Comments Off

Njoftim

2006
12.29

 Me rastin e festave të fundvitit e posaçërisht festës së Kurban Bajramit, ju njoftojmë se Redaksia e Rrjetiti Kosovar për Informim MitrovicaPress nuk do të punon nga 29.12.2006 – 03.01.2007. Me këtë rast ju urojmë festat duke ju dëshiruar gjitha të mirat, stafit të MitrovicaPress, bashkëpunëtorëve si dhe vizitorëve tonë të rregullt të cilt i kanë meritat më të mëdha për të shtyrë përpara punën e redaksisë sonë. Sygjerimet e juaja në veçanti kritikat e juaja i mirëpresim në redaksia@mitrovicapress.net . Shpresojmë se ashtu siç kemi qenë të hapur që nga hapja e uebit tonë e në të ardhmën do të jemi të hapur për shoqërinë civile, duke vazhduar punën dhe publikimet tona pa censur si asnjë Medium tjetër mbarëkombëtar.
Me respekt Gzim FERATI, Redaktor Përgjegjës në MitrovicaPress

Comments Off

Rreziku i vjetër në shekullin e ri

2006
12.28

Shkruan: Albin KURTI
Në decentralizim dhe ´eksterritorialitet’ është investuar gjatë, shumë dhe sistematikisht. Këto dy projekte i kanë rrënjët në Serbi, trungun në UNMIK, degët në IPVQ kurse frutat e hidhura e të helmatisura të tyre do t’i servohen popullit të Kosovës. Këtyre projekteve, për të qenë të qëndrueshme, u duhet një popullatë serbe shtesë. Andaj, zonat e veçanta rreth kishave e manastireve ortodokse do të popullohen me kolonë serbë e po ashtu edhe komunat e reja që dalin nga decentralizimi. Njëkohësisht, Serbia do që t’i kthejë serbët vetëm atje ku ata do ta kenë pushtetin. E, kjo do të mund të realizohet mu aty ku implementohen decentralizimi e ´eksterritorialiteti’. Kësisoj, decentralizimi dhe ´eksterritorialiteti’ janë baza e rikolonizimit të Kosovës por ato edhe mund të mirëmbahen pikërisht përmes rikolonizimit. Decentralizimi dhe ´eksterritorialiteti’ në njërën anë, dhe rikolonizimi i Kosovës në anën tjetër, e mundësojnë dhe kushtëzojnë njëra-tjetrën. Pushteti i forcuar dhe i zgjeruar i Serbisë në Kosovë ka nevojë për rritje të përmbajtjes dhe përbërjes me më shumë njerëz që do të funksionojnë në strukturat e tij; paralelisht, ai e hap shtegun për këtë ardhje të re të kolonëve nga Serbia.

Kthimi i serbëve do të bëhet edhe atje ku ata nuk ishin më parë. Për ta rritur koncentrimin e serbëve në treva të caktuara si dhe për t’i ndërlidhur ato. Dhe, jo vetëm për t’ia trasuar rrugën rikolonizimit në të ardhmen por edhe për ta legjitimuar rikolonizimin tashmë ekzistues: në veri të Kosovës janë me mijëra serbë që s’kanë jetuar asnjëherë më parë atje dhe tash banojnë nëpër shtëpitë e shqiptarëve të dëbuar. Për këto shtatë vjet e gjysmë, komunat në veriun e Kosovës asnjëherë nuk ishin të barabarta me komunat e tjera në Kosovë por me vetë IPVQ-të në Prishtinë. Karshi faktorëve ndërkombëtar ato ishin dhe vazhdojnë të trajtohen si partnerë të barabartë sikurse IPVQ-të. Politikanë dhe diplomatë ndërkombëtar të cilët vizitonin e vizitojnë Prishtinën rregullisht shkojnë edhe në Zveçan. Përderisa Kosova s’ka sovranitet, decentralizimi e siguron metastazën e veriut gjithandej nëpër Kosovë. Komunat e reja gjithmonë i themelon shteti dhe vetëm shteti. Kosova nuk është shtet. Atëherë, cili është ky shtet që po i inicon e krijon komunat e reja në Kosovë?! Serbia në bashkëpunim me UNMIK-un. IPVQ-të janë veçse dëshmitar të këtij procesi që shfrytëzohen për ta legjitimuar atë. Madje, krerët e IPVQ-ve dhe negociatorët kosovar i kanë paraqitur komunat e decentralizimit si një gjë moderne, evropiane, shumë e dobishme dhe e mirë në vetvete. Kësisoj, ata s’do të marrin asgjë për kundërvlerë. ´Zemërgjerësia’ e tyre është fatale.

Policia, gjyqësia, administrata, arsimi, shëndetësia, kultura dhe mediat, janë sferat në të cilat do të shtrihet pushteti i komunave të decentralizimit. Ajo që mbetet jashtë këtyre kompetencave do të jetë në duart e misionit ndërkombëtar i cili do ta trashëgojë UNMIK-un dhe assesi nën kontrollin e institucioneve kosovare. Meqenëse nëpër enklavat serbe janë strukturat e Serbisë ato që e ushtrojnë pushtetin që prej mbarimit të luftimeve, decentralizimi nuk konsiston aq në rritjen e pushtetit sa në legalizimin e tij. Dhe, mbi të gjitha, ai ka të bëjë me zgjerimin e territorit të këtij pushteti të huaj në llogari të fshatrave me shqiptarë e që mbesin pakicë aty. Banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës, qofshin ata të dëbuar ose ende atje, e dinë më së miri se çfarë do të thotë të jeshë pakicë aty ku e kanë pushtetin strukturat e Serbisë.

Nëse decentralizimi realizohet në Anamoravë, atëherë Prishtina dhe Ferizaji do të mbushen me refugjatë shqiptarë nga komunat e Artanës, Dardanës, Gjilanit e Vitisë. Nëse decentralizimi realizohet në veriperëndim të Kosovës, atëherë Gjakova dhe Drenica do të mbushen me refugjatë shqiptarë nga komuna e Burimit, Klinës por edhe Pejës. Shpesh kemi dëgjuar se si na qenka rrezik që serbët ta lëshojnë Kosovën pas përcaktimit të statusit. Në fakt, janë shqiptarët ata që do të dëbohen e shpërngulen pas decentralizimit. Rrudhja e territorit dhe valët e refugjatëve janë dy anët e së njëjtës medale të cilën shqiptarët nuk po e largojnë dot nga qafa e tyre për më shumë se një shekull. Në kushtet kur na mohohet vullneti, nuk na mbrohen interesat dhe s’na përfillet historia, decentralizimi dhe ´eksterritorialiteti’ janë vetë Serbia, e tillë çfarë e kemi njohur gjithmonë.
info@mitrovicapress.net

Comments Off

Shkurtprerja e Edi Ramës

2006
12.27

Shkruan: Arben ÇOKAJ

Shqiptarët dhe socialistët e dinë se Edi Rama erdhi në krye të PS-së duke blerë votën e anëtarëve të KPD-së. Dinë gjithashtu se po hyre në politikë me metoda dhe rrugë të padrejta, po në atë mënyrë agjiton në politikë dhe po kështu del edhe prej saj. Shqiptarët e dinë se kryetari socialist, për shkak të gjatësisë së tij fizike, është më i “rrezikuar” që t’i marrë koka erë, se sa mund të jenë njerëzit e tjerë me gjatësi normale.

