Comments Off

Mbipesha trupore lidhet me varfërinë; Rrezet për ngjyrën artificiale të lëkurës krijojnë varësi të organizmit

2006
05.31

Mitrovicapress Pa CensurMbipesha trupore lidhet me varfërinë

Zeri i Amerikes – Një studim i cili merr në shqyrtim problemin e mbipeshës tek të rinjtë e shkollave të mesme tregon se ata që jetojnë në varfëri kanë më shumë gjasa të jenë mbi peshë. Tek mjekja specialiste An Shajmen vijnë shpesh fëmijë me probleme të mbi peshës, si nivel të lartë kolesterine e hypertension e shenja rreziku për goditje në zemër. Studimi i botuar në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë, tregon se të rinjtë nën moshën 20 vjeç që jetojnë në varfëri kanë më shumë gjasa të preken nga mbipesha. Me klasifikimin mbipeshë, ekspertët kanë parasysh fëmijët pesha trupore e të cilëve ndikon negativisht në shëndetin e tyre.

Doktor Riçard Miak pranë universitetit Xhons Hopkins thotë se mes të rinjëve 15 – 17 vjeçarë, ata që janë të varfër kanë 50 përqind më shumë të ngjarë që të preken nga mbipesha sesa fëmijët e tjerë. Doktor Miak. një nga autorët e studimit, thotë se ky dallim përsa i përket mbipeshës mes të rinjëve mbi dhe nën nivelin e varfërisë nuk ka ekzistuar më parë dhe nuk vihet re midis të rinjëve të moshave 12 – 14 vjeçare. Ekspertët thonë se mosha 15 – 17 vjeçare është moshë kur të rinjtë ndjehen të lire të zgjedhin të bëjnë si të duan vetë dhe studimi tregon se disa nga këto zgjedhje bëhen shkak për mbipeshë.

Doktor Miak thotë se përdorimi i pijeve të ëmbla si koka kola apo lëng frutash me sheqer shtesë ndikojnë për shtimin e peshës trupore, ashtu siç ndikojnë edhe mos aktiviteti dhe mos ngrënja e mëngjesit. Të rinjtë që jetojnë në varfëri shpesh nuk kanë vende të sigurta për të bërë ushtrime fizike ose edhe për të ecur. Ndërsa kur personi nuk ha mëngjes, ai merr kaloritë më vonë gjatë ditës në sasi më të madhe. ose kur personi nuk ha mëngjes në kuadër të dietës dhe ndoshta një strategji e tillë është pa efekt ose me efekte negative. Mjekja Shajmen thotë se 70 përqind e të rinjëve mbi peshë që vijnë në klinikën e saj, nuk hanë mëngjes. Ajo shton se pacientët i thonë se nuk hanë mëngjes, pasi nuk kanë kohë.

Rrezet për ngjyrën artificiale të lëkurës krijojnë varësi të organizmit

Miliona amerikanë bëjnë ç’është e mundur, qoftë verë apo dimër për të patur një ngjyrë të bronxtë të lëkurës. Tara Burton thotë se nuk mund të jetojë dot pa këtë ngjyrë që ajo e quan pjesë të bukurisësë saj. Tre herë në javë ajo shkon në sallonin kozmetik për t’i dhënë trupit një ngjyrë të bronxtë. Tara thotë se pa këtë ngjyrë ajo duket si e sëmurë. Por mjekët thonë se Tara mund të jetë bërë fizikisht e varur nga rrezet artificiale. Këto rreze përmbajnë endorfinë, që e bëjnë personin të provojë të njëjtat ndjenja si ata që marrin drogë.

Gjatë një studimi ku u përfshi edhe Tara Burton, pjesmarrësve iu dha një ilaç që bllokonte ndjenjat e kënaqësisë, dhe pas studimit u vu re se ata nuk ndjenin më nevojën për të marrë rreze për ngjyrën e lëkurës.

Sallonet me aparate për rreze për ngjyrën e lëkurës përbëjnë një bisnes fitimprurës në Shtetet e Bashkuara. Kjo është një industri që përfiton rreth 2 milardë dollarë në vit. Edhe numri i njerëzve që përdorin këtë metodë ka ardhur duke u rritur, megjithë paralajmërimet se kanceri i lëkurës është kanceri me shpejtësi përhapjeje më të madhe.

