Comments Off

Situata në Mitrovicë e qetë

2006
08.31

Mitrovicë – Kryetari i Kuvendit të Komunës, Mursel Ibrahimi, me bashkëpunëtorë, ka patur një takim me komandantin e Njësisë Vepruese Shumëkombëshe të Veriut (TFSHKV), Jean Jasques Bart, me të cilin ka biseduar për gjendjen e sigurisë në komunë, pas incidenteve të fundit që kanë ndodhur në veri të qytetit.
Kryetari i Kuvendit të Komunës, Mursel Ibrahimi, e ka njoftuar gjeneralin Bart, se udhëheqja komunale i ka dënuar incidentet e fundit, duke thënë se incidentet e tilla dëmtojnë raportet e relaksuara kohëve të fundit midis komuniteteve dhe sidomos përpjekjet e vazhdueshme të pushtetit lokal, por edhe të institucioneve në nivel të vendit, për përmbushjen e standardeve, procesin për zgjidhjen e çështjes së Mitrovicës dhe të përcaktimit të statusit të vendit.
Kryetari Ibrahimi ka thënë se në komunën e Mitrovicës pas incidenteve situata e përgjithshme duket të jetë e qetë por ndjeshme, gjë që kërkon syçeltësi maksimale, angazhim, mobilizim dhe bashkëpunim të ndërsjellë të Kuvendit të Komunës, KFOR-it, policisë së UNMIK-ut, SHPK-së, me qëllim që të parandalohen incidentet e mundshme.
Me këtë rast, kryetari Ibrahimi i ka thënë gjeneralit Bart se nuk është mirë që ura kryesore mbi lumin Ibër të mbahet e mbyllur, duke penguar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve.
Kryetari Ibrahimi është shprehur se edhe për pjestarët e komunitetit serb është më mirë që ura të jetë e hapur, natyrisht se ajo do të mbikqyrej edhe për një kohë nga kompetentët për siguri, për t’ua bërë kështu me dije atyre se për ta përkujdesen dhe ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme KFOR-i, SHPK-ja dhe policia e UNMIK-ut, dhe se nuk ka nevojë për kurrfarë force tjetër mbrojtëse.
Kryetari i Kuvendit të Komunës, Mursel Ibrahimi, i ka thënë gjenerali Bart se Kuvendi i Komuëns është i përkushtuar për të krijuar një ambient të qetë, duke respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, duke kërkuar njëkohësisht nga të gjithë qytetarët që t’i respektojnë rendin dhe ligjin, ngase kjo është për të mirën e të gjithëve.
Komandanti i Njësisë Vepruese Shumëkombëshe të Veriut, Jean Jasques Bart, pasi që ka shprehur keqardhje për incidentet e fundit, ka thënë se ato nuk pasqyrojnë gjendjen e përgjithshme të sigurisë në komunën e Mitrovicës, pasi që situata, si në pjesën jugore, ashtu edhe në atë veriore, është e qetë.
Gjenerali Bart e ka njoftuar udhëheqjen komunale se TFSHKV, ka shtuar numrin e patrullimeve, sidomos në lagjet që janë të banuara me popullatë të përzier, si bie fjala në “Lagjen e Boshnjakëve”, lagjen “Kodra e Minatorëve”, etj., duke shtuar se, sipas raporteve që ka nga terreni, atje situata paraqitet të jetë shumë e mirë dhe se ushtarët e TFSHKV-së do të jenë gjithnjë vigjilentë për të mbajtur gjendjen nën kontrollë.
Duke folur lidhur me gjendjen aktuale përreth urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila është mbyllur për qarkullim pas incidenteve të fundit, gjenerali Bart ka thënë se nuk e di saktësisht kur do të hapet ura, ngase vendimi për hapjen e saj nuk varet nga ai, por nga gjendja faktike në terren dhe faktorët tjerë, por ka shprehur bindjen e tij se hapja sa më e shpejtë e saj, do të ishte më mirë dhe do të kthente normalitetin në qytet.
Gjatë fjalës së tij, komandanti i Njësisë Vepruese Shumëkombëshe të Veriut, Jean Jasques Bart, e ka njoftuar udhëheqjen komunale edhe për largimin e shpejtë nga kazerma e qytetit të ushtarëve maroken, të cilët aty deri tash kanë ofruar shërbime shëndetësore për qytetarët e rajonit të Mitrovicës dhe më gjerë. Ai ka shprehur mendimin e tij se do të ishte mirë që ato objekte të shfrytëzohen për qëllime të njejta edhe në të ardhmen, duke bërë të ditur se një organizatë franceze ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar me paisje spitalore.
Bashkëbiseduesit janë dakorduar që bashkëpunimi i mirë në mes të Kuvendit të Komunës dhe TFSHKV-së, të vazhdojë edhe në të ardhmen, në mënyrë që të krijohet ambient i sigurtë për të gjithë qytetarët dhe në tërë territorin e komunës, me çka atyre do t’u ofroheshin kushte sa më normale për jetë të qetë dhe të pabrenga, njofton zpm kk.
redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit për transportin humanitar nga UNMIK-u në institucionet e Kosovës