Rama si diversionist

Ardhjen e Edi Ramës si kryetar të PS-së, në një mënyrë si të Pirros, askush nuk e parashikoi në natën e zgjedhjeve për kryetar partie të Partisë Socialiste. Por politika e majtë në Shqipëri e ka një paracaktim: ajo duhet të dështojë, që ky vend të mund të ecë përpara. Zgjedhja e Ramës ishte një zgjedhje në dëshpërim. Një fjalë e urtë thotë: “Kurrë mos i merr vendimet me barkun bosh!”

Kur sheh shtetet demokratike të zhvilluara ekonomikisht, vëren se ata janë drejtuar më gjatë nga koalicione të djathta se sa të majta. Gjermania, për shembull, lulëzoi mjaft mirë ekonomikisht pas Luftës së Dytë Botërore, pikërisht sepse të majtët me vështirësi mundën ta mbanin pushtetin vetëm një mandat. Dhe me aq pak kohë sa ndenjën në pushtet, ata arritën të ushtronin presion për futjen e një sistemi social të tillë, saqë sot është kthyer në një aventurë që thith të gjithë kursimet e shoqërisë. Llogarit sikur Gjermania të drejtohej nga të majtët aq gjatë sa Shqipëria. S’ka dyshim që zhvillimi do të kishte ngecur si në Gjermaninë Lindore…

Edi Rama nuk është i vetëdijshëm politikisht që ta kuptojë rolin e tij në një parti të majtë, aq më tepër si kreu i opozitës së sotme. Për shkak të karakterit të tij disi anarkist, zoti Rama nuk është në gjendje të prodhojë një politikë të nivelit të lartë, që të jetë në gjendje të drejtojë një shtet, të bazuar në ligje e rregulla. Ai ka ligjet e veta dhe s’është në gjendje të hartojë politika qeverisëse, duke aplikuar ligjet e vendit apo duke respektuar Kushtetutën e Shqipërisë. Dhe kjo po shihet edhe në rrugën që ai ka zgjedhur për të mos u futur në zgjedhje. Zgjedhjet janë një detyrim kushtetues, jo një dëshirë e një individi apo partie. Aventurën e tij politike, Rama e ka filluar nga dështimi dhe meqë rrethanat e vunë në krye të PS-së, ai u pa që në fillim si një lider i dyshimtë brenda kësaj partie, ku nuk dukej se kishte rrënjë tradicionale. Është thjesht një transplantim politik.

Edi Rama u importua në krye të PS-së si një njeri i suksesit brenda kësaj partie, më tepër nga fakti se kishte bërë ndryshime në Tiranë si kryetar bashkie, jo nga fakti se Rama është një lider i lindur, por nga metoda e tij e njohur “puno duke vjedhur”. Në kushtet e Shqipërisë së sotme, kjo metodë dha më tepër sukses, sesa metoda e përkundërt “vjedh duke punuar” apo “bëj sikur punon duke vjedhur”. Shqiptarët, deri tani, kanë parë këto tre metoda që të përdoren nga drejtuesit e tyre në këtë periudhë tranzicioni dhe krijuan përshtypjen se Edi Rama është njeri i suksesit. Ardhja në pushtet e koalicionit të djathtë më 3 korrik 2005, u krijoi idenë njerëzve se diçka do të ndryshonte për mirë – dhe realisht duket se qeverisja e djathtë, e drejtuar nga zoti Berisha, ka bërë mjaft, sidomos në qendër, që të krijojë një psikologji të re kundër korrupsionit, duke u munduar të aplikojë idenë se “paratë publike janë paratë e komunitetit” dhe jo të pushtetarëve. Por qeveria nuk po lihet të punojë që ta shtrijë këtë ide deri në komunën më të thellë malore të këtij vendi, se çdo sukses i qeverisjes është pikërisht një dështim për Edi Ramën dhe stilin e tij të punës.

Një gjë është e qartë, Edi Rama erdhi në krye të PS-së “për t’i ngrënë kokën” asaj. Kur socialistët ta kuptojnë këtë, ka për të qenë vonë, ndonëse kanë për ta abandonuar. Kjo është edhe frika kryesore e kreut socialist. Një frikë e kthyer në ndjenjë, që klinikisht konsiderohet si panik. Paniku e bën njeriun të ketë frikë edhe kur nuk ka shkak, kur nuk ka arsye. Analizoni deklaratat e kundërta të Ramës: “hyjmë në zgjedhje në çdo moment, por nuk ka standarde”. Nga ana tjetër, është pikërisht ai që në gjashtë muaj nuk ka pranuar të ulet me pozitën që të diskutojnë dhe të përcaktojnë standardet. Dhe tani kur data e zgjedhjeve po afron, ai kërkon shtyrjen e zgjedhjeve… Po a nuk e ka kërkuar të njëjtën gjë kreu socialist edhe gjashtë muaj më parë?!

Gjithkush e di, edhe Rama vetë e di, se kur qeveria mbledh para dhe di si t’i administrojë ato, ajo qeveri nuk bie lehtë. Kur qeveria, (pavarësisht vështirësive subjektive dhe objektive, me një opozitë që nuk njeh ligj e rregulla loje), lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe vullneti ekziston që kjo luftë të jetë e vazhdueshme, kjo qeveri ka dhe do të ketë sukses. Ky sukses i qeverisjes së sotme e vë në dyshim, madje e bën të pamundur fitoren e Edi Ramës në Tiranë për herë të tretë. Dhe Ramës aq i bën për PS-në, ai do veç veten. Kjo është arsyeja pse Edi Rama konsiderohet si diversionist brenda Partisë Socialiste dhe si një person i ardhur për ta shkatërruar atë.