Comments Off

FATKEQËSITË, SHKAQET, PSE NDODHIN DHE SI TË SHPËTOJMË PREJ TYRE

2006
05.31

Me emrin e Allahut
të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Përgatiti: Gzim FERATI
Ky mesazh të drejtohet ty o njeri, çfarëdo qofsh ti, i pasur apo i varfër, ministër apo punëtor, mbret apo shërbëtor, artist apo politikan. E rëndësishme është që ti ke nevojë të domosdoshme për të. Lexoje dhe do të bindesh. E nëse naiviteti yt të pengon të kuptosh, mos ia moho këtë të drejtë dikujt tjetër. Prandaj, ju lutemi që t’ia jepni këtë fletushkë atij.

Pse ndodhin tërmetet? Pse ndodhin përmbytjet? Pse ndodhin epidemitë, uria, luftërat? Pse, pse? Pyetje këto që mundojnë shumë njerëz, e mjaft të tjerë qëndrojnë indiferentë ndaj tyre, ndërsa të paktë janë ata që e dinë përgjigjen.

A thua ku ta kërkojmë përgjigjen e pyetjeve tona?! Le ta vëmë pak mendjen tonë në punë. Cili është ai që sundon tokën? Cili është ai që i zbret të mirat e të këqijat, jetën dhe vdekjen, thatësitë dhe shiun, fatkeqësinë dhe begatinë…?! E nëse e njohim Atë, pra tani le të shohim se ç’thotë Ai, Sovrani i Gjithësisë për këtë gjë: “Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve janë shfaqur në tokë e në det të zeza, skamje, shkatërrime, katastrofa etj., e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj (të keqe) që të tërhiqen (nga të këqijat).” (Kur’an, 30:41) Po ashtu Ai thotë: “Këtë (masë ndëshkuese) e bëri ngase Allahu nuk ishte ndryshues i një begatie të cilën ia ka dhuruar një populli derisa ai të ndryshojë në vetvete…” (Enfalë, 53).

Nga këto ajete të Kur’anit të Shenjtë, kuptojmë atë se vetë njerëzit me veprat e tyre janë përgjegjës për begatinë apo fatkeqësinë e një vendi. E ndërsa Zoti është Ai i cili u jep shpërblimin atyre për këto vepra me begati e mirësi, nëse ata u binden ligjeve të Tij dhe me vuajtje e fatkeqësi nëse njerëzit nuk veprojnë në patim me ligjet e Tij. Po cili është vallë morali i këtyre vuajtjeve që Allahu i zbret mbi njerëzit, a nuk është Ai Mëshirues dhe Falës i madh?!

S’ka dyshim se Allahu është Krijuesi dhe i do e i mëshiron krijesat e Tij më shumë se kushdo tjetër, porse në të njëjtën kohë Ai është edhe i drejtë dhe nuk mund të rrijë pa e ndëshkuar të keqen herët apo vonë, sikurse edhe thotë: “Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë ajo është pasojë e veprave tuaja, e për shumë të tjera Ai ju fal.” (Shura, 30). Ndërsa, përsa i përket urtësisë dhe mençurisë së Tij, ajo mund të përmblidhet në këto pika:

Nëpërmjet fatkeqësisë Zoti ndëshkon të keqen.

Po nëpërmjet saj u jep mësim njerëzve dhe i bën ata më të përgjegjshëm për veprat e tyre, që të mos rikthehen përsëri në to.

Nga e keqja njerëzit njohin vlerën e së mirës, nëpërmjet sëmundjes vlerën e shëndetit, e kështu ata mund të jenë më të përgatitur ndaj jetës për të ecur më përpara.

Siç shihet, Zoti vepron me krijesat e Tij si mjeku me pacientin. Vërtet ilaçi mund të jetë i hidhur e të mos na pëlqejë, por në fund të fundit ai shëron.