2006
08.31

Prishtinë – Sot është nënshkruar Memorandumi i mirëkuptimit për transferin e përgjegjësive të transportit humanitar nga UNMIK-ut në institucionet e Kosovës. Në praninë e kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku dhe zëvendës kryeadministratorit Steven Schook, këtë dokument e kanë nënshkruar ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT) Qemail Ahmeti dhe Patricia Waring, udhëheqëse e Departamentit të Administratës Civile në UNMIK.
Ministri Qemajl Ahmeti pas ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit, ka pohuar se ky është një hap përpara në fushën e bartjes së kompetencave të përgjegjësive nga institucionet e UNMIK-ut, në institucionet tona qeverisëse, duke shtuar se është ky një sukses i Qeverisë së Kosovës, por edhe institucioneve të UNMIK-ut në fushën e bartjes së kompetencave. Ministri Ahmeti ka falënderuar znj.Patricia dhe UNMIK-un për angazhimin lidhur me realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për Kosovën, i cili do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2007.
“Me këtë marrëveshje që e nënshkruam sot, ne plotësuam edhe një standard që është kërkesë në kuadër të 13 pikave të kërkuara nga Grupi i Kontaktit”, ka nënvizuar ministri Qemajl Ahmeti.
Ndërkaq, udhëheqësja e Departamentit të Administratës Civile në UNMIK, Patricia Waring, ka pohuar së UNMIK-u ka punuar në projektin e transportit humanitar që nga viti 2001, kurse nga viti i ardhshëm kjo është përgjegjësi e institucioneve kosovare.
Sipas saj institucionet e Kosovës janë mjaft të fuqishme dhe të përkushtuara që të marrin përsipër kompetencat mbi këtë çështje me rëndësi, siç është transporti humanitar për komunitetet minoritare. “Besoj që ky shërbim që do t’u ofrohet minoriteteve të Kosovës, do të jetë në nivel dhe presim që të punojmë për këtë edhe gjatë muajve të ardhshëm”, pohoi Patricia Waring, njofton zpm kk.
info@mitrovicapres.net