Shkurtprerja e Edi Ramës

Shortcut apo “shkurtprerje” është një koncept i krijimit të rrugëve të kalimit në menytë e programeve në kompjuter. Kreu socialist, në atë mendësinë e trurit të tij të pafurnizuar mirë me gjak, është munduar të gjejë edhe ai një shkurtprerje të tillë, një rrugë kalimi për të ruajtur pozicionin që ka. Të negociojë me Berishën për Tiranën “zonë të lirë”, nuk i ka lënë vend vetes. Të fitojë me “forcat e veta”, nuk ka para. Dëshiron marsin, që të shqyejë “kofshën e luanit” në fondet që i vijnë Bashkisë për vitin 2007…

Me fjalë të tjera, ai gjendet përballë një situate të pafavorshme, prandaj edhe ka kaluar në panik. Nga njëra anë, Sokol Olldashi ka treguar konsistencë dhe aftësi se di të fitojë në situata të vështira, të tensionuara, edhe kur kundërshtari ka shumë para. Pra, paratë e Ramës nuk pinë ujë. Njëkohësisht, një grup i konsiderueshëm në PS, sidomos grupi afër Nanos, e shohin Edi Ramën me dyshim pikërisht për arsyet e sipërpërmendura dhe mund të punojnë afër tij, që ta shohin atë duke rënë në këto zgjedhje. Nga ana tjetër, kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës dhe kryeministri aktual e patën filluar parafushatën me tone jo fort miqësore kundrejt Ramës, duke përmendur edhe “kurbanin” në një ditë feste, etj., etj., në vend që ta merrnin me të mirë atë “fëmijë të llastuar”, derisa të hynin në zgjedhje, pastaj t’i tregonin vendin.

Duke i bashkuar të gjitha këto elemente, me mbingarkesën e madhe që ka drejtimi i Bashkisë së kryeqytetit, mbingarkesën që ka drejtimi i PS-së dhe koalicioni i majtë, mbështetur nga njerëz pa përvojë si zëdhënësi i PS-së, që s’di tjetër veç të bëjë grimasa e të kapardiset para kamerave në konferenca shtypi apo të shkruajë leksionet e tij banale me shkumës në një dërrasë të zezë, sikur po jep mësim në ndonjë shkollë fillore, gjendur përballë një fushate të egër zgjedhore dhe kërcënimeve elektorale të kampit të djathtë, Edi Rama është thyer. Paniku që ai shfaq për zgjedhjet nuk ka shkak, nuk ka arsye. Ky panik shpreh ndjenjën e brendshme që ka kreu socialist, i cili e sheh veten duke rënë nga lartësia pa gjak ku mbërrin koka e tij. Edhe një njeri i mësuar me vështirësi do të ndjehej i terrorizuar po të gjendej në pozicionin e Ramës sot, e jo më një “djalë i llastuar”…

Edi Rama ka frikë të ndeshet, ka frikë të përballet. Këtë gjë e ka kuptuar edhe doktor Berisha, i cili sheh tek Edi Rama një djalë në panik, që duhet të trajtohet si pacient. Berisha ka filluar ta marrë me të mirë Ramën, të zbusë tonet e sulmeve elektorale të tij, gjë që duhej ta kishte bërë më parë, por kush mund ta parashikonte se një Edvin i vrazhdë ishte lepur në shpirt?! Berisha e ka kuptuar se rruga pa krye që po ndjek Rama me partinë e tij për të bojkotuar zgjedhjet vendore, është një rrugë e rrezikshme, që çon ujë në mullirin e atyre që nuk ua duan të mirën shqiptarëve. Çdo krizë politike në Shqipëri, në kohën kur përcaktohet edhe statusi i Kosovës, ndikon drejtpërdrejt në shkallën e pavarësisë që do gëzojnë shqiptarët e Kosovës pas përcaktimit të statusit.

Por Edi Ramës i intereson veç vetvetja. Ai përpiqet të gjejë një status për veten. Pikëpyetjet lidhur me faktin se si mund ta mbajë ai postin e kreut të PS-së nëse humb Bashkinë e Tiranës, e shqetësojnë vazhdimisht. Ai e di se po i iku Bashkia, ikën edhe partia. Se nuk ka më ku t’i gjejë paratë që të mbajë partinë. Deputet nuk është dhe kështu del realisht jashtë loje plotësisht. Prandaj është i prirur ta çojë Shqipërinë deri në destabilizim institucional, vetëm që të ruajë një vend për veten.

Krisjet në kampin e majtë kanë filluar. Edi Rama synon protestat popullore që të rrëzojë një qeveri të suksesshme. Po shkojmë në zgjedhje lokale dhe ai bërtet “poshtë Berisha!” Por duket se shumë shpejt edhe PS do të çahet nga presioni i një egoisti, dhe Rama do të ketë pasues vetëm ata militantë të majtë kamikazë që thonë: “më mirë të mos bjerë shi, që të mos kemi drita… kështu mund të fitojë PS-ja…”.
info@mitrovicapress.net

Comments Off

Puna e Kuvendit të Kosovës vlerësohet e sukseshme

2006
12.27

Prishtinë, 27 dhjetor - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, kishte sot një takim me zëvendëskryeadministratorin Stiven Shuk. Takimi kaloi në shenjë të përgëzimeve në ndërrimin e motmoteve dhe sublimimin e rezultateve të arritura në bashkëpunimin e institucioneve kosovare me ato ndërkombëtare. Në këtë frymë zëvendëskryeadministratori Stiven Shuk shprehu vlerësime të larta për punën e suksesshme të Kuvendit të Kosovës gjatë vitit që po e lëmë pas.”Keni bërë një punë të mirë gjatë këtij viti, duke realizuar një varg projektesh me rëndësi të madhe , prandaj keni arsye të forta për të festuar këtë përmbyllje të suksesshme të këtij viti “, theksoi Shuk. Duke iu referuar këtyre komplimenteve, kryeparlamentari Berisha theksoi se këto vlejnë edhe për UNMIK-un, sepse fjala është për një sukses të përbashkët, të arritur në partneritet në mes bashkësisë ndërkombëtare dhe Kuvendit.
Në vijim të takimit z. Shuk u interesua edhe për realizimin e marrëveshjes lidhur me shpejtimin e nënshkrimit të ligjeve të miratuara nga ana e Kuvendit të Kosovës. Në këtë vështrim ai kërkoi nga kryeparlamentari Berisha që të bëhet një listë e ligjeve më prioritare , për t’ u interesuar ai personalisht që të nënshkruhen sa më shpejt.
Zëvendëskryeadministratori Stiven Shuk u interesua edhe për çështjen e zgjedhjes së Ombudspersonit.
Përkitazi me këtë Berisha u shpreh se në procedurat e Kuvendit u shfaq problemi i kolizionit, përkatësisht fërkime rreth procedurave të UNMIK-ut dhe Kuvendit rreth kësaj çështjeje. Shih për këtë , theksoi Berisha, tani është duke u punuar të harmonizohen rregullat që përcaktojnë këtë çështje, në mënyrë që në veprimin e ardhshëm të mos ketë dallime procedurale.
redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Meta i kërkoi kreut të PS ti japë fund sebepeve antizgjedhje. Milo akuzoi se klane në PS nuk duan të bëhen zgjedhje

