Shkombëtarizimi i shqiptarëve në mënyrë ligjore!
Vetëvendosje
Plani i Ahtisaarit jo vetëm që po na shkombëtarizon në këtë mënyrë, por edhe krejt vargu i institucioneve politike e gjyqësore të ndërtuara sipas konceptit të Planit të Ahtisaarit, janë në shërbim të këtij plani antishqiptar, e jo në shërbim të vullnetit të popullit shumicë. Plani i Ahtisaarit konsideron se në emër të pakicave duhet të sakrifikohet vullneti politik dhe identiteti kombëtar i popullit shumicë. Kjo është qasje krejtësisht e gabueshme dhe me siguri që do të dështojë herëdokur.
Të premten e kaluar, Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim shkombëtarizues në frymën e Planit të Ahtisaarit. Pas ankesës së përfaqësuesve të pakicës boshnjake dhe asaj turke në Gjykatën Kushtetuese për stemën e komunës së Prizrenit, gjykata ka vlerësuar që kjo stemë është antikushtetuese. Në këtë stemë – emblemë duket shtëpia e Lidhjes së Prizrenit dhe viti 1878. Ky është vendi ku në qershor 1878 u mblodhën shqiptarët për të formuar lëvizjen e parë kombëtare për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga rreziku i aneksimeve të tyre nga Mali i Zi, Serbia dhe Greqia nëpërmjet pazareve të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit.
Vendimin e saj se emblema ishte diskriminuese gjykata e mbështeti në nenet 3, 7.1, 58 dhe 59 të Kushtetutës së Kosovës (Lexo – Ahtisaarit). Ç’është më e rëndësishmja, ky vendim e zbaton nenin 3 të Kushtetutës të bazuar në Planin e Ahtisarit, i cili thotë se “Kosova është një shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarë dhe komunitete të tjera.” Fillimisht ky nen nuk ka përfshirë fare termin “shqiptar”; përpjekja për ta përfshirë tani duket se ka qenë ligjërisht e pakuptimtë, pasi vetë kremtimi i identitetit të shumicës shqiptare në Kosovë tani është definuar si diskriminues në vetvete.
Vendimi i Gjykatës ishte i bazuar në rekomandimin e një komisioni hetues të themeluar prej saj dhe të udhëhequr nga njëri prej tre gjykatësve ndërkombëtarë të emëruar nga PCN’ja. Gjykatësit ndërkombëtarë përbëjnë një të tretën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Plani i Ahtisaarit jo vetëm që po na shkombëtarizon në këtë mënyrë, por edhe krejt vargu i institucioneve politike e gjyqësore të ndërtuara sipas konceptit të Planit të Ahtisaarit, janë në shërbim të këtij plani antishqiptar, e jo në shërbim të vullnetit të popullit shumicë. Plani i Ahtisaarit konsideron se në emër të pakicave duhet të sakrifikohet vullneti politik dhe identiteti kombëtar i popullit shumicë. Kjo është qasje krejtësisht e gabueshme dhe me siguri që do të dështojë herëdokur.
Pothuajse të gjitha shtetet evropiane demokratike kanë standardet më të larta për pakicat, por aty mbizotëron vullneti i shumicës. Dhe, në këto shtete nuk ka kurrfarë konfrontimi ndërmjet të drejtave të pakicave dhe vullnetit të shumicës. Shtet i vërtetë demokratik është vetëm ai shtet që përbrenda vullnetit politik të shumicës, që materializohet në institucionet sovrane të vendit, garantohen të drejtat më të larta politike, kulturore e ekonomike të pakicave. Por, kurrsesi ai shtet, korniza politike e të cilit e mbyt vullnetin e shumicës absolute në emër të neutralitetit ndaj të gjithëve, dhe kështu qëllimisht i konfronton artificialisht pakicat me shumicën.
Barazia e qytetarëve ka kuptim si barazi para ligjit. Por në secilin shtet, e sidomos nëpër shtetet demokratike evropiane, popullata e shteteve kryesisht përbëhet nga një grup shumicë, dhe pakicat që jetojnë në të. Në Kosovë ky grup shumicë ka identitet të qartë kombëtar. Ne jemi shqiptarë. Dhe duhet t’ua garantojmë të gjitha të drejtat pakicave, ashtu siç ua garantojnë këtë gjë shtetet normale. Por kurrsesi të zbulojmë e imponojmë identitete politike e kombëtare artificiale si alibi për deshqiptarizimin e Kosovës, siç po ndodh aktualisht me Planin e Ahtisaarit.
Njohja e rëndësisë historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për shqiptarët nuk do të thotë edhe përjashtim ose mohim automatik i rolit të kulturave të pakicave në këtë qytet. Nëse bazohemi në këtë parim, atëherë asnjë shtet nuk do të kishte të drejtë t’i nderonte traditat kulturore të shumicës apo të respektonte identitetin e saj kombëtar. Shtetet që përbëhen prej popullsisë shumicë dhe popullsive minoritare zakonisht e menaxhojnë këtë problem duke e balancuar respektimin e identitetit të shumicës së atij shteti me mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe me kremtimin e kulturës së pakicave. Në vend të kësaj harmonie Plani i Ahtisaarit, dhe rrjedhimisht Kushtetuta, e kanë imponuar termin shoqëri “shumetnike” për ta neutralizuar identitetin e natyrshëm të shumicës shqiptare të Kosovës. Kjo është e padrejtë dhe politikisht e papërgjegjshme. Dhe, duhet t’i thuhet një herë e mirë STOP!