Comments Off

Mitrovica dhe Kunji i Nastradinit

2006
08.31

Shkruan Shaqir SHAQIRI
Ç’është kunji i Nastradinit tregon më së miri gojëdhëna popullore shqiptare. Pronari që e hodhi nga shtëpia në rrugë Nastradinin, bën një marrëveshje dhe i lejoi Nastradinit që në dhomën e tij të linte një kunj. Kjo marrëveshje i jepte mundësi Nastradinit që të futej në shtëpi deri te kunji i tij në çdo kohë dhe i krijoi aq probleme e pasiguri sa që marrëveshja e detyroi pronarin e shtëpisë të lëshojë pronën e vet.
Mitrovica është apo nuk është kunji i Nastradinit? Për hir të politikave diskriminuese pozitive, bashkësia ndërkombëtare po i lejon Serbisë veprimin në një pjesë të Kosovës, tamam si kunji i Nastradinit, dhe se për hir të politikave të tilla Serbia me mekanizmin e saj veprues destruktiv, përmes kunjit të saj që ua la në veri të Kosovës (edhe në Mitrovicë), po futet në Kosovë sa herë që do dhe kurdo që do, gjithnjë sipas nevojave dhe situatave të krijuara në Kosovë dhe rreth saj.
Edhe kësaj radhe, përmes Mitrovicës dhe kafenesë “Dolçe Vita” kryhet një veprim mbështetës i politikës beogradase gjoja për dhunën e shqiptarëve ndaj serbëve, tendenca për të dëshmuar për paaftësinë e institucioneve vendore e ndërkombëtare për ruajtjen e sigurisë dhe krejt në fund ngadalësimin dhe pengimin e procesit të pavarësisë së Kosovës. Shqiptarët tashmë e kanë të qartë qëllimin politik të Beogradit dhe se veprimet e tilla i kanë paguar shtrenjtë. Por edhe një gjë është e qartë, se shqiptarët nuk i kryen këto veprime.
Deklarimi i politikanëve se “ekseset e tilla dëmtojnë procesit e Kosovës” është deklarim i njëanshëm, tendencioz dhe ndjellakeq. Është një deklarimin i pseudo-politikanëve që mjerisht sot kanë mundësinë e paraqitjes në emër të institucionit dhe në emër të popullit. Dëmtimi i procesit të Kosovës është një goditje që u drejtohet shqiptarëve dhe se, sipas praktikës së deritanishëm, serbët deri më tani nuk kanë dhënë asnjë kontribut për mbarëvajtjen e procesit. Përkundrazi, politika e tyre ka qenë e drejtuar për të dëmtuar procesin, duke e penguar e shantazhuar në forma të ndryshme dhe, përmes Beogradit duke qenë edhe injorues e mospërfillës edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare.
Ekseset e tilla nuk duhet ta dëmtojnë procesin e pavarësisë së Kosovës. Duhet që të gjithë ta kuptojnë, pra edhe serbët e Kosovës, edhe Beogradi e Serbia si shtet fqinj, se pavarësisht akteve dhe inskenimeve të tilla e qyqare, procesi i pavarësimit të Kosovës nuk ndalet. Kosova do të jetë një shtet i pavarur e sovran, proces që do të sfidojë e fitojë mbi të gjitha shantazhet dhe shantazhistët që e rrethojnë dhe e sulmojnë. Sa më herët që do të kuptohet, aq më mirë do të jetë, jo vetëm për banorët e Kosovës por edhe për shtetet fqinje të saj.
Ekseset e tilla, pa mëdyshje se e dëmtojnë rëndë imazhin dhe perspektivën e Kosovës, goditje që do të jetë e drejtuar kundër të gjithë banorëve të saj. Prandaj jo vetëm shqiptarët, por për ardhmërinë e Kosovës duhet të përkujdesen të gjithë qytetarët e saj, sepse në rend të parë kjo është për të mirën e tyre. Qytetarë të Kosovës janë të gjithë, si shqiptarët ashtu edhe minoritetet tjera, serb, turq, boshnjak, ashkali e të tjerë.. Për ardhmërinë, perspektivën e saj, duhet të përkujdesen edhe shtetet fqinje, sepse destabilizimi i Kosovës është rrezik permanent edhe për vendet tjera. Kosova stabile do të jetë një element i fuqishëm stabilizues i rajonit dhe se kjo politikë është inkurajuese edhe për vetë Serbinë.
Serbia duhet ta kuptojë se me një politikë të tillë nuk i ndihmon dot serbët e Kosovës. Ajo është duke i futur në rrugë pa krye, është duke manipuluar me perspektivën e tyre (jo të Kosovës) vetëm për të qëndruar akoma pranë politikës së tyre, se Kosova është pjesë e saj, se Kosova nuk mund të vetëqeveriset, se në Kosovë veprojnë ekstremistët shqiptarë dhe të tjera etiketime. Tani si edhe herëve tjera, përsëri Serbia (mekanizmi i saj veprues destruktiv në Kosovë) dhe politikanët e saj në skenë për të goditur Kosovën, për të shtyrë aq sa mundet zgjidhja e statutit përfundimtar dhe për të zgjatur një shpresë të rreme për serbët e Kosovës.
Krimi është krim dhe si i tillë duhet të luftohet. Mos luftimi i krimit dhe devijimi i luftës ndaj krimit është i barabartë me krimin dhe kriminelin. Sipas vetëparaqitjeve publike, Beogradi po e fsheh dhe po e mbështet krimin. Politikanët shqiptarë, për hir të politikave diskriminuese pozitive ndaj serbëve, në paraqitjet e tyre po fasadojnë realitetin. Shqiptarët kurrë në historinë e tyre, edhe gjatë luftës së lavdishme çlirimtare të UÇK-së nuk kanë vepruar kundër njerëzve të paarmatosur. Nuk janë duke vepruar as tani. Shqiptarët nuk kanë frikë të bashkëjetojnë në Kosovën e re, si shtet të pavarur dhe sovran, më të gjithë të minoritetet që jetojnë këtu. Laramania etnike minoritare duhet të kuptohet si hijeshi e Kosovës dhe jo si rrezik i saj. Por “pronari” i Kosovës duhet ta heqë kunjin e Serbisë nga Kosova e jo për të vënë kunja të tjerë e me lidhje vertikale me Beogradin, përndryshe do të pësohet njëjtë si pronari i shtëpisë për shkak të kunjit të Nastradinit.
redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Virus Fashizmus