2006
12.27

Ramës i digjet alibia kundër zgjedhjeve

Tiranë, 27 dhjetor – Debate të ashpra shoqëruan dje mbledhjen e Byrosë politike të opozitës, e cila mori në shqyrtim paketën e propozuar nga mazhoranca, për zgjidhjen e krizës lidhur me zgjedhjet vendore të 20 janarit. Burime të brendshme në Partinë Socialiste bënë të ditur se diskutimet degjeneruan deri në fyerje e sharje personale mes krerëve të opozitës, deri sa është dashur ndërhyrja e sekretarit Politik të PS-së, Ben Blushi, për të shmangur edhe një përplasje fizike mes tyre. Tonet e larta janë dëgjuar deri në ambientet e jashtme të selisë së PS-së ku po zhvillohej takimi, ndërkohë që burimet thanë se përplasje të forta ka pasur mes kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, dhe kryetarit të PSD, Skënder Gjinushi. Burimet saktësuan se Gjinushi ka provokuar mjaft rëndë kreun e LSI-së, Meta, duke e quajtur atë një patericë të mazhorancës, ndërsa ky i fundit ka reaguar në mënyrë mjaft të ashpër, duke e pështyrë në fytyrë kreun e PSD-së. Meta e ka cilësuar Gjinushin si elementin më negativ të opozitës, duke e fajësuar atë për krijimin e kësaj situate në mënyrë artificiale. “Çdo fis e ka një pis dhe në fisin tonë të madh pisi je ti”, iu drejtua kreu i LSI-së Gjinushit. Ai theksoi se është pikërisht përgjegjësia e Gjinushit për futjen e opozitës në konflikt me komunitetin ndërkombëtar dhe me qytetarët shqiptarë. Mësohet se Skënder Gjinushi ka fajësuar Ilir Metën për flirte me të djathtën, duke kundërshtuar vendimin e opozitës për bojkotimin e zgjedhjeve vendore. Kreu i LSI-së ishte shprehur ditë më parë kundër këtij vendimi, duke nënkuptuar se partia e tij së bashku me PDS-në e Milos do të futeshin në zgjedhje të vetëm, edhe pa pjesën tjetër të opozitës. rd

Comments Off

Konfirmohet dënimi me vdekje për Sadamin

2006
12.27

BBC – Gjykata e Apelit në Irak ka vendosur që ishpresidenti Sadam Husein të ekzekutohet për krime kundër njerëzimit.
Proçedura e apelit ndaj dënimit me vdekje tashmë ka përfunduar.
Sipas ligjit irakian ekzekutimi i Sadam Huseinit duhet të kryhet brenda një muaji.
Sadami, bashkë me dy të akuzuar të tjerë, u dënuan muajin e kaluar me varje në litar për vrasjen e mbi 150 vetëve në qytetin Duxhail në vitin 1982.
Që prej tri javësh një trup gjykatësish irakianë ka shqyrtuar kërkesën e apelit të Sadam Huseinit kundër dënimit të tij me vdekje.
Zëdhënësi i gjakatës i tha BBC-së se apeli ishte hedhur poshtë dhe gjykata e kishte konfirmuar dënimin me vdekje me varje në litar.
Sipas ligjit irakian Sadam Huseini duhet të ekzekutohet brenda 30 ditësh.
Por ekzekutimi pritet të provokojë një reagim të ashpër nga përkrahësit e tij, prandaj mendohet se ai do të kryhet në një kohë dhe vend të pacaktuar.
Ndaj ish-dikatorit irakian po zhvillohet edhe një proces tjetër gjyqësor.
Megjithatë autoritetet irakiane kanë thënë se do ta zbatojnë dënimin me vdekje ndaj Sadam Huseinit edhe nëse procedurat gjyqësore ndaj tij vazhdojnë.

Comments Off

FATKEQËSITË QË SOLLI DARVINIZMI PËR NJERËZIMIN (7)

2006
12.25

PJESA E TRETE
Aleanca e tmerrshme midis Darvinit dhe Fashizmi
Aleanca e përgjakshme mes
Darvinit dhe Hitlerit
Nazizmi (Nacionalsocializmi) lindi në atmosferën kaotike të Gjermanisë, pas humbjes së saj në Luftën e Parë Botërore. Udhëheqësi i Partisë Nacionalsocialiste ishte Adolf Hitleri. Racizmi përbënte bazën e botëkuptimit të Hitlerit. Ai besonte se raca ariane, elementi bazë i kombit gjerman, ishte superiore ndaj të gjitha racave të tjera dhe duhej të sundonte mbi to. Ai ëndërronte që raca ariane të ndërtonte një perandori që do të zgjaste 1000 vjet.
Mbështetja shkencore që Hitleri gjeti për këto teori raciste ishte teoria e Darvinit.
Këshilltari më i rëndësishëm i Hitlerit, historiani racist gjerman Heinrich Von Treitschke, ishte mjaft i ndikuar nga teoria e evolucionit dhe i mbështeste pikëpamjet e tij raciste te Darvinizmi. Ai thoshte se “kombet mund të arrijnë zhvillim vetëm në kushtet e një konkurrence të fortë si përzgjedhja natyrore e Darvinit” dhe deklaronte se kjo do të thoshte luftë e përhershme dhe e pashmangshme. Ai ishte i mendimit se “të zaptosh me anë të shpatës është një mënyrë për t’i sjellë qytetërim barbarizmit dhe dituri injorancës”. Ai shkruante:
“Raca e verdhë s’ia thotë fare për aftësi artistike dhe liri politike. Eshtë fati i racës së zezë që t’u shërbejë të bardhëve dhe të jetë objekt i përçmimit të tyre në përjetësi…”43
Ndërkohë që Hitleri zhvillonte teoritë e tij, ai gjeti frymëzim, ashtu si dhe Treitschke, te Darvini dhe sidomos tek ideja e Darvinit mbi luftën për mbijetesë. Për librin e tij famëkeq “Mein Kampf” (Lufta Ime), ai ishte frymëzuar pikërisht nga ideja e kësaj lufte për mbijetesë. Ashtu si Darvini, Hitleri u dha racave joevropiane statusin e majmunëve dhe tha: “Po hoqët gjermanët nordikë, s’mbetet gjë tjetër përveç vallëzimit të majmunëve.”44
Në mitingun e partisë në vitin 1933 në Nuremberg, Hitleri shpalli se “një racë superiore e nënshtron një racë inferiore… një e drejtë që e vërejmë në natyrë dhe që mund të konsiderohet si e vetmja e drejtë e imagjinueshme”, sepse mbështetet te shkenca.45
Hitleri, i cili besonte në epërsinë e racës ariane, mendonte se epërsia i ishte dhënë kësaj race nga natyra.
Në librin “Mein Kampf”, ai shkruan si vijon:
Çifutët formojnë një kundër-racë nën-njerëzore, të destinuar për ligësi nga trashëgimia biologjike, ashtu siç është e destinuar raca nordike për fisnikëri… Historia do të arrijë kulmin me një perandori të re mijëvjeçare me një shkëlqim të paparë, e mbështetur në një hierarki racore të re, të caktuar prej vetë natyrës.46
Hitleri, i cili ishte i mendimit se qeniet njerëzore ishin kafshë të një shkalle të lartë zhvillimi, besonte se në vend që t’ua linte në dorë kontrollin e evolucionit forcave të natyrës apo fatit, me një fjalë rastësisë, ishte e domosdoshme ta merrte vetë në dorë zhvillimin e racës njerëzore. Ishte pikërisht ky qëllimi final i lëvizjes naziste. Që të realizonte këtë qëllim, hapi i parë ishte të ndante e të izolonte racat inferiore nga raca ariane, raca që ata besonin se ishte superiore.
Në këtë gjendje, nazistët iu futën punës për zbatimin e Darvinizmit dhe morën si shembull “Teorinë e Eugjenisë”, që e kishte burimin te Darvinizmi.

