Comments Off

Ekipi Negociator premton bashkimin e Mitrovicës

2006
10.31


Mitrovicë, 31 tetor (Mitrovicapress) – Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu njëherit kryesues i Ekipit Negociator të Kosovës, ka theksuar se Kosova do të jetë e Pavarur ndërkaq Mitrovica e Bashkuar. Presidenti Sejdiu, ka folur para deputetëve të kuvendit komunal të Mitrovicës, ku pranë tyre ka veçuar rolin e komunës ne ruajtjen e stabilitetit si asnjëherë më parë. Ai ka falenderuar qytetarët për tolerancën dhe qetësinë e treguar gjatë referendumit serbë në Kosovë, duke theksuar se një referendum i tillë nuk ka rëndësi për Kosovën.
redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Të drejtat e Malësisë dhe të Çamërisë Shqiptare në rrugën e ndërkombëtarizmit

2006
10.31


BAROMETRI DIPLOMATIK
Prof.Dr.Mehdi HYSENI
1. Kosova /E para/

Kohëve të fundit në sfondin e politikës ndërkombëtare mbizotërojnë tre çështje relevante me peshë historiko-politike dhe kombëtare: (1) Zgjidhja e statusit të Kosovës, (2) Zgjidhja e statusit të Malësisë shqiptare në Mal të Zi dhe (3) Zgjidhja e statusit të Çamërisë shqiptare. E para, (Kosova) tanimë ka hyrë në fazën përfundimtare të njohjes së pavarësisë së saj (pavarësisht nga zvarritjet dhe kundërshtimet propagandistike të qeverisë serbe të Beogradit, edhe përmes referendumit, të mbajtur më 28 tetor 2006, se në asnjë formë nuk do ta njehë shtetësinë e Kosovës.
Me gjithë atë, pavarësia e Kosovës qysh tani mund të llogaritet si akt i kryer në kuptimin juridik ndërkombëtar. Në këtë vështrim, Serbia, sa më parë të jetë e mundur, duhet t’i ketë bërë përgtatitjet e saj të nevojshme diplomatike protokollare për hapjen e ambasadës së saj në Prishtinë). Pra, edhe ca ditë, Kosova do ta fitojë cilësinë e saj të subjektivitetit juridik ndërkombëtar (pavarësisht nga modelet e përkohshme juridike me karakter “kozmetik” të diplomacisë evro-amerikane karshi rujatjes së ekuilibrit të marrëdhënieve dhe interesave të tyre me Rusinë).

Realisht, Serbia dhe serbët nuk kanë asnjë arsye valide, që në stilin e simbolizmit të rremë mitologjik serbomadh (kinëse për hir të “autorësisë” së tyre mbi vjetërsinë e “djepit” dhe të “shpirtit” kishtar serb, Kosovën, në mënyrë të falsifikuar ende ta konsiderojnë si pjesë integrale të territorit serb), ta kundërshtojnë pavarësimin e Kosovës, sepse kjo kurrë nuk kanë pasur vazhdimësinë historike, as shtetërore e as kishtare serbe mbase Kosova ishte dhe është pjesë integrale e Shqipërisë Etnike. Ndërkaq, kur është fjala për mbrojtjen e pambulesë të tezës serbomadhe kishtare, se “shkrolat” dhe manastiret(siç janë: Graçanica, Deçani, Gazimestani etj.) serbe “dokumentojnë prejardhjen e Kosovës serbe”, është një falsfikat origjinal i propagandës së djajëve të zi të Kishës Ortodokse Serbe, të pseudoshkencës dhe të politikës serbomadhe mbase ato nuk figurojnë në asnjë pëllëmbë të territorit të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike, por janë themeluar në zemër të Shumadisë serbe ( Rashka, manastiret: Sopoçani, Studenica etj.), domethënë jashtë kufijve historikë, territorialë, gjeopolitikë dhe administrativë të Shqipërisë Etnike.

