve. Ajo që i ka ndodhur Trepçës dhe pasurisë tjetër të Kosovës është në kundërshtim të drejtë me këto parime. Shitja e pasurisë së Kosovës (e bërë nga Milosheviqi apo UNMIK/AKM/AKP) u ndihmon dhe ua rritë pasurinë vetëm një pakice, duke e varfëruar tutje shumicën e qytetarëve të Kosovës.

Prandaj na duhet dekolonizimi. Trepça është ndoshta dëshmia më e mirë për këtë. Kosova ka qenë e koloni e Serbisë. Kështu që shkëputja nga Serbia nuk mund të bëhet pa një proces dekolonizimi. Madje dekolonizimi është më i rëndësishëm sesa shkëputja e thjeshtë, për shkak se vetëm përmes tij arrihet shkëputja e vërtetë. Dëshmi për këtë e kemi tërë pasurinë shoqërore në Kosovë. Vërtet që shteti serb nuk është i pranishëm në tërë territorin e Kosovës me polici e ushtri (kontrollin përmes strukturave paralele e ka të koncentruar në enklava e veri), mirëpo ai vazhdon së ekzistuari si bashkëpronar i pronës shoqërore të Kosovës. Dekolonizimi do ta korrigjonte këtë padrejtësi, duke e anuluar transferin ilegjitim të pronës sonë publike dhe shoqërore. Pa proces të dekolonizimit ne do të mbetemi të kolonizuar, dhe pak ka rëndësi nëse forma dhe kolonizatori mund të ndryshojnë. Një zgjidhje e mesme e praktikuar deri tash ka qenë shitja e pronës që t’ia heqim pronësinë ndërmarrjeve serbe. Por kjo është anomali, për shkak se kështu ne po e transferojmë vetë pronën në emër të një pronari të ri, pa e konsideruar fare interesin tonë. Problemet në të cilat janë ndodhur dhe ndodhen ndërmarrjet e Kosovës janë të qëllimshme, dhe synim kanë t’i zhvleftësojnë ato në syrin e qytetarëve të Kosovës, që të mund të shiten më lehtë, dhe në treg që të mund të shiten më lirë. Ky lloj administrimi i pronës publike e ka bërë privatizimin si heqje të një barre të rëndë. E privatizimi në Kosovë është shpronësim nga pasuria dhe nga potenciali zhvillues për të ardhmen. Kështu jemi duke humbur. Njëjtë sikur në vitet ’90.

Comments are closed.