Le të përqëndrohemi tani dhe të përmendim disa nga ato vepra ndaj të cilave Krijuesi jonë nuk është i kënaqur.

E para e cila përbën edhe mëkatin më të madh është mosbesimi, që është edhe shkaku kryesor i fatkeqësisë.

MOSBESIMI

Në të përfshihen politeizmi, idhujtaria etj., pra t’i bësh Allahut shok apo bashkëpunëtorë në zotërimin e punëve të Gjithësisë, apo të thuash se Ai ka bijë e bija, të besosh se dikush tjetër veç Atij mund të bëjë keq ose mirë pa përcaktimin e Tij, të besosh se ka njerëz që e dinë të fshehtën veç Tij, t’i lutesh e të adhurosh dikë tjetër qoftë edhe si ndërmjetës etj. Thotë Allahu për këtë gjë: “Ai i cili i shoqëron Allahut (shok, bashkëpunëtorë në adhurim etj), atij ia ka ndaluar xhennetin (hyrjen në parajsë) dhe shpërblimi i tij është zjarri”. (Maide: 79). Ky madje është edhe mëkati i pafalshëm për këdo që e mbyll jetën e tij me këto besime të kota: “Allahu nuk fal t’i bëhet shok Atij (në adhurim e sundim) dhe fal veç kësaj atë që do”. (Nisa: 48). Këtu përfshihen edhe të gjitha besimet e kota e të pabaza, për të cilat Zoti nuk ka zbritur argument: “E kush kërkon fe tjetër veç Islamit, atij nuk ka për t’iu pranuar dhe në botën tjetër do të jetë prej të humburve”. (Ali Imran: 75). Dhe thotë ajeti tjetër: “… dhe ata që besojnë në të kotën dhe mohojnë Allahun, ata janë të humburit”. (Ankebut: 52). Ndër të tjera mund të fusim këtu ateizmin apo laicizmin, si mjaft të përhapur në këtë kohë “… por ata që nuk besuan, e për shkak të asaj që bënë (mosbesimit), do t’i godasë vazhdimisht fatkeqësia e kohës ose do ta rrethojë (ajo fatkeqësia) vendin e tyre, derisa të

vijë urdhri i Allahut (për ndëshkimin e njëpasnjëshëm). Allahu nuk e thyen premtimin” (Rad: 31). Por, për shkak të këtij mëkati të madh, Allahu ka dënuar mjaft popuj të hershëm: “A nuk e panë ata sa gjenerata para tyre i shkatërruam (në gjurmët e qytetërimeve të vjetra) e që ne u patëm mundësuar atyre (komoditet) në tokë, çfarë juve nuk ua mundësuam, u patëm lëshuar nga qielli shi me bollëk dhe u patëm bërë që të rrjedhin lumenj ndër ta. E për shkak të mëkateve të tyre i shkatërruam dhe pas tyre sollëm (breza) të tjerë”. (En’am: 6). “Allahu sjell si shembull një fshat (vendbanim) që ishte i sigurt dhe i qetë, të cilit i vinte furnizimi nga të gjitha anët me bollëk, kurse ata (banorët) i përbuzën të mirat e Allahut. Atëherë Ai, për shkak të sjelljes së tyre ua veshi petkun e urisë dhe të frikës”. (Nahl: 12). “E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur (nga mëkatet), ne do t’u hapnim begati nga qielli e toka, por ata përgënjeshtruan, prandaj i dënuam me shkatërrim për atë që e merituan”. (Arafë: 96).

IMORALITETI

Këtu përmblidhen të gjitha veprimet e liga si prostitucioni, homoseksualizmi dhe të gjitha rrugët që shpiejnë drejt tyre. Allahu xh.sh. për to thotë: “E mos iu afroni imoralitetit sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe një rrugë shumë e keqe”.(Isra: 32). Thotë për të I dërguari Muhammed (a.s): “Nuk është shfaqur në ndonjë popull imoraliteti e të mos shfaqen në të sëmundje që s’kanë qenë më parë”, si p.sh. SIDA Po ashtu ai thotë: “O ju muslimanë, ruajuni imoralitetit sepse nga ia vijnë gjashtë të këqija, tri në këtë botë dhe tri në botën tjetër. Në këtë botë, të ikë me të (me imoralitetin) fytyra (nderi, morali), të shkurtohet jeta dhe të ndjek nga pas varfëria, e ndërsa në botën tjetër zemërimi i Allahut të Madhëruar, llogaria e keqe dhe ndëshkimi me zjarr” dhe përsëri I Dërguari (a.s) thotë: “Nuk ka mëkat më të madh pas politeizmit se sa ajo pikë uji që vendos burri në vendin që nuk është i lejuar për të” d.m.th marrëdhëniet seksuale jashtë martese.