Pikërisht, këtë realitet mbi Kosovën shqiptare, tanimë e nxori në sipërfaqe vetë agresioni dhe gjenocidi serbomadh në Kosovë (1989-1999) i regjimit kriminel policor-ushtarak dhe parashutarak i Slobodan Milosheviqit, me ç’rast, në mënyrë të pavetëdijshme (për shkak të lakmisë shekullore për zgjerimin e territoreve të Serbisë së madhe në llogari të tokave shqiptare në Ballkan), e riaktualizoi dhe e politizoi mitin serbomadh antishqiptar. Me gjithë tragjedinë që përjetuan shqiptarët dhe Kosova, si rrjedhim i mitologjisë kishtare serbe, që shkaktoi terrorin dhe gjenocidin mbi ta, në këtë kontekst, jo vetëm se erdhi deri te zhveshja e tërësishme e mitit të rremë serb, por ai, edhe e gjeti vdekjen e tij në politizimin e politikës serbomadhe në shkallë vendore, si dhe në shkallë evropiane ndërkombëtare. Kjo vdekje e mitit serb është momentum fatlum jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë Ballkanin ngase më nuk figuron si i tillë në formën “origjinale” ngaqë “lozët e lashta” falsifkuese ia demaskoi me argumente shkencore historike, politike, antropologjike, etnologjike, etnografike etj. “A Short History of Kosovo” (1999), vepër kjo, e shkruar nga shkecëtari i mirënjohur anglez, Noel Malcolm. Me gjithë përpjekjet “korale” të boshtit politiko-kishtar-shkencor të akademikëve serbomëdhenj, që këtë vepër ta shvlerësojnë nga objektivja e argumentuar shkencore se “Kosova nuk është shqiptare, por serbe”, ata arritën efektin e kundërt, përfundimisht, para shkencës dhe politikës vendore, evropiane dhe ndërkombëtare provuan vdekjen e mitit serbomadh në Kosovë.

Varrosja e mitit serbomadh, është një sukses kolosal jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin ballkanik ngase Serbia dhe serbët më nuk kanë asnjë shans, që të shkruajnë dhe të falsfikojnë historinë e shqiptarëve dhe të popujve të tjerë joserbë, se ata janë “pjesë integrale” të Serbisë dhe të serbëve, por si shqiptarët, ashtu edhe të tjerët vetë do ta shkruajnë të vërtetën mbi identitetin e tyre historik, kombëtar dhe shtetëror.

Shembullin e doktrinës dhe të praktikës së mitit gjenocidal të Serbisë në Kosovë (nga e cila Mali i Zi u pavarësua vetëm për hir të mbrojtjes dhe të zotërimit të arkës vetjake, të zhvillimit dhe të përparimit vetjak ekonomik dhe tregtar, si dhe të vjeljes së ndihmave, kredive dhe investimeve të huaja evropiane dhe ndërkombëtare ) qeveria aktuale e Malit të Zi nuk duhet ta ndjekë, me qëllim që t’i ndëshkojë shqiptarët e Malësisë mbi bazën fizike, biologjike, politike, kombëtare, demokratike, ekonomike dhe ekzistenciale, sepse pa asnjë dyshim, do ta përjetojë të njëjtin fat tragjik dhe shkatërrimtar sikurse Serbia dhe kryekrimineli i saj i “ngordhur” Slobodan Milosheviq.