2006
08.31

Shkruan: Dr. Milazim Krasniqi

Reagimet e furishme dhe arrogante që u lancuan këto ditë nga Serbia kundër emisarit Marti Ahtisari, kanë mesazhe shumë më largvajtëse se sa duket në shikim të parë.

Deklarata e Marti Ahtisarit sipas të cilës me rastin e përcaktimit të statusit të Kosovës duhet të mirret para sysh politika e Millosheviqit dhe se populli serb është përgjegjës për të, u shfrytëzua vetëm si pretekst për shfryrjet e reja të nacionalizmit serbomadh. Retorika e njëjtë e qeveritarëve, e opozitës, e shumicës së mediave dhe e drejtuesve të Kishës Ortodokse Serbe, zbulon qartë se virusi i Serbisë millosheviqiane është aktivë dhe me virulencë të lartë. Në të vërtetë, as që mund të ndodhte ndryshe, kur dihet se qeveria e Serbisë mbahet në këmbë nga votat e Partisë Socialiste, kryetar i së cilës deri në vdekjen e tij, ka qenë vetë Sllobodan Millosheviqi. Pra, partia e Millosheviqit është në të njëjtën kohë edhe mbështetëse e qeverisë së Koshtunicës, edhe partner i Partisë Radikale të Sheshelit në opozitë! Kjo skemë e politikëbërjes në Beograd, ku trashëgimtarët ideologjikë dhe politikë të Milloshevqit, e luajnë rolin e zholit, tregon se atje nuk ka ndodhur demillosheviqizimi, përkatësisht denacifikimi i politikës. Përkundrazi, janë ruajtur të gjitha strukturat e regjimit të Millosheviqit, që nga oligarkia financiare e deri te formacionet terroriste. Është ruajtur edhe partneriteti ndërmjet shtetit dhe kishës serbe, për të bërë bashkë politikat hegjemoniste dhe imperialiste. Është ruajtur me shumë sukses edhe linja e refuzimit të bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës, përkatësisht tallja me këtë institucion të OKB-ë. Në fund të fundit, është ruajtur privilegji që në krye të qeverisë së Serbisë të jetë një paramilitar serb, sikundër është Vojisllav Koshtunica, i cili në kohën e spastrimit etnik dhe të gjenocidit serb kundër shqiptarëve të Kosovës, pozonte para fotoreporterëve me kallashnjov në dorë. Poashtu, ministër i jashtëm i Serbisë është Vuk Drashkoviqi, i cili në kohën e konfliktit të Serbisë me NATO-n, ka qenë zëvendës kryeministër i qeverisë.
Kur dihet se kryetar i Partisë Radikale ende mbetet Vojisllav Shesheli, kur dihet se strategët e gjenocidit kundër boshnjakëve, Radovan Karaxhiqi dhe Ratko Mlladiqi ende janë në liri, bëhet krejt e qartë se jo vetëm ideologjia, po edhe strukturat e fashizmit të Millosheviqit kanë mbetur të paprekura. Prandaj, nuk ka pse çuditet askush nga zjarrmia më e re nacionaliste që ka shpërthyer si një kolerë në Beograd, kundë rnjë deklarate krejt normale të Marti Ahtisarit.
Më së paku mund të jetë i habitur vetë Marti Ahtisari. Edhe pse me një karrierë brilante të shtetarit dhe të diplomatit, ai ka bërë gabime të rënda në punën e tij të deritashsme si ndërmjetës. Gabimi i parë është se e ka involvuar Beogradin si palë dhe si partner, për ta vendosur statusin e Kosovës. Kjo nuk do të ishte krejt normale edhe sikur në Serbi të kishte ndodhur distancimi i vërtetë nga trashëgimia e Millosheviqit, e lëre më në kushtet kur kjo nuk ka ndodhur aspak. Situata do të ishte e ngjashme sikur për të ardhmen e Polonisë, pas Luftës së Dytë Botërore, të negocohej me trashëgimtarët e Hitlerit. Prandaj, fjalët e Ahtisarit për përgjegjësinë serbe, nuk janë marrë para sysh as prej vetë atij gjatë procesit të deriatshëm të negociatave, gjë që tregon për një jokonsekuencë në punën e tij. Bile, ka indikacione, që deklarata e tij e dhënë në Prishtinë, më shumë është bërë për të qetësuar shqiptarët, pas lëshimeve të rënda që janë