HOMOSEKSUALIZMI

Thotë rreth saj Muhammedi a.s.: Ajo së cilës i frikësohem më tepër është puna e popullit të Lutit (homoseksualizmi), dhe i mallkoi ata që e bëjnë atë duke thënë: E ka mallkuar Allahu atë që vepron si populli i Lutit… e ka përsëritur këtë tre herë.” Ky popull njihet në histori me emrin Sodoma. Ja se ç’thotë Zoti për ta në Kur’an: “A shkoni pas meshkujve të kësaj bote? E gratë tuaja i lini anash, të cilat Zoti i krijoi për ju! Por ju jeni një popull që kalon çdo kufi”. (Shuara, 165-166). Dhe për këtë arsye u ndëshkuan. “Kur erdhi urdhri ynë dhe mbi ta hodhëm gurë pa pushim, ne i përmbysëm të gjithë ata duke kthyer çdo gjë nga lart poshtë.” (Hud, 81). Gjithashtu Islami ndalon edhe rrugët që shpiejnë drejt imoralitetit, duke i konsideruar ato të ndaluara pasi janë shkak për rënien në të. Thotë Resulull-llahu a.s.: “Katër (lloje njerëzish) gdhihen në zemërimin e Allahut dhe ngrysen në zemërimin e Tij. I thanë: ´Kush janë ata, o I dërguar i Allahut?’ – tha: “Burrat që ngjajnë si gratë dhe gratë që ngjajnë si burrat, ai që i afrohet kafshës (siç ka njerëz që e veprojnë atë sot) dhe ai i cili i afrohet mashkullit, pra homoseksuali” si dhe “E ka mallkuar Allahu gruan që vishet si burrat dhe burrin që vishet si gratë”, pra, të gjitha paraqitjet e jashtme me të cilat femra i ngjan mashkullit dhe mashkulli femrës.

KAMATA

Totë për të Allahu: “O ju të cilët keni besuar, mos e hani kamatën që po e shumëfishoni, kini frikë Allahun që të gjeni shpëtim!” (Ali Imran, 130). “Ata që hanë kamatën nuk ngrihen ndryshe vetëm si ngrihet ai i çmenduri nga të prekurit e djallit. Kjo, sepse ata thonë: Edhe shitblerja është njësoj si kamata! Allahu e ka lejuar shitblerjen dhe e ka ndaluar kamatën…” (el-Bekare, 275) Në këtë përfshihen si marrësi ashtu edhe dhënësi i saj. Thotë për të I Dërguari (a.s.): “E ka mallkuar Allahu marrësin e fajdes dhe dhënësin e saj.” Ndërsa Ibn Mesudi, njëri nga shokët e Të Dërguarit (a.s.) thotë: “Kur imoraliteti dhe fajdeja shfaqen në ndonjë vend, atëherë Allahu urdhëron shkatërrimin e tij.” Nëpërmjet fajdes paraja mblidhet vetëm në duart e disa njerëzve të cilët marrin prej saj fitime të pamerituara. Ajo i bën njerëzit që të jetojnë me fantazi për një jetë pa punë e lodhje. Thotë për të Muhammedi (a.s.): “Nuk është shfaqur në ndonjë popull fajdeja e të mos shfaqet në të çmenduria, nuk është shfaqur në ndonjë popull imoraliteti e të mos shfaqet në të vdekja e as në ndonjë popull mashtrimi në peshë e mos t’ua ndalojë Allahu atyre shiun (bereqetin, begatinë).” Madje, ngrënia e kamatës është konsideruar nga Zoti si luftë ndaj Tij: “… e në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga fajdet), atëherë binduni se jeni në luftë me Allahun dhe Të Dërguarin e Tij.” (el-Bekare, 279). E kush mund të dalë vallë fitimtar në luftë me Zotin?