2. Malësia shqiptare e Mbishkodrës/E dyta/

Ka ardhur koha që “kollovogjët demokratë” (dikur partnerë, bashkëpjesëmarrës direktë të politikës dhe të luftës gjenocidale të regjimit shtetëror të Slobodan Milosheviqit në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë), Milo Gjukanoviq dhe Momir Bulatoviq dhe saga e tyre e apustujve serbomëdhenj, të distancohen nga politika dhe praktika e ushtrimit të terrorit gjenocid shtetëror të Serbisë ndaj shqiptarëve , dhe në vend të përdorimit të tyre, t’i hulumtojnë dhe t’i gjejnë format dhe mekanizmat e domosdoshëm përkatës, të jusitifkueshëm mbi bazën morale, politike, juridike, kushtetuese dhe demokratike, që të pajtohen me palën e dëmtuar shqiptare, duke iu njohur të gjitha të drejtat e tyre që dalin nga standardet evropiane për decentralizimin dhe rajonizimin e Malësisë shqiptare. Kjo është rruga e vetme paqësore dhe e ligjshme, që shpie në gjetjen e kompromist real politik. Ndryshe, çdo tendencë qëllimkeqe, që të pezullohet procesi i decentralizimit dhe i rajonizimit të Malësisë shqiptare, do të çojë në ripërsërtijen e gabimeve të deritashme të qeverisë së Malit të Zi, sepse shqiptarët nuk do të pranojnë assesi që të jetojnë varësi shfrytëzuese dhe tiranizuese, duke e mohuar vetëvetën, por me mjete politike dhe me rrugë paqësore, do të angazhihen maksimalisht për t’i realizuar të drejtat e tyre që iu përkasin me ligjet evropiane dhe me normat e së drejtës ndërkombëtare. Në këtë sens, qeveritarët e Malit të Zi, nuk guxojnë ta nënçmojnë veprimtarinë politike dhe diplomatike, sepse janë tejet të përgatitur dhe të mobilizuar si brenda, ashtu edhe në diasporë.

Se në çfarë stadi ka arritur pjekuria dhe rezultatet e elitës politike shqiptare të Malit të Zi në këmbënguljen e realizimit të kërkesave të drejta dhe të domosdshme të popullatës shqiptare në Mal të Zi, këtë e dëshmon edhe faza e parë e zhvillimit të kontakteve diplomatike në shkallë ndërkombëtare. Rasti konkret, Lidhja Shqiptare-Amerikane me në krye Xhozef Diagardin, si dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan nën drejtimin e Martin Vulajt, kryetar (natyrisht, në saje të iniciativës dhe të kontributit të madh të gjithmbatrshëm, të pareshtur kombëtar patriotik shumëvjeçar të diaspores së Malësisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës) këtë status të papranueshëm për shqiptarët në Mal të Zi, në formë të argumentuar dokumentuese, e kanë parashtruar edhe në qarqet politike të Kongresit amerikan, me ç’rast është konstatuar se “shqiptarët në Mal të Zi janë ndër popujt më të diskriminuar në Evropë nga aparteidi i egër sundues malazias”. Edhe kjo çasje problemit serioz të shqiptarëve në Mal të Zi, është edhe një argument më shumë për zbatimin e së drejtës ndërkombëtare në favor të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Mal të Zi, gjë që vë në dukje faktin se, ky tanimë ka hyrë në “binarët” e ndërkombëtarizimit si i tillë, pavarësisht se këtë, në mënyrë shpërfillëse duan ta anashkalojnë qarqet zyrtare të qeverisë malazeze. Mirëpo, vështruar në prizimin e realizmit politik dhe diplomatik, sensibilizimi dhe intensifikimi i çështjes së shqiptarëve të diskriminuar në Mal të Zi, tanimë është bërë objekt debatimi serioz edhe nga ana e Kongresit dhe e Senatit Amerikan. Në këtë drejtim, shquhen kongresmenët dhe senatorët :Tom Lantosh, Eliot Engel, Dana Rohrabacher, vëllezërit Karl Levin dhe Sander Levin etj.