Teoria e Eugjenisë mbështetej
tek idetë darviniste

Teoria e Eugjenisë, e cila u shfaq në gjysmën e parë të shekullit XX, kishte për qëllim spastrimin e të sëmurëve dhe handikapatëve dhe përmirësimin e racës njerëzore duke rritur numrin e individëve të shëndetshëm. Sipas Teorisë së Eugjenisë, sikurse shfaqen lloje më të mira kafshësh, duke kryqëzuar kafshë të shëndetshme me njëra-tjetrën, ashtu mund të përmirësohet edhe raca njerëzore.
Siç mund të pritet, ata që e paraqitën programin e Eugjenisë ishin darvinistët. Në krye të valës eugjenike në Angli u vu kushëriri i Çarls Darvinit, Frensis Galton dhe i biri i Darvinit, Leonard Darvini.
Ishte e qartë se ideja e Eugjenisë ishte rezultat i natyrshëm i Darvinizmit. Në fakt, kësaj të vërtete iu kushtua një rëndësi e veçantë në ato botime që përkrahnin Eugjenisë. Në to thuhej: “Eugjenia është marrja përsipër nga ana e njeriut e evolucionit të vet.”
Kenneth Ludmerer, historian mjeksie në universitetin e Uashingtonit, vuri në dukje se ideja e Eugjenisë është aq e vjetër, sa “Republika” e Platonit, por ai shtoi, gjithashtu, se Darvinizmi ishte arsyeja që u ngjall interesimi për idenë e hedhur në shekullin XIX:
“…mendimi i Eugjenisë moderne lindi vetëm në shekullin XIX. Ngjallja e interesimit për Eugjeninë gjatë atij shekulli kishte rrënjë të shumta. Më e rëndësishmja ishte teoria e evolucionit, sepse idetë e Frensis Galtonit mbi Eugjenitikën – dhe ishte pikërisht ai që krijoi termin “Eugjeni” – ishin rrjedhim logjik i drejpërdrejtë i doktrinës shkencore të shtjelluar prej kushëririt të tij, Darvinit.”47
Në Gjermani, i pari që u ndikua dhe e përhapi Eugjeninë ishte biologu i famshëm evolucionist Ernst Haeckel, i cili ishte mik i ngushtë dhe përkrahës i Darvinit. Për të mbështetur teorinë e evolucionit, ai paraqiti tezën e “përsëritjes”, sipas së cilës embrionet e ndryshme të qenieve të gjalla ngjasonin me njëra-tjetrën. Më vonë u zbulua se si ai kishte fallsifikuar të dhënat kur kishte nxjerrë këtë pretendim.
Kur, nga njëra anë, Haeckel bënte mashtrime shkencore të këtij lloji, nga ana tjetër, i bënte propagandë eugjenike. Ai sugjeroi që fëmijët handikapatë të sapolindur të vriten menjëherë, sepse kjo, sipas tij, do të përshpejtonte evolucionin e shoqërisë. Ai shkoi edhe më tej, duke thënë se leprozët dhe njerëzit e sëmurë me kancer dhe me sëmundje mendore duhet të vriten pa iu dhimbsur kujt. Përndryshe këta njerëz do t’i bëheshin barrë shoqërisë dhe do të ngadalësonin evolucionin. Studiuesi amerikan Xhorxh Stein e përmblodhi besnikërinë e verbër të Haeckel ndaj teorisë së evolucionit në një artikull të tijin në revistën “American Scientist” në këtë mënyrë:
… Ai [Heackel] ishte i mendimit se Darvini kishte të drejtë… njerëzimi, pa dyshim, kishte evoluar nga mbretëria e kafshëve. Si rrjedhim, (dhe këtu hapi fatal ishte hedhur me prezantimin e parë të rëndësishëm të Darvinizmit nga Heackel në Gjermani), ekzistenca shoqërore dhe politike e njerëzimit drejtohet nga ligjet e evolucionit, përzgjedhja natyrore dhe biologjia, siç tregohet qartë nga Darvini. Të mendoje ndryshe ishte bestytni.48
Heackel vdiq në 1919, por idetë e tij u trashëguan nga nazistët. Pak kohë pas ardhjes në pushtet të Hitlerit, nisi një program zyrtar Eugjenik. Hitleri e përmblodhi politikën e re në këto fjali:
Në pushtetin popullor, stërvitja e mendjes dhe e trupit do të luajë një rol të rëndësishëm, por edhe përzgjedhja njerëzore është po aq e rëndësishme…. Shteti ka për detyrë të shpallë si të papërshtatshëm për qëllime riprodhimi cilindo që duket qartë se është i sëmurë apo jo i shëndoshë gjenetikisht dhe duhet ta çojë deri në fund këtë detyrë pa mëshirë, pavarësisht nga mirëkuptimi apo mungesa e mirëkuptimit nga ana e ndonjërit. Ndalimi i riprodhimit të personave me të meta trupore apo mendore për një periudhë kohe prej vetëm 600 vjetësh do çonte në përmirësim të shëndetit të njeriut, gjë që s’mund të përfytyrohet në ditët e sotme. Po të realizohej dhe planifikohej pjelloria e anëtarëve më të shëndetshëm të racës, rezultati do të ishte një racë, e cila do t’i kishte humbur farat e kalbjes trupore dhe shpirtërore që bartim ne sot.49
