Prishtinë - Nga dita e nesërme, pas një ndërprerje disa mujore, do të rifillojë puna në Kabinetin e angiografisë në Radiologji të QKUK së. Në mungesë të materialit shpenzues, puna ishte ndërprerë për disa muaj, ndrrsa pas përpjekjeve dhe punës së menaxhmentit të QKUK së, është arritur të sigurohet materiali i nevojshëm shpenzues dhe do mund të kryhet angiografia në kuadër të QKUK së.
Po ashtu, në radiologji me kapacitet të plotë po punohet në dy CT, atë gjashtë shtresore dhe CT spinale, ku brenda dite kryhen rreth 60 CT. Zyrtarët e Qendrës Diagnostike në bashkëpunim dhe përkrahje të menaxhmentit, kanë futur në punë 2 aparate të rëndësishme radiologjike që për 6 vite ishin jashtë funksioni dhe nuk ishin përdorur. Njëri prej tyre do vendoset në Klinikën e Pediatrisë ku do kryhen fotografimet për fëmijë që nuk do kenë nevojë të barten për në radiologji, derisa aparati i dytë radiologjik do vendoset në Klinikën e Kirurgjisë, ku fotografimet do bëhen për gjitha klinikat kirurgjikale. Së shpejti, në Repartin e Neonatologjisë në Klinikën e Pediatrisë, do vendoset një rëntgen mobil, ku nuk do ketë nevojë të barten foshnjat, por fotografimet do kryhen direkt në kuadër të repartit. Po bëhen përpjeke maksimale që të filloj punën shumë shpejt edhe një Kabinet i ri i ultrazërit në kuadër të radiologjisë, i cili po ashtu, ishte donacion dhe nuk ishte futur në përdorim për më shumë se gjashtë vite. Futja në punë e këtij ultrazëri, do zvogëlonte në masë të madhe pritjet e pacientëve, njofton QIK.