Vendosja e bashkëpunimit dhe e kontakteve të këtilla diplomatike me qarqet zyrtare të diplomacisë amerikane vë në dukje faktin se çfarë kapaciteti influncues ka elita politike e diasporës së Malësisë shqiptare në Amerikë, përkatësisht në arenën politike ndërkombëtare. Ky fakt i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike në Mal të Zi, jo vetëm se nuk mund të injorohet, por as nuk guxon të nënçmohet nga ana e politikës dhe e diplomamcisë së Malit të Zi, ashtu siç vepronte dikur ish-kryetari i RFJ-së (Serbia+ Mali i ZI), Slobodan Milosheviq, me bindje se do ta “mashtronte” dhe do të “triumfonte” mbi strategjinë politiko-diplomatike dhe ushtarake të SHBA-ve. Mirëpo, në fund, një përçmim i tillë diletant politik i Amerikës nga ana e regjimit policor-ushtarak e Slobodan Milosheviqit, serbëve me plot të drejtë iu “shpërblye” me bomabardimin e Serbisë, për shkak të kryerjes së terrorit dhe të gjenocidit mbi shqiptarët dhe Kosovën (1989-1999). Përkundrazi, qeveria e Malit të Zi, duhet t’i marrë në konsideratë të gjitha sugjerimet dhe propozimet nga përfaqësuesit e lartë zyrtarë të administratës shtetërore (Kongresi, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve), që kanë të bëjnë me zgjidhjen e ngutshme dhe të drejtë të statusit të minoritetit shqiptar (8%) në Mal të Zi, sepse kjo është në interes të dyanshëm.

Po qe se politika qeveritare e Malit të Zi refuzon shërbimet e vullnetit të mirë të diplomacisë amerikane lidhur me përmbushjen e kërkesave legjitime dhe legale të shqiptarëve të Malësisë, s’ka dilemë se Mali i Zi, do të ballafaqohet me të njëjtat masa sanksionuese dhe izoluese nga ana e Amerikës, e Bashkimit Evropian (BE) dhe nga OKB-ja. Që të mos vijë deri te izolimi ndërkombëtar, qeveria e Malit të Zi, në mënyrë urgjente, duhet të gjejë kompromis dhe gjuhë të përbashkët me përfaqësuesit legjitimë dhe legalë politikë vendorë dhe të diasporës shqiptare në Amerikë. Çdo vonesë dhe abuzim i kërkesave të parashtruara të minoritetit shqiptar përkitazi me procesin e decentralizimit dhe të rajonizimit ekonomiko-politik, kulturor dhe territorial të Malësisë shqiptare, në fund, do t’i kushtojë shumë shtrenjtë llogaria e gabuar politike dhe juridike, nolens-volens , do të vijë në shprehje dekompozimi i arsyeshëm i territorit shtetëror artificial mbi baza etnike, secili në shtëpinë e vet. Malësia e shkëputur e mbishkodrës, do të rikthehet brenda kufijve natyrorë-historikë të territorit integrues të Shqipërisë Etnike, kurse Mali nuk do të figurojë më si shtet i pavarur, por sërish, do të jetë i detyruar që të hyjë në “një thes” me Serbinë dhe me “Republikën serbe” të BeH.

Pra, për të ruajtur integritetin territorial dhe shtetëror, Mali i Zi është i detyruar, që urgjentisht ta plotësojë kërkesën e palës shqiptare, kërkesë kjo që është në funksion të decentralizimit dhe të rajonizimit të Malësisë shqiptare në kuadrin e sovranitetit shtetëror të Malit të Zi sapo të pavarësuar nga Serbia.

3. Çamëria shqiptare (E treta)

Krahas shkallës së ndërkombëtarizimit të Malësisë shqiptare në Mal të Zi, pa dyshim mund të thuhet se edhe Çamëria shqiptare në Greqi, ka hyrë axhendën procedurale të ligjshme të ndërkombëtarizimit. Këtë konstatim tonin, e provon edhe deklarata me përmbajtje historiko-politike e kryetares së Asamblesë së Parlamentit të Evropës, Doris Pak, që “ Çamët të rikthehen në trojet e tyre”(www.alb-shkenca.org, 27.10.2006).