detyruar të bëjnë në pazare me të për decentralizmin mbi baza etnike. Gabimi i dytë i rëndë i Marti Ahtisarit është se e ka ndarë çështjen e decentralizimit nga statusi dhe në atë mënyrë e ka stimuluar nacionalizmin serbomadh, që të provojë të zhvatë sa më shumë nga toka e Kosovës. Nëse do të kushëtëzohej decentralizimi me pavarësinë sipas një formule “decentralizim për pavarësi”, krejt procesi do të shkonte ndryshe dhe nuk do të kishte fare nevojë Ahtisari ta përkujtonte Beogradin dhe popullin serb për përgjegjësinë kolektive për gjenocidin kundër shqiptarëve të Kosovës.
Ata do të paguanin pasojat në procesin e pavarësimit të Kosovës.
Por, Ahtisari është vetëm një ndërmjetës i mandatuar për ta udhëhequr procesin, ndërsa kriteret i ka bërë Grupi i Kontaktit dhe i ka miratuar OKB-ja, e pas saj edhe Bashkimi Europian, OSBE-ja, NATO-ja, etj. Prandaj, fajësia e vërtetë për arrogancën e Beogradit në këtë proces negociator, i përket Grupit të Kontaktit dhe organizatave të tjera, që kanë promovuar një kurs skajshmërisht tolerant ndaj Beogradit. Minimumi që është dashur të kërkojnë do të ishte kërkesa që të mos jetë kryeministër i Serbisë një paramilitar, sikundër është Vojisllav Koshtunica. E nëse kjo nuk do të përfillej, atëherë një kryeministër i tillë nuk do të bëhej partner në negociata për të ardhmen e Kosovës. Megjithatë, komuniteti ndërkombëtar ende ka kohë për të bërë disa korrigjime në strategjinë e vet. E para, nëse Beogradi kushtëzon bisedimet me largimin e Marti Ahtisarit, duhet të kushtëzohet edhe largimi i Koshtunicës dhe i Drashkoviqit. E dyta, duhet të ndërlidhet decentralizimi me statusin e Kosovës, sipas formulës “decentralizim për pavarësi”. E treta, duhet të jipet mesazh i qartë nga komuniteti ndërkombëtar se mund të njihet pavarësia e Kosovës, edhe pa finalizimin e negociatave, nëse Beogradi tërhiqet nga procesi negociator, me pretekste si kërkesa më e re e tyre për largimin e Marti Ahtisarit nga drejtimi i ngociatave.
Kushdo që i përcjellë zhvillimet politike në Serbi, e ndjen se kohëve të fundit atje ka një rritje të nacionalizmit, gjë që është e ndërlidhur me ngjalljen e apetiteve për riokupimin e Kosovës, me ndihmën e procesit negociator. Krijimi i një zingjiri të komunave të reja serbe, veshja e tyre me kompetenca që më shumë i ngjajnë një entiteti politik se sa një pushteti lokal dhe fshehja e fakteve për ekzistimin e strukturave paralele, kanë krijuar ambientin e përshtatshëm për shpërthimin e sërishëm të epidemisë së shkaktuar nga virusi i nacionalizmit dhe fashizmit serbomadh. Por, strategët e këtij procesi, duke përfshirë këtu edhe Marti Ahtisarin, nuk po i llogarisin mirë pasojat që mund të prodhojë kjo epidemi. Në këtë aspekt ka elemente të një përsëritshmërie të vlerësimeve të gabueshme, si ato që u bënë në vitin 1989, kur shpërtheu epidemia e nacionalizmit dhe e fashizmit serbomadh në mitingun që u mbajt në Gazimestan. Po t’i thyhej atëherë kurrizi nacionalizmit dhe fashizmit serbomadh, tërë historia e ish Jugosllavisë dhe e Ballkanit do të merrte një drejtim tjetër, më fatlumë.
Për të mos hyrë në një cikël të ri të dhunës, është koha e fundit që nacionalizmit dhe fashizmit serb t’u tregohet se ku e kanë vendin- në plehërat e historisë. Pavarësia e shpejtë e Kosovës është mënyra më e mirë për t’ia dhënë biletën njëkahëshe në atë drejtim. Ka mundësi që këtë gjë, i pari ta kuptojë kryenegociatori Marti Ahtisari, i cili po i ekspozohet direkt asaj ideologjie agresive, e cila mund të emërtohet edhe si “virus fashizmus”.
info@mitrovicapress.net