NARKOMANIA, BIXHOZI

“O ju të cilët keni besuar, s’a dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyra nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (Maide, 90) Thotë I Dërguari (a.s.) duke paralajmëruar: “Largohuni pijes alkoolike sepse ajo është nëna e të këqijave.” Si mos të jetë nëna e të këqijave, kur dihen më së miri dëmet dhe pasojat shkatërrimtare që sjell ajo në jetën e njeriut dhe të shoqërisë. Për këtë arsye çdo pije alkoolike është e ndaluar (haram) edhe n.q. konsumohet në sasi të pakta. Kur Muhammedi (a.s.) e pyeti Ebu Musa el-Esh’ariun (r.a.) njërin nga shokët e tij, se çfarë pijesh përdoreshin në Jemen, ai u përgjigj: el-Bitu (pije alkoolike nga mjalti) dhe el-Mizru (pije alkoolike nga elbi), e Pejgamberi (a.s.) i tha: “Çdo pije dehëse është haram (e ndaluar).” Në një rast tjetër, Muhammedi (a.s.) tha: “Më erdhi meleku Xhibril dhe më tha: ´O Muhammed, Allahu e ka mallkuar pijen alkoolike, atë që përgatit lëngun për të dhe atë për të cilin përgatitet; shitësin e saj dhe atë për të cilin shitet; atë që e pi atë dhe atë që merr vlerën (e shitjes) së saj; mbajtësin e saj dhe atë për të cilin mbahet; atë që e servon dhe atë që pi prej saj.” Këtu hyjnë edhe të gjitha llojet e drogave si kokaina, heroina, marihuana, dopingu, hashashi etj. “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: Që të dyja janë mëkat i madh e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, porse dëmi është më i madh se dobia e tyre.” (el-Bekare, 219).Bixhozi dhe të gjitha lojërat e fatit janë të ndaluara. Për to Allahu thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi… janë vepra të ndyta nga djalli.” (Maide, 90) Çdokush e ka parë se nëpërmjet këtyre lojërave persona të pandershëm u marrin pa të drejtë të hollat njerëzve, duke i mashtruar ata gjoja me shijen e fitimit. Edhe këtë Allahu e ka ndaluar: “Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar.” (el-Bekare, 188) “Shejtani nuk dëshiron tjetër përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiq ndërmjet jush.” (Maide, 91) Ndër të tjera, mund të përmendim vrasjet, vjedhjet, mosrespektimin e prindërve, mashtrimin, korrupsionin, thashethemet… etj. Thotë Allahu xh.sh.: “Edhe ata që veç Allahut nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë dhe që nuk bëjnë imoralitet, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkim.” (Furkan, 68)

Pra, nuk të mbetet gjë tjetër o njeri, vetëm se të largohesh prej këtyre mëkateve. “Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha të cilat u janë ndaluar, Ne ua shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm.” (en-Nisa, 31) “Dhe kur Zoti yt njoftoi bindshëm: Nëse falënderoni, do t’ua shtojë të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim se dënimi Im është i vështirë.” (Ibrahim, 7).. Çdo indiferentizëm ndaj këtyre mëkateve dhe vazhdimi në to do të thotë që fatkeqësitë e katastrofat të mos kenë të mbaruar. “Por, ata që nuk besuan e për shkak të asaj që bënë (gjynaheve) do t’i godasë vazhdimisht fatkeqësi e kohës” dhe “E ju nuk mund t’i ikni dënimit në tokë (fatkeqësive, vuajtjeve) dhe përveç Allahut nuk keni mbrojtës e as ndihmës.” (esh-Shura, 31). E pra: “Thuaj: Ai ka fuqi t’ju sjellë dënim prej së larti ose nga poshtë nën këmbët tuaja, apo t’ju ndajë në grupe e ta luftoni njëri-tjetrin. Shih si i sqarojmë faktet në mënyrë që të kuptojnë.” (En’am, 65). Kjo ishte përgjigjja e pyetjeve, ky është ligji që vepron mbi shoqëritë njerëzore që kur Zoti e vendosi njeriun në tokë. Ky është vendimi i Zotit tënd: “Fjalët e Zotit tënd janë plot të vërteta (çka lajmërojnë) dhe plot të drejta (çka gjykojnë). S’ka kush që t’i ndryshojë fjalët (vendimet) e Tij.” (En’am, 115). Po e mbyllim këtë mesazh me shpresë se do të na keni kuptuar.

“Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen së vërtetës e që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” (Asr).
gzimferati@mitrovicapress.net

Comments Off

Rama e Meta, takim me ish-krerët e UÇK Thaçi dhe Fatmir Limaj

2006
05.31

Shkup, 31 maj – Kryetari i PS-së, Edi Rama dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta kanë pasur dje një drekë pune me kreun e PDK-së, Hashim Thaçi dhe ish-udhëheqësin e UÇK-së, Fatmir Limaj në Shkup pas kthimit nga Sofja, ku së bashku morën pjesë në konferencën e Partisë Socialiste Evropiane në Sofje të Bullgarisë, njofton gazeta shqiptare. Mësohet se mes tyre është diskutuar për situatën në rajon, në Kosovë e Shqipëri veçanërisht. Rama dhe Meta kanë shprehur sërish qëndrimin e të gjithë të majtës shqiptare për një pavarësi të plotë të Kosovës, si zgjidhja më e mirë për këtë popull. Po kështu, të njëjtat burime thonë se mund të bëhet fjalë për një lobim të përbashkët Shqipëri-Kosovë, në Internacionalen Socialiste. Mësohet gjithashtu se është hedhur ideja për krijimin e një konfederate të së majtës në të dyja anët. Ndërkohë pas konferencës në Sofje, kreu i LSI-së, Meta takoi kryetarin e Partisë Socialiste Evropiane, Rasmusen. Gjatë këtij takimi, Rasmusen e ka përshëndetur Metën për marrëveshjen e bashkëpunimit midis forcave të majta e opozitare. Rasmusen vlerësoi kontributin e LSI-së për emancipimin e politikës shqiptare, si dhe përpjekjet e saj dhe të kryetarit Meta për integrimin evropian të Shqipërisë. Gjithashtu, Rasmusen tha se Partia Socialiste Evropiane dhe grupi i saj në Parlamentin Evropian, janë të interesuar për mbarëvajtjen e reformës zgjedhore në Shqipëri dhe eliminimin e formave dhe sistemeve që deformojnë votën e popullit. Ai vlerësoi qëndrimet parimore të LSI-së dhe përpjekjet e saj për garantimin e zgjedhjeve të ndershme në Shqipëri. Gjatë takimit Rasmusen i premtoi Metës një bashkëpunim më të ngushtë midis Partisë Socialiste Evropiane dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në të ardhmen.

Comments Off

Kosovë: Sistemi i drejtësisë nuk u del zot viktimave

2006
05.31

Çështja e përgjegjësisë për krimet duhet të ketë vend qendror në bisedimet për statusin

Sistemi i drejtësisë penale ende nuk po u del zot viktimave në Kosovë, edhe pse tani shtatë vite Kosova është nën administrim ndërkombëtar, vlerëson Human Rights Watch në një raport të ri të publikuar sot. Në ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare këto ditë është duke negociuar me intensitet të madh statusin e ardhshëm të Kosovës.

Raporti 78 faqesh “Askund në agjendë: Dështimi i vazhdueshëm që të kërkohet përgjegjësi në Kosovë pas marsit 2004” hedh dritë mbi reagimin e sistemit të drejtësisë penale ndaj dhunës së marsit 2004 në Kosovë. Atëbotë, trazirat që shpërthyen gjithandej nëpër provincë, e në të cilat morën pjesë më shumë se 50.000 njerëz, lanë qindra pjesëtarë të pakicave të plagosur dhe mijëra të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

“Sot, përgjegjësia për krimet e kryera në të kaluarën nuk është në agjendën për Kosovën”, shprehet Holly Cartner, drejtoreshë për Evropë dhe Azi Qendrore në Human Rights Watch. “Por, të vendosësh për statusin e Kosovës pa gjetur zgjidhje për sistemin e drejtësisë do të thotë të helmosh të ardhmen e saj”.