“Zyrtarizimi i çështjes çame për herë të parë nga ana e Parlamentit Evropian” ka rëndësi historike, për shkak se qeveria e Greqisë më nuk ka kurrfarë gjasësh teorike, as praktike, që ta heshtë moszgjidhjen e problemit të minoritetit të Çamërisë, ashtu siç parashikojnë e drejta ndërkombëtare dhe institucionet dhe organet juridike legjislative të Këshillit të Evropës, përkatësisht të Bashkimit Evropian(BE), që i referohen respektimit dhe zabtimit të drejtave dhe lirive të njeriut. Në këtë kontekst fokusohet edhe e drejta e shqiptarëve çamë që të rikthehehn në shtëpitë e tyre stërgjyshore të Çamërisë shqiptare. Tanimë përpjekjet më se 60-vjeçare të çamëve që të rikthehen në trojet e tyre të Shqipërisë Etnike, së shpejti do të bëhen realitet i vërtetë, sepse kërkesat dhe ankesat e ligjshme të veprimtarëve, të shoqatave dhe të asociacioneve të ndryshme të Çamërisë si në Tiranë, ashtu edhe në diasporë (Turqi, Amerikë, Evropë, Australi, Argjentinë etj.) nuk kanë vetëm karakter kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Si në aspektin historik, juridiko-politik dhe demokratik kjo ka peshë të veçantë, sepse shqiptarët çamë do të jenë të ndihmuar edhe nga Evropa, edhe nga Amerika, edhe nga OKB-ja, si dhe nga OSBE-ja, që të rikthen në vendlindjen e tyre atërore-Çamëri në Greqi.

Fare nuk është e rëndësishme se si do të “ndjehen emocionalisht” dhe, si pritet të reagojnë politika dhe diplomacia zyrtare greke lidhur me zyrtarizimin e çështjes çame në instancat e Parlamentit Evropian. E rëndësishmja është që ky akt ndërkombëtar nxori në shesh të pavertetën historiko-politike dhe diplomatike të qeveritarëve dhe të historianëve grekomëdhenj se “çështja çame është inekzistente”(!?)

Ky hap i zyrtarizimit ndërkombëtar i çështjes çame nga ana e Parlamentit Evropian, si dhe i ngritjes së çështjes së Malësisë shqiptare në Mal të Zi, në planin gjithëkombëtar shqiptar, do thotë se, tanimë as Tirana nuk mund të qëndrojë më pasive dhe indiferente as ndaj zgjidhjes së çështjes së minoritetit çam, as ndaj zgjidhjes së statusit të minoritetit shqiptar në Mal të Zi, pavarësisht nga llogaritë dështuese dhe, përfitimet lukrative të deritashme të politikës dhe të diplomacisë së rezervuar ekonomiko-tregtare të Shqipërisë demokratike(1990-2006) ndaj çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan.

Faza fillestare e ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare me status minoriteti në Mal të Zi dhe në Greqi, është faktor i rëndësishëm për arritjen e kompromisit politik ndërmjet shqiptarëve, grekëve dhe malazezëve. Për më tepër, ky është faktor garantues me interes reciprok, edhe për realizimin e të drejatve minoritare greke, serbe, malazeze në trojet e Shqipërisë Etnike në Ballkan. Pra, zbatimi i parimit të reciprocitetit universal juridik ndërkombëtar ndaj pakicave kombëtare të theksuara, do të ndikojë pozitivisht në krijimin, në ruajtjen, në zhvillimin, në stabilitetin dhe në sigurinë e shteteve multietnike, pluraliste dhe demokratike në Ballkan.
redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Tentim vrasje në Vushtrri

2006
10.31

Vushtrri, 31 tetor (Mitrovicapress) – Rreth orës 17:47 stacioni morri një thirrje nga emergjenca e spitalit, me të cilën njoftohej se një viktim e një therjeje me thikë është duke u trajtuar atje.
Hetuesitë mësuan se dy mashkuj, të moshave 23 e 24 vjeçare, u përfshinë në një grindje me disa mashkuj tjerë, në inernet-kafenë Prestige, çka rezultoi me therrjen e njërit prej tyre dhe lëndimin në gojë të tjetrit. Pasi që u trajtuan në spital, që të dy u transferuan në spitalin e Prishtinës.
Njëri nga të dyshimtit është arrestuar dhe policia është në kërkim të të tjerëve, njofton zyra për informim pranë SHPK-së.
redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Diskutohet projekti i vitit 2007

2006
10.31

Prishtinë, 31 tetor (Mitrovicapress) – Ministria e Ekonomisë dhe e Financave ka bërë të ditur se buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë rreth 717. 5 milionë euro. Vlerësimet për shpenzimet në këtë lartësi tejkalojnë nivelin e buxhetit të vitit 2006, për 17 milionë euro, apo 2 për qind. Mirëpo ministri Haki Shatri ka pohuar se këto projeksione të të hyrave dhe shpenzimeve mund të ndryshojnë deri në ditën e miratimit.
Ajo që mund te konstatohet është se ka përmirësim në skemën e mbledhjes së të hyrave, që këtë vit e tejkalon për 55 milionë atë të vitit 2006.
Në dokumentin e Projektbuxhetit për vitin e ardhshëm janë dhënë skemat buxhetore lidhur me vlerësimet paraprake për shpenzimet operacionale dhe ato kapitale. Hartuesit e projektbuxhetit kanë pohuar në takimin e sotëm se kanë pasur parasysh projektet prioritare të Qeverisë. Buxheti i vitit 2007, përveç rritjes së investimeve në infrastrukturë dhe shëndetësi, parashikon rritje në shifra edhe në strategjinë “Tri E”: sektori i edukimit, energjisë dhe ekonomisë.
Në takimin e sotëm u tha se do të shqyrtohen vërejtjet dhe plotësimet e propozuara dhe Qeveria pritet të premten (më 3 nentor) ta miratojë projektin e buxhetit, i cili do t’i kalohet Këshillit Ekonomik Fiskal dhe pastaj sipas ligjit mbi menaxhimin e financave publike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për aprovim.
redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Kuvendi i Shqipërisë kërkon rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste

2006
10.31

tiranafoto Kuvendi i Shqipërisë kërkon rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste

Rezolutë

Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri

1. Kuvendi i Shqipërisë u referohet rezolutave të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe konkretisht Rezolutës 1096 (1996) “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, Rezolutes 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” si dhe vendimeve të Konventës së Parë Kombëtare të Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Përndjekurve Politikë dhe Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit të të Mbijetuarve të Torturës “Për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri”, datë 12.05.2006.

2. Regjimi totalitar komunist i Enver Hoxhës dhe klikës së tij, që qeverisi Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990, u karakterizua nga: dhunimi masiv i të Drejtave të Njeriut, vrasjet dhe ekzekutimet individuale dhe kolektive (me dhe pa gjyq), vdekjet në kampet e përqëndrimit, vdekjet nga uria, torturat, dëbimet, puna skllavëruese, terrori fizik dhe psikologjik, genocidi për shkak të origjinës politike apo trashëgimisë së pronës si dhe dhunime të lirisë së ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes, lirisë së shtypit, lirisë së besimit fetar dhe lirisë së pluralizmit politik.

3. Partitë që juridikisht trashëguan strukturat, anëtarësinë dhe pronat e PPSH-së, nuk kanë shprehur deri më sot vullnetin për t’u distancuar nga regjimi totalitar komunist, nga “lufta e klasave” dhe “diktatura e proletariatit”, si dhe krimet e Enver Hoxhës dhe klikës së tij.

4. Rënia e regjimit komunist në Shqipëri nuk u pasua me një hetim të krimeve të kryera prej tij, aq më tepër që autorët e këtyre krimeve nuk u përballën asnjëherë seriozisht me drejtësinë dhe nuk u kërkuan falje publike viktimave të genocidit komunist.

5. Rrjedhimisht, ndërgjegjësimi i opinionit publik shqiptar, sidomos i brezit të ri, për krimet çnjerëzore të kryera nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës është mjaft i dobët.

6. Kuvendi i Shqipërisë shpreh bindjen se njohja dhe denoncimi i krimeve të diktaturës komuniste i shërben shmangies së përsëritjes së krimeve të ngjashme në të ardhmen. Ndëshkimi i krimeve të kryera dhe rivlerësimi real i historisë luan një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj.

7. Kuvendi i Shqipërisë dënon fuqimisht dhunimin masiv të të Drejtave të Njeriut, të kryer nga regjimi totalitar komunist i Enver Hoxhës dhe klikës së tij.

8. Kuvendi i Shqipërisë dënon diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore, që çoi në izolimin dhe varfërimin e tejskajshëm të Shqipërise, dhe kërkon heqjen e të gjithë titujve dhe dekoratave të dhëna atij e bashkëpunëtorëve të tij nga regjimi komunist.

9. Kuvendi i Shqipërisë kërkon rishikimin e datave simbol të sistemit komunist, që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore.

10. Kuvendi i Shqipërisë kërkon bërjen publike të të gjitha dokumenteve që dëshmojnë krimet e regjimit komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si, Sigurimi i Shtetit, prokuroritë, gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve.

11. Kuvendi i Shqipërisë kërkon hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike, qendrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara.

12. Kuvendi i Shqipërisë fton partitë komuniste dhe post-komuniste në Shqipëri që të rikonsiderojnë historinë e komunizmit dhe të kaluarën e tyre, të distancohen qartësisht nga krimet e kryera nga regjimi komunist dhe diktatori Enver Hoxha, duke i dënuar ato pa asnjë mëdyshje.

13. Kuvendi i Shqipërisë fton akademikët, historianët dhe ekspertët e pavarur që t’i intensifikojnë kërkimet e tyre për përcaktimin dhe verifikimin objektiv të historisë së Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste.

14. Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se viktimat e krimeve të regjimit totalitar komunist si dhe familjet e tyre, meritojnë respekt dhe mirëkuptim për vuajtjet e tyre, si dhe mirënjohje për qëndresën e tyre ndaj diktaturës.

15. Kuvendi i Shqipërisë mbështet hartimin e një strategjie kombëtare për eliminimin e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor në Shqipëri dhe fton institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur me statusin e të përndjekurve politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë, si dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike.

16. Kuvendi i Shqipërisë nxit fillimin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste, duke përfshirë rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve, përfshirë edhe kthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar.

17. Kuvendi i Shqipërisë mbështet organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste.

Comments Off

Alarm i ri për ngrohjen globale

2006
10.31

BBC
Frika se ngrohja globale mund të sjellë pasoja të pariparueshme për njerëzimin nëse vendim-marrësit nuk përballen me të urgjentisht është temë kryesore në gazetat britanike këtë mëngjes.
Gazeta e njohur financiare FINANCIAL TIMES shkruan në një lajm në faqe të parë se kryeministri britanik Tony Blair pritet të fillojë një fushatë të re ndërkombëtare për të arritur një marrëveshje që të pasojë Protokollin e Kiotos që skadon në vitn 2012, pas publikimit të raportit të qeverisë për ngrohjen globale.

“Synimi është,” shkruan gazeta, “që të arrihet një marrëveshje që mund të vendosë objektiva të detyrueshme për emetimet e karbonit.”

“Në një ndryshim qasjeje në politikat e mjedisit,” shkruan gazeta, “kryeministri do të përpiqet t’i japë jetë të re bisedimeve që janë bllokuar për një parrëveshje të pas-Kiotos, me shpresën se presidenti amerikan Bush mund të mbështesë propozimet për një treg ‘me kufizime dhe tregëtim’ për karbonin.”

“Britania do të nxisë një marrëveshje për klimën globale deri në vitin 2008″, shkruan një titull i madh në faqe të parë në gazetën THE GUARDIAN.

Gazeta shkruan se kryeministri Blair do t’i bëjë presion kancelares gjermane Angela Merkel për ta vënë nevojën e bashkëpunimit ndërkombëtar për ndryshimin e klimës në zemër të presidencës gjemane të G8-s që fillon në janar.

Dawning Street-i thotë se kryeministri dëshiron një kuadër të ri që të përfshijë objektiva për stabilizimin e emetimeve të CO2-shit, një skemë globale për të vënë kufizime dhe tregëtuar emetimet e karbonit, ngritjen e një fondi global investimesh për teknologji të reja pro-mjedisit, si dhe marrjen e masave kundër shpyllëzimit.

Gazeta THE INDEPENDENT boton në faqe të parë një foto të madhe ndriçuese të diellit nën titullin e madh “Dita që ndryshoi klimën”.

Numri i sotëm i gazetës i kushtohet gati tërësisht çështjeve të ndryshimit të klimës globale duke theksuar se është arritur në një pikë kthese në luftën kundër ngrohjes globale.

Gazeta thotë se raporti i fundit për ngrohjen globale ka hedhur poshtë edhe justifikimin më të fundit për të mos bërë asgjë për këtë çështje.

Gazeta vë në dukje se raporti nuk është shkruar nga një veprimtar i grupit Greenpeace.

“Raporti është shkruar nga një prej ish-ekonomistëve më të lartë të një prej institucioneve më të shquara të kapitalizmit, Bankës Botërore, sir Nicholas Stern.”

Gazeta thotë se me raportin e tij Stern ka shkatërruar edhe argumentin e fundit kundërshtues ndaj veprimit për ngrohjen globale – argumentin ekonomik.

“Nëse kundërshton veprimin tani,” shkruan gazeta në një shkrim editorial, “thjesht po fusni kokën në rërë”.

Comments Off

Pheniani pranon të kthehet në bisedime

2006
10.31

BBC - Korea e Veriut ka rënë dakord të kthehet në negociatat gjashtëpalëshe që synojnë t’i japin fund programit të saj bërthamor.
Ky njoftim u bë pas takimit që kryenegociatori amerikan në këto bisedime, Christopher Hill, zhvilloi me zyrtarë koreanoveriorë në Pekin për herë të parë që kur Korea e Veriut kreu një provë bërthamore muajin e kaluar.
Zoti Hill i tha BBC-së se Uashingtoni vazhdon të insistonjë se Pheniani duhet ta zbatojë marrëveshjen e arritur para një viti.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Korea e Veriut ra dakord të heqë dorë nga programi bërthamor në këmbim të garancive ekonomike dhe teknologjisë bërthamore për qëllime civile.
Presidenti Bush e përshëndeti këtë hap të Koresë së Veriut dhe falenderoi Kinën për ndihmën që dha.
Ende nuk është e qartë se çfarë ndikoi në zhbllokimin e bisedimeve.
Korea e Veriut i ka bojkotuar bisedimet gjashtëpalëshe që prej afro një viti.
Pheniani u largua nga negociatat pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione financiare mbi regjimin stalinist koreanoverior.
Muajin e kaluar kriza u thellua edhe më shumë pas provës së parë bërthamore të Koresë së Veriut.
Që prej atij momenti Kina ka zhvilluar një aktivitet të dendur diplomatik për të riaktivizuar bisedimet.

Comments Off

Hidhet në ajër vetura e Miomir Dashiqit

2006
10.30

Mitrovicë, 30 tetor (Mitrovicapress) -Nëprmjet një kumtese për shtyp e lëshuar nga Ministria e Komunitetit për kthim, është njoftuar se është hedhur në ajër automjei i këshilltarit të Minsitrit për Komunitete dhe Kthim, Sllavisha Petkoviqit, Miomir Dashiqit, i cili është i njohur edhe si trajner i Klubit Basketbollistik Bambi,
Rasti ka ndodhur të shtunën në ora 04:00 në rrugën “Knjaz Millosh” në Zveçan
MKK-ja ka denuar ashpër ndja akteve terroriste, duke përkujatar se raste të tilla kanë qenë të shpeshta në Veriun e Kosovës, përderisa nga organet e rendit kanë kërkuar zbulimin e rastit dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.
redaksia@mitrovicapress.net