Comments Off

Kronika e Zezë

2006
08.31

Mitrovica City Gëzim FERATI
Mitrovicë
- Një person 48 vjeçar është sulmuar në rrugën “Luja Braja”, nga persona të panjohur. Ai ka psuar lëndime të lehta, por ka refuzuar kontrollimin mjkësor, rasti është raportuar në Shërbimin Policor të Kosovës.
Përderisa po ktheheshin nga një udhëtim nga Mali I Zi, një autobus me nxënës është sulmuar në fshatin Fushëibër. Me këtë rast është thyer një xham por nuk është raportuar për ndonjë të lënduar. Rasti mbetet nën hetime të njësive hetuese të SHPK-së.
Pronari I dyqanit Al Past, ka raportuar në polici se dyqani I tij është thyer në rrugën “Mbretëresha Teutë”. Policia ka dal në vendin e ngjarjes, duke konstatuar se janë vjedhur dyer dhe dritare në vlerë prej 1104 euro, njofton Lary Miller, zëdhëns policisë së UNMIK-ut për rajonin e Mitrovicës.
info@mitrovicapress.net, redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Javën e ardhshme takimi me biznismenët lokal

2006
08.31

Gëzim FERATI
MITROVICË
- Çështjet e ndryshme me interes për qytetarët për zhvillimin ekonomik të komunës së Mitrovicës, ishte temë bisedemeve ndërmjet Kryeshefit Ekzekutiv të Komunës Sadri Ferati dhe drejtoirt të Odës Ekonomike për Rajonin e Mitrovicës, Rrustem Abiti.
Komuna e Mitrovicës do të bëjë çka është e mundur që të përkrah bizneset, brenda mundësive duke kërkuar edhe donacione nga jashtë ështët shprehur kreu i ekzekutivit, Sadri Ferati. Intesifikimi dhe bashkëpunimi midis pushtetit lokal dhe asociacioni ekonomik si dhe zhvillimi i sektorit të bizneseve, ishte dakordimi ndërmjet kryeshefit Ferati dhe drejorit të OER-së Rrustem Abiti.
Masat e përbashkëta pas zgjedhje së statusit të Kosovës, përgatitja e projekteve, realizimi i tyre nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, përmes donacioneve do të ishte ndihmesë e madhe, pasi që për shkak të rrethanave të ndryshme politike të sigurisë, nuk janë realizuar në tërsi.
Bashkëbiseduesit u dakorduan edhe për informim objektiv të bizneseve të ndryshme të qytetarëve të Mitrovicës, sipas rregulloreve komunale, çka do t’i përcaktonte obligmet e bizneseve ndaj komunës, siç janë pagat e taksave , në mënyrë që bizneset të funksionojnë normal.
Gjatë javës së ardhshme do të organizohet një takim me përfaqësuesit e bizneseve, në të cilën do të bisedohet për zhvillimin e mëtutjeshëm me pushtetin lokal dhe Odës Ekonomike Rajonale.
redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

TFSHKV ndihmon sërish me materiale shkollore

2006
08.31

Gëzim FERATI
Mitrovicë, 30 gusht
- Që nga 31 gusht 2006, Task Force Shumëkombëshe, do t’i shpërndajë 1800 komplete të materialeve shkollore për familjet me gjendje të vështirë ekonomike.
Lagja e Boshnjakëve do të jetë e para që do të përfion nga distribuimi i Task Force, ndërsa me 4 shtator shpërndarja e mjeteve shkollore do të bëhet në Frashër, në lagjen Tre Rrokaqiejt në Veriun e Mitrovicës dhe në Prelluzhë, njofton zyra për informim pranë TFSHKV-së.
Deri më tani janë realizuar 30 projekte si veshëmbathje, tavolina, kompjuterë, komplete të mjeteve shkollore etj, ndërkaq që nga shkurti i vitit 2006, janë shpërndarë 5.500 materiale shkollore vlera e së cilës arrin në 4000 euro të financuara nga ACM (zyra civilo ushtarake) e TFSHKV-SË.
redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Zgjidhet kriza, PS-PD arrijnë paktin