Përparimi në proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me trazirat e marsit mbetet i kufizuar, edhe pse u është dhënë prioritet në kuadër të sistemit të drejtësisë penale. Më shumë se dy vite më vonë, janë vetëm 426 individë të akuzuar për pjesëmarrje në trazira, të akuzuar kryesisht për shkelje të lehta të ligjit siç janë vjedhjet dhe vetëm gjysma e këtyre rasteve kanë rezultuar me aktvendime përfundimtare.

Reagimi i sistemit të drejtësisë penale ndaj marsit 2004 është një kut matës i mirë me të cilin mund të matet përparimi i përgjithshëm në përpjekjet për të kërkuar përgjegjësi për krimet. Pas gati shtatë vite të instalimit të administratës ndërkombëtare, autoritetet kanë pasur mjaft kohë që të merren me mangësitë në kornizën ligjore, në polici, në prokurori dhe në gjyqe. Për më tepër, menjëherë pas dhunës së marsit, bashkësia ndërkombëtare u zotua qartë se ata që janë përgjegjës do të dalin para drejtësisë.

Raporti analizon dështimin që të sillen para drejtësisë ata që janë përgjegjës për dhunën. Faktorët kryesorë janë:

Përgatitja e pamjaftueshme për ndërrimet që do të sillnin reformat e mëdha të sistemit të drejtësisë penale e që hynë në fuqi tri javë pas trazirave të marsit. Për shembull, reformat u dhanë prokurorëve rol qendror në procedurën e hetimeve, një kalim ky i përgjegjësive për të cilin asnjë nga aktorët nuk ishte i përgatitur sa duhet.

Krijimi i një operacioni special nga ana e policisë ndërkombëtare për të hetuar rastet e marsit, që ishte joadekuat, i ndarë nga hetimet kryesore dhe që në fund dështoi.

Angazhimi joefikas i policisë, përfshirë këtu mos-përfundimin e hetimeve, koordinimi i dobët mes policisë ndërkombëtare e vendore si dhe bashkëpunimi i pamjaftueshëm me prokurorët.

Masat joadekuate për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Mbikëqyrja dhe prioritetizimi joadekuat i sistemit të drejtësisë penale nga ana e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

“Askush nuk bën të sillet sikur vënia e rendit dhe ligjit në Kosovë është gjë e lehtë”, thotë Cartner. “Por, ka mjaftë hapa që mund të ndërmerren—të sigurohemi që prokurorët marrin përgatitjet e duhura dhe se institucionet bashkëpunojnë—e që mund të sjellin përmirësime që sot”.

Reagimi joadekuat i sistemit të drejtësisë penale ndaj dhunës së marsit 2004 simbolizon një prej problemeve më të mëdha me të cilat përballet Kosova sot: mosndëshkimi i krimit, veçanërisht atëherë kur ka ngjyrime politike apo etnike. Regjistrat e hetimeve dhe ndjekjeve penale për krime të luftës apo për krime me motive etnike para marsit 2004 janë të varfër.

Kjo ka krijuar një qark të mbyllur të mosndëshkimit dhe ka forcuar bindjen ndër të gjitha komunitet e Kosovës—te komuniteti shumicë dhe ato pakicë—se sistemi i drejtësisë penale as nuk është i besueshëm e as nuk është në shërbim të popullit. Pakicat, sidomos serbët e Kosovë, më shumë se kurdoherë më parë, nuk besojnë se mund të jetojnë të sigurt në Kosovë.

“Askund në agjendë” tërheq vërejtjen edhe në mungesën e një strategjie për të informuar komunitetet e prekura për të arriturat e hetimeve dhe procedurave penale për dhunën e marsit 2004 si dhe për mungesën e transparencës në kuadër të sistemit. Kjo e bën të vështirë për qytetarët që të marrin informata për procedurat penale e për shoqërinë civile të monitorojë sistemin në tërësi.