Si domosdoshmëri e kësaj politike të ndjekur nga Hitleri, të sëmurët me të meta mendore, invalidët, të verbërit që nga lindja, si dhe individët me sëmundje gjenetike në shoqërinë gjermane, u mblodhën në “qendra sterilizimi” të veçanta. Këta njerëz konsideroheshin si parazitë të dëmshëm për pastërtinë dhe përparimin evolucionar të racës gjermane. Pak më vonë, në fakt, ata njerëz që ishin spastruar nga shoqëria filluan të vriten me urdhër të fshehtë të Hitlerit.
Këto vrasje u paraqitën si krejt të arsyeshme dhe ata që pranoheshin si inferiorë gjenitikisht, përshkruheshin si “pa përfitim” dhe pengesë për zhvillimin e kombit. Grupe të shumta, duke përfshirë raca e popuj të ndryshëm, që shiheshin si raca inferiore, dalëngadalë filluan të përfshihen në listë. Më vonë u përfshinë njerëzit e sëmurë e të moshuar, ata me verdhëz, ata me të meta të rënda mendore, shurdhmemecët, madje dhe ata me sëmundje të pashërueshme. Kur atleti zezak Xhesi Ouens fitoi 4 medalje ari në Lojrat Olimpike të Berlinit në 1936, Hitleri, edhe pse i uroi të gjithë konkuruesit, nuk pranoi të uronte Xhesi Ouensin dhe u largua nga stadiumi. Disa evolucionistë, madje, mbështetën pikëpamjen se femrat ishin inferiore ndaj meshkujve nga pikëpamja e evolucionit.
Dr. Robert Vartenberg, profesor i shquar i neurologjisë në Kaliforni, u përpoq të vërtetonte inferioritetin e femrave duke thënë se ato nuk do të mund të mbijetonin, po mos të kishin “mbrojtjen e meshkujve”. Ai arriti në përfundimin se, për shkak se femrat që ishin më të dobta nuk eliminoheshin me shpejtësi falë kësaj mbrojtjeje, kjo sillte ngadalësim në procesin e evolucionit dhe për këtë arsye, përzgjedhja natyrore nuk vepronte aq shumë te femrat sa ç’vepronte te meshkujt. Në bazë të këtyre mendimeve, në Gjermaninë Naziste femrat ndaloheshin hapur që të ushtronin profesione të caktuara.50
Menjëherë pas zhvillimit të Darvinizmit dhe idesë së Eugjenitikës, në Gjermani, “shkencëtarët racistë” mbështetën hapur vrasjen e anëtarëve dhe segmenteve të padëshiruara të popullsisë. Një prej këtyre shkencëtarëve, Adolf Jost, “nxorri një thirrje për vrasje të drejtpërdrejtë mjekësore” në një libër të botuar në vitin 1895, “Das Recht auf den Tod” (E drejta për vdekjen). Josti ishte i mendimit se “për hir të shëndetit të organizmit shoqëror, shteti duhet të marrë përsipër vdekjen e individëve”. Adolf Jost ishte udhëheqësi shpirtëror i Hitlerit, që u shfaq në skenën politike pothuajse 30 vjet më vonë. “Shteti duhet të kujdeset që vetëm të shëndetshmit të lindin fëmijë,”- thoshte Hitleri. “Ai duhet të shpallë si të papërshtatshëm për riprodhim të gjithë ata që kanë ndonjë lloj sëmundjeje apo që kanë trashëguar ndonjë mangësi e, si rrjedhim, mund ta lënë trashëgimi te të tjerët”.51
Në bazë të një ligji të nxjerrë në vitin 1933, 350.000 njerëz me të meta mendore, 30.000 evgjitë dhe qindra fëmijë zezakë u sterilizuan me metoda të tilla si tredhja, rrezet X, injektimet dhe shoku elektrik në zonën e organeve gjinitale. Një oficer nazist, ka thënë: “Nacionalsocializmi s’është gjë tjetër, veçse biologji e vënë në jetë.”52
Përveç përpjekjeve për të përshpejtuar zhvillimin e racës gjermane me anë të vrasjes dhe politikave të pamëshirshme kundër njerëzve të pafajshëm, Hitleri po praktikonte edhe një formë tjetër të Eugjenitikës. Gra e burra bjondë e sykaltër, të pranuar si përfaqësues të racës gjermane, u inkurajuan të krijonin lidhje e të bënin fëmijë. Në 1935 “ferma” të veçanta riprodhimi u krijuan për këtë qëllim. Këto ferma, ku u vendosën vajza të reja që i plotësonin kriteret raciste, shpesh frekuentoheshin prej njësive të forcave speciale (SS). Fëmijët e jashtëligjshëm që lindnin në këto ferma rriteshin si ushtarë të mbretërisë së ardhshme gjermane njëmijë vjeçare.
redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Nostalgjia e vonuar mesjetare