2006
08.31

Tiranë, 31 gusht - Bashkimi Evropian për faqësuar nga ambasadori gjerman në Tiranë ka arritur të jetë një aktor bindës për dy partitë politike kryesore në Shqipëri. Më në fund pas një periudhe të gjatë mosmarrëveshjesh që kaluan edhe në akte të dhunshme, PD dhe PS arritën të firmosin marrëveshjen me 12 pika që do të shënojë zgjidhjen e krizës dhe një fillim të qetë të sesionit të ri parlamentar. Të dy palët kanë rënë dakord të iniciojnë ndryshime në Kushtetutë për zgjatjen e të zgjedhurve vendorë në 4 vjet, por jo për aktualët si edhe për të shtuar numrin e anëtarëve të KQZ-së nga 7 në 9 për ti dhënë mundësi LSI dhe PDK që të përfaqësohen me anëtarë. Negociatat e pafundme të ambasadorit gjerman në Tiranë Hans-Peter Anen u kurorëzuan më në fund pas gati dy javësh me një zgjidhje të pranuar dhe të firmosur nga palët. E ka patur të vështirë Anen t’i mbushë mendjen maxhorancës dhe liderit të saj Sali Berisha edhe pse është një nga miqtë më të ngushtë të tij. Por më në fund ka arritur që në këmbim të qetësimit të situatës që kërcënohej ccdo ditë nga protestat e opozitës. E njëjta vështirësi ka qenë edhe me negociatorët e opozitës, të cilët kanë patur porosi të prerë që të mos heqin dorë prej asnjërit nga kushtet e vëna dhe të deklaruara që në fund të sesionit të kaluar parlamentar.
Takimet që sollën marrëveshjen
Negociatorët gjatë gjithë ditës së djeshme kanë bërë ecejake të shumta sa drejt partive të tyre e sa drejt ambasadës gjermane, e cila ishte edhe selia ku gjatë dy javëve janë përplasur idetë, janë konfliktuar dhe janë këshilluar përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës. Kësaj here gjithccka ishte nën monitorim të rreptë të BE-së, ndërsa OSBE ka preferuar të mbettet thjehstë në nivelin e asitentit, nisur edhe nga disa vërejtje të klasës politike së fundmi për mosndërhyrjen e saj. Socialistët Ben Blushi, Ylli Bufi dhe Valentina Leskaj kanë informuar që herët në mëngjes kryetarin Edi Rama dhe më pas gjatë drekës, anëtarët e kryesisë së partisë për atë që u quajt “fitore” e opozitës, pra për kushtet e pranuara nga maxhoranca. Nga ana tjetër Kryeministri Berisha ka mbledhur në zyrën e tij në Kryeministri negociatorët e PD-së Ilir Rusmali, Bamir Topi dhe Ylli Pango, prej të cilëve ka mësuar ndryshimet e fundit dhe ku është vendosur që të pranohen edhe variantet e sugjeruara nga BE. Më pas palët janë drejtuar në orët e mbrëmjes sërish në ambasadën gjermane, ndoshta për të fundit herë në këtë seril të gjatë negociatash. Pasi janë shkëmbyer variantet e fundit të palëve është vendosur që të firmoset publikisht para medias. Në ditët në vijim, ashtu sicc deklaroi edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së Bamir Topi palët do të sqarojnë edhe detajet e marrëveshjes.
Marrëveshja
Në bazë të marrëveshjes tashmë KQZ do të përbëhet nga 9 anëtarë ku dy anëtarët e tjerë do të jenë nga LSI dhe PDK, por për këtë duhet të bëhet amendimi i Kushtetutës. Ndërsa nënkryetari i KQZ-së do të zgjidhet nga opozita. Marrëveshja eleminon edhe rregjistrin e përkohshëm të zgjedhjeve, i cili duhet të pastrohet deri në muajin tetor të këtij viti dhe nuk do të merret për bazë në hartimin e listave të zgjedhesve. Pjesë e marrëveshjes është edhe KKRT dhe Këshilli Drejtues i RTSH-së, të cilët do të kenë ndyshime në përbërje. Të dy këto institutcione do të kenë nga 2 anëtarë më shumë, të cilët do të zgjidhen nga shoqëria civile, por të propozuar nga opozita dhe do të kalohen në Kuvend. Kështu KKRT bëhet me 7 anëtare dhe KDRTSH bëhet me 11 anëtarë. Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe zgjatja e mandatit të vendorëve, por në zgjedhjet e ardhshme, gjë që kërkon amendimin e Kushtetutes. Marreveshja percakton qe zgjedhjet vendore dhe parlamentare te mbahen ne periudhen pranvere apo vjeshte. Marreveshja ben thirrje edhe per nisjen e menjehershme te punes se komisionit te reformes zgjedhore ne menyre qe te shikohet legjislacioni zgjedhor dhe te arrihet konsensus.

Marrëveshje

PS dhe PD ranë dakort që:
1-Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit të zgjerohet nga pesë anëtarë në shtatë anëtarë, dy anëtarët e rinj të jenë pjesë e shoqërisë civile, të pëërzgjidhen dhe propozohen nga opozita
2-Që Këshilli Drejtues i Radios dhe Televizionit të zgjerohet nga shtatë anëtarë në 11 anëtarë, 4 anëtarët e rinj të vijnë nga shoqëria civile, të përzgjidhen dhe të propozohen nga opozita, nga të cilët njëri të përzgjidhet dhe të propozohet pas një marrëveshje paraprake me mazhorancën; vetëm atëherë të 4 anëtarët do të mudn ti nënshtrohen votimit ën Kuvend.
3-Që votimi me shumicën e cilësuar, të propozohet në Kuvend për vendimarrjen e të dy institucioneve për sa i përket çështjeve madhore që do të përcaktohen nga komisioni parlamentar i medias.
4-Sic edhe përcaktohet më sipër, projektligji për amendimin e ligjit 8410 të propozohet nga një grup i përbashkët deputetësh të përbërë si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita
5-Që votimi me mazhorancën e cilësuar, nëse e lejon Kushtetuta, të propozohet në Kuvend për të zgjedhur anëtarët e KKRT dhe të KDRTSH, kur të rishikohet legjislacioni për mediat.
6-Që Kushtetuta të amendohet në mënyrë që numri i anëtarët të KQZ të rritet nga 7 në 9 anëtarë dhe të dy anëtarët të zgjidhen nga Kuvendi. Të dy partitë bien dakort se secili nga kandidatët duhet të plotësojë kriteret e parashikuara nga neni 20 i Kodit Zgjedhor dhe se LSI dhe PDK duhet të ftohen që me propozim të përbashkët të propozojnë kandidatët për dy vendet bosh. Të dy anëtarët duhet të votohen njëkohësisht nga Kuvendi.
7-Që në KQZ shumica e thjeshtë të jetë 5 me 4 dhe shumica e cilësuar të jetë 6 me 8-Që nënkryetari i KQZ t’i përkasë opozitës, të bashkëkryesojë KQZ dhe të zëvendësojën kryetarin nëse është e nevojshme, të bashkëpërfaqësojë institucionin jashtë tij.
9- Që rregjistri i përkohshëm të pastrohet para 20 tetorit 2006 dhe të pushojë së përdoruri si burim për listat e votuesve për zgjedhjet. Ky objektiv të arrihet në bashkëpunim të plotë në të gjitha nivelet e mazhoranvës dhe opozitës. Të dyja palët bien dakort të fshijnë të gjitha referencat mbi rregjistrin e përkohshëm nga Kodi Zgjedhor.
10-Që puna e komisionit parlamentar ad-hoc për reformën zgjedhore të rifillojë pa vonesë në mënyrë që të rishikojë legjislacionin zgjedhor dhe të arrijë një konsensus
11-Që Kushtetuta të amendohet në mënyrë që mandati i të zgjedhurve vendorë në të ardhmen të jetë 4 vjet.
12-Që kuadri ligjor të amendohet në mënyrë që të bëjë të mundur që zgjedhjet e përgjithshme në të ardhmen të mbahen në pranverë (prill-maj) ose në vjeshtë (tetor-nëntor) çdo 4 vjet. (Gazeta shqiptare)
info@mitrovicapress.net