Prishtinë – Me moton: “Bashkohuni me ekipin tonë, ta mundim tuberkulozin”, sot edhe në vendin tonë do të nisin aktivitetet për të shënuar Ditën Botërore kundër Tuberkulozit. Në manifestimin qendror që organizohet sot në Prishtinë, Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe aktorët e tjerë të kyçur në luftën kundër kësaj sëmundjeje, do të prezantojnë arritjet në luftën kundër TBC së, duke bërë thirrje në të njëjtën kohë për një aksion të përbashkët për eliminimin e TBC së në Kosovë.
Arsyeja e shënimit të kësaj dite në tërë botën e gjithashtu edhe tek ne në Kosovë është thirrja në aksion për të gjithë ata që me kontributin e tyre do te përkrahin eliminimin e tuberkulozit në Kosovë dhe në botë. Ministria e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Fondi Global me OJQ/KeA, dhe AsPuKo më 24 mars do të shënojë Ditën Botërore të Tuberkulozit edhe në të gjitha qendra rajonale të Kosovës. Gjatë vitit 2009 në Kosovë janë regjistruar 901 raste të tuberkulozit. Një e treta e popullatës së botës është e infektuar nga TB. Çdo 10 sekonda një person vdes në botë nga TBC. I sëmuri nga tuberkulozi mund të infektojë 10 – 15 njerëz brenda një viti.