2006
12.25

Shkruan: Beqir Elshani

Me të drejtë mund të thuhet se konfeksionet fetare (ortodoks dhe mysliman) e keqpërdorin fenë në dëm të emancipimit të popullit maqedonas dhe shqiptar.

Duket qartë se investimi politik dhe ekonomik ka marrë ngjyrë fetare, që i ngjan mesjetës së vonuar, prandaj grindjet fetare në të gjitha konfeksionet janë më të zëshme se asnjëherë. Lulëzimin epokal që kanë bërë rilindësit shqiptar në shekullin XIX për atdhe,me keqardhje duhet të them se ne ende nuk kemi bërë ndonjë kthesë përparimtare. Rilindësit bënë më shumë se ne për kombin dhe atdheun pa ndikime dhe pa dallime fetare. Besimtarët myslimanë në Kosovë dhe në Maqedoni veprojnë sikur të kishin qenë një kohë të gjatë të torturuar dhe të ndjekur nga politika e vetëqeverisjes Jugosllave. Nuk ka nevojë të thuhet se fetarët myslimanë askush nuk i ka prekur, përkundrazi janë dënuar dhe torturuar vetëm shqiptarët që kanë luftuar për kauzën e drejtë – Kosovën Republikë; që kanë kërkuar arsimin në gjuhën shqipe, flamurin kombëtar dhe të drejtat e tyre të barabarta me popujt tjerë në ish-Jugosllavinë Federative. Pse maqedonasit dhe shqiptarët tregohen më fetarë se gjermanët e emancipuar dhe të zhvilluar në çdo pikëpamje?!
Priftërinjtë gjermanë ankohen sesi kohët e fundit rinia gjermane po e braktisë kishën, prandaj rinia shqiptare dhe ajo maqedonase nuk mund të jenë më të mençur se gjermanët me kapital të madh shkencor e teknik, por edhe kulturor – në fushën e artit dhe letërsisë. Kohët e fundit edhe shtypi austriak njofton se gjysma e popullit austriak nuk beson në Zot, thënë konkretisht është afetar. Këtu vlen të përmendet edhe vërejtja revolucionare dhe kombëtare e udhëheqësit të “Lëvizjes Vetëvendosja”, Albin Kurti, i cili me rastin e ndërtimit të katedrales në Prishtinë deklaroi se nuk është koha të investohet në Zot, por duhet të investohet në vullnetin e popullit për vetëvendosje për shpëtimin e përjetshëm të Kosovës nga kolonizimi serb.
Vetëm shpëtimi i atdheut, liria dhe pavarësia e Kosovës së përgjakur nga pushtuesi i panënshtruar serb, mund të zgjidhë të gjitha problemet me rëndësi jetike ekonomike, sociale, gjuhësore, fetare, kulturore dhe shumë çështje tjera.
Kohët e fundit, në disa qytete shqiptare, dhe atë kryesisht në institucione arsimore, u diskutua rreth rrobave dhe mjekrës fetare. Thënë shkencërisht, nuk ka rroba fetare, ashtu siç nuk ka gjuhë fetare, sepse gjuha është më e vjetër se feja. Gjuha shqipe është ajo, që Biblën dhe Kuranin i bëri të lexohen shqip, prandaj edhe rrobat tona duhet të jenë shqiptare. Gjithashtu gjuha shqipe është ajo, që kompjuterin e bëri të përdoret në gjuhën shqipe.
Dihet që gjuha dhe tradita persiane është më e vjetër se feja islame. Jehonë bëri një mësuese me ferexhe, e cila me këmbëngulje kërkonte të mbante mësim në një shkollë fillore në Komunën e Prishtinës. Mësuesja me ferexhe shkon aq larg, saqë me këmbëngulje deklaron se kontestin gjyqësor do ta fitojë dhe gjykata do ta kthej sërish në shkollë. Është hipokrizi të tregohesh shumë fetar, thotë dijetarit ynë, Sami Frashëri. Të lejohet që mësuesja me ferexhe të mbaj mësim në shkollë, apo studenti me mjekër dhe studentja me shami të vijojnë studimet është kundërkombëtare. Në mbarë vendin pati shkrime përparimtare nga femrat e emancipuara shqiptare, që mbronin normat pedagogjike. Pikërisht mua më ka dhënë suedisht një murgeshë suedeze, mirëpo ajo ka qenë e veshur me rroba qytetare. Prandaj hapin pedagogjik të shkollës për largimin e mësueses me ferexhe duhet përkrahur edhe revistat fetare të besimit mysliman, sepse janë pjesë e kulturës dhe emancipimit kombëtar shqiptar. Veprimet fanatike mund të krijojnë përçarje kombëtare në mesin e popullit shqiptar me tri konfeksione fetare. Me të drejtë mund të thuhet se shamia (ferexheja) nuk është pjesë e kostumit tonë kombëtar, por e huaj.
Nëse një shqiptare del me ferexhe në Berlin, gjermanët do ta marrin për arabe. Prandaj ky veprim është në dëm të atdheut dhe kombit shqiptar, sepse shqiptari fanatik ndjek kulturën e huaj në dëm të kulturës kombëtare shqiptare. Nuk ka asnjë dyshim që kostumet tona janë të bukura dhe me burime autoktone shqiptare, saqë grekët dhe maqedonasit i kanë marrë prej nesh.
Asnjë valltare apo soliste nuk paraqitet në koncert me shami orientale, gjithashtu asnjë valltar apo solist nuk paraqitet me kapelë orientale, por vetëm me plis të bardhë dhe kostum të folklorit shqiptar. Dihet që folklori është i mbarë popullit shqiptar pa dallime fetare. Ka raste kur disa fanatikë (për fat të keq, të shkolluar) deklarohen se janë myslimanë shqiptarë, kështu që me anën e identitetit të skajshëm shkelin etikën kombëtare. Me të drejtë shkencore thuhet shqiptar mysliman, shqiptar ortodoks, shqiptar katolik, dhe jo e kundërta. Nuk thuhet jam mysliman kurd, katolik italian, apo ortodoks bullgar, por thuhet kurd mysliman, bullgar ortodoks, apo italian katolik. Të tillët që identifikohen fetarisht janë kozmopolitë, dhe nuk vlejnë as për fenë, as për kombin.
Standardi i ultë dhe investimi në rrugë të gabuar Menjëherë pas ndërtimit të kryqit të lartë 86 metra në Vodno, po ndërtohet edhe një tjetër kryq 30 metra i lartë. Me të drejtë qytetarët thonë se nga rrënjët e kryqit të madh mbiu i vogli. Derisa kryqi i parë i madh kushtoi 2 milionë euro, i dyti apo i vogli do të kushtojë 50 mijë euro. Kjo tregon se në Maqedoni është vonuar mesjeta e tmerrshme fetare, ndaj nxitojnë me ndërtimin e objekteve fetare. Se feja po instrumentalizohet në dobi të nacionalizmit dhe politikës sllavomaqedonase, këtë e vërtetoi edhe koordinatori special i Paktit të Stabilitetit të Evropës Juglindore, Erhard Busek. Padyshim që Buseku u nis prej Kryqit më të madh në Ballkan, i cili gjindet në maje të malit Vodno në Shkup, për të cilin theksoi: “Kryqi, të cilin para katër viteve e vendosi Kisha Ortodokse e Maqedonisë, ku ndizen të gjitha dritat mund të shihet prej një largësie prej 80 kilometrave dhe është vendosur si sinjal politik dërguar bashkësisë shqiptare, ku shumica janë myslimanë”. Për ndërtimin e egër të Kryqit madhështor në maje të malit Vodno ka shkruar edhe poeti maqedonas, Ivica Antevski, “11 arsye pse nuk duhet të vendohej kryqi në Vodno”. Prandaj dihet se kush po ecën me kohën – me trenin e Evropës Bashkëkohore drejt zhvillimit tekniko-shkencor. Po të pyetet populli i Maqedonisë, as një e katërta e tyre nuk do të pajtohej që një kiç i madh të ndërtohet në maje të malit. Këtu nuk u mor parasysh as kritika e mbrojtësve të amibientit për dëmtimin e kurorës së malit të gjelbër gjatë verës dhe të bardhë gjatë dimrit, meqë lisat dhe zogjtë nuk kanë nevojë për zhurmë dhe drita të forta. Dihet që kërkesat elementare të popullit maqedonas dhe shqiptar janë që mjetet financiare të përdoren për ndërtimin e shkollave, ambulanceve dhe rrugëve të vendit. Vendet ballkanike nuk kanë fonde të trasha si në Evropën Perëndimre, prandaj duhet rrudhur dorën.
Derisa në Shkup ndërtohen objekte fetare që përçajnë popujt, në mes Suedisë dhe Danimarkës është ndërtuar Ura e Baltikut, që lidh dy vendet për zhvillim kulturor dhe ekonomik dhe konsiderohet një ndër urat më të mëdha në Evropë.
Kjo urë, që në të kaluarën ka qenë fantazi për njerëzimin në botë, me një ceremoni madhështore është hapur më 1 korrik të vitit 2000. Ishte një përjetim i madh, sepse e tërë Skandinavia po lidhej me kontinentin e Evropës. Këtë vit ka filluar edhe ndërtimi i hekurudhës dyanësore nëntokësore në qendër të Malmes që do të lidhet me kryeqytetin danez – Kopenhagën. Përkundrazi Shkupi jo që nuk ndërton rrugët e reja, por pengon qarkullimin e trenit të Kosovës në sipërfaqen e tokës në drejtim të Shkupit.
Maqedonisë i duhet një rilindje kombëtare për të luftuar terrin e “mesjetës”
së vonuar ortodokse të mentalitetit bizantin. Qeveria maqedonase nuk duhet lejuar që qarqet e ndryshme fetare të përzihen në punët e shtetit, duhet të jenë bashkëkohor dhe të sfidojnë të vjetrën që krijon grindje. Investimi në arkitekturën fetare krijon përçarje në popull, sepse mjetet investuese nuk janë vetëm të maqedonasve ortodoksë, por edhe të shqiptarëve myslimanë.
Ndryshe me vendet e Ballkanit ku ndërtohen simbolet mesjetare, në Evropën Perëndimore ndërtohen shtatore universale që pëlqehen për të gjithë qytetarët bashkëkohorë pa dallime fetare e moshave dhe gjinive të ndryshme.
Në një park të qytetit në Malme duket një shtatore e madhe e kalit me flatra me kalorësin pranë. Krahasojeni bukurinë madhështore të shtatores së kalorësit me karakter të forcës dhe humanizmit njerëzor, kurse një tjetër shtatore e madhe me katër djem të fuqishëm me dy vasha të bukura që simbolizojnë shtimin e popullit dhe ndërtimin e vendit të tyre në Suedi. Me kureshtje të madhe i shikojnë shumë vizitorë shtatoret e skalitura nga dora e skulptorit bashkëkohor, por edhe me kënaqësi fotografohen. Përkundrazi panorama turistike me kryqin e Vodnos, do të ishte fyese për secilin evropian bashkëkohor. Derisa pranë shtatoreve të gjithanshme në qytetet e ndryshme të Evropës Perëndimore me kënaqësi fotografohen qytetarët pa dallime fetare, në Shkup do të ndodh e kundërta, vizitorët do të fyhen.
Sepse kryqi në Vodno po bëhet vrasës i vizitorit joortodoks, gjë që nuk është aspak etike. Dihet, sepse pranë kryqit në malin Vodno kurrë nuk do të fotografohen dy miq të vërtetë me besime të ndryshme fetare. Prandaj një objekt që ngrihet me motive nacionaliste për inat të kombit dhe fesë tjetër është e destinuar të zhduket. Së shpejti koha do ta tregoj se investimet në drejtim të gabuar do të falimentojnë, sepse nuk janë universale dhe bashkëkohore. Jo vetëm kaq, sepse derisa ushtria terroriste maqedonase me dhjetëra xhami i ka shkatërruar, në anën tjetër stimulohet ndërtimi objekteve ortodokse.
Më e frytshme, më përparimtare dhe më madhështore do të ishte që në qytet të ngrihej ndonjë shtatore me motive legjendare, siç është Pegasi me fletë, me të cilin kalëronin muzat, që simbolizon frymëzimin poetik. Jo vetëm kaq, sepse shtatorja e Pagasit të zgjon parafytyrimet që lidhen me të gjitha bëmat e Herakliut, Poseidonit, Orfeut etj. Kjo shtatore universale do t’i tërhiqte vizitorët e vendeve të ndryshme pa dallime kombëtare dhe fetare.
Kuptohet që skulptorët në siujdhesën ballkanike kanë motive të reja përparimtare që i bashkon të rinjtë drejt ardhmërisë së tyre të lumtur pa dallime fetare, mirëpo i detyrojnë kushtet ekonomike të merren me ndërtimin e objekteve fetare. Për dallim me fanatikët ortodoks, vetëm një zë i mekur i KOS-it është ndier që ka kundërshtuar ndërtimin e një kryqit tjetër me karakter propagandistik, përndryshe një kiç pa ndonjë vlerë estetike.
Prandaj ashtu siç vepronte inkuizicioni kishtar në mesjetë i gjithëfuqishëm dhe i pasur, bëjnë qarqet e prapambetura fetare në vendet e ndryshme të gadishullit ballkanik.
Shtypit dhe internetit shqiptar shkruante se Dibra kreshnike dhe e bukur vuan nga varfëria: nuk ka fabrika apo ndërmarrje të vogla bujqësore, që do të zbutnin papunësinë. Prandaj sa herë përmendet Dibra, më kujtohen kërkesat e forumeve shqiptare për ndihmë nga diaspora shqiptare. Besoj se edhe dibranët e dinë se nuk janë të vetmit që i ka pllakosur varfëria, por në të gjitha trojet etnike, siç thuhet me pak dallime sociale. Megjithatë më habiti lajmi në shtyp, ku shkruante se 61 dibranë morën rrugën për në Mekë.
Mendoj se ky mesazh i shkuarjes së dibranëve në Mekë e rrëzon kërkesën humanitare për ndihmë financiare. Dy ditë më parë shtypi “Fakti” shkruante se skamnorët kërkojnë ndonjë kothere bukë nëpër hedhurina të kontejnerëve, prandaj ku është humanizmi i fetarëve?! Latinët e vjetër thonë se në luftë heshtin muzat, prandaj me të drejtë mund të thuhet se në kushtet e varfërisë dhe skamjes së popullit shqiptar, duhet të mendohet për sigurimin e bukës së gojës. Jo vetëm që Dibra është e varfër, por edhe mbarë Kosova është e varfër, e rraskapitur dhe pa dritë elektrike. Dihet që parajsa më e mirë është po të sigurohet drita elektrike, që të sëmurët i shëron nëpër spitale dhe nxënësit e mësojnë më bukur abetaren shqipe, pa të cilën nuk ka ardhmëri të lumtur. A ka më mirë se të kemi dritën elektrike, siç thotë, poeti ynë i madh, Naimi Frashëri, ”që t’u ndrinj mirë e tÄ— shihni, njëri-tjatrin të njihni”.
redaksia@mitrovicapress.net