Raporti u bën thirrje aktorëve kryesorë në Kosovë, përfshirë Kombet e Bashkuara, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, policinë, Institucionet e Përkohshme të Vet-Qeverisjes, që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për përmirësimin e sistemit të drejtësisë penale. Kjo nënkupton: mbikëqyrjen adekuate të gjyqeve; zhvillimin e një plani veprues për themelimin e degës së policisë gjyqësore që do të punojë drejtpërdrejtë me prokurorët hetues; shtimin e bashkëpunimit mes policisë ndërkombëtare dhe asaj vendore, prokurorëve dhe gjyqtarëve; si dhe ngritjen e një sistemi më efikas për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Raporti kërkon nga Grupi i Kontaktit dhe Bashkimi Evropian që në kuadër të politikave për Kosovën t’i jepet prioritet çështjes së përgjegjësisë dhe që ekzistimi i një sistemi funksional të drejtësisë penale të pranohet nga të gjithë si pjesë integrale e zgjidhjes së suksesshme të statusit të Kosovës, si dhe të ofrohet mbështetja e nevojshme materiale për krijimin e një sistemi efikas për mbrojtjen dhe rilokimin e dëshmitarëve.
info@mitrovicapress.net, redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Klubi Letrar “Lumi i Bardhë” merr pjesë në Manifestimin Poetik Mbarëkombëtar

2006
05.31

Mitrovicë, 31 maj - Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë – Dega Fier dhe Bashkia e Fierit kanë ftuar Klubin Letrar “Lumi i Bardhë” të Mitrovicës më datën 6 dhe 7 qershor që të marrë pjesë në Manifestimin Poetik Mbarëkombëtar “Apollonia 2006″.
Pritet që disa nga anëtarët e Klubit Letrar “Lumi i Bardhë” të marrin pjesë në këtë manifestim poetik.
info@mitrovicapress.net, redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Tentim vrasje në Dubok të Albanikut

2006
05.31

Gzim FERATI
Mitrovicë, 31 maj (Mitrovicapress) - Një tentim vrasje ka ndodhur mes dy vëllëzërve në komunën e Albanikut, ka njoftuar Sami Mehmeti zëdhënës I SHPK-së, për rajonin e Mitrovicës.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Dubok komuna e Albanikut, ku pas tentimit të qëllimit me pushkë ndaj vëllaut të tij është gjuajtur edhe në drejtim të gruas.
“Pas kësaj i dyshuari me sharrë motorike ka dëmtuar mobilet në shtëpinë e viktimës. E gjithë kjo ka ardhur pas një konflikti verbal në mes të dy vëllezërve”, ka thënë Sami Mehmeti. Njësiti hetues ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, përderisa i dyshuari ende nuk është arrestuar.
info@mitrovicapress.net, redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Petkoviq beson se kthimi në Zhegër është i mundur

2006
05.31

Gjilan, 31 maj - Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Sllavisha Petkoviq ka premtuar mbështetje për projektin kthimit në Zhegër, të marten në Gjilan, gjatë një takimi me udhëheqës komunalë dhe përfaqësues të të zhvendosurve nga ky fshat.
Projekti parashehë kthimin dhe integrimin e 29 familjeve serbe dhe 11 të tjerava shqiptare në Zhegër si dhe përmban edhe komponentën e ndërtimit të infrastrukturës së përbashkët në këtë fshat.
Xhemajl Hyseni, kryetar i komunës së Gjilanit, gjatë takimit me ministrin Petkoviq dhe përfaqësusit e serbëve të zhvendosur nga Zhegra, tha se është dashur shumë kohë e mund për t`i bindur qytetarët e atjeshëm se duhet të kthehen nga ardhmja. Tani, mund të themi se është krijuar një gjendje reale dhe ekzistojnë kushtet për të filluar me realizimin e këtij projekti kapital, ka thenë Hyseni.
Ai i ka rikujtuar pjesëmarrësit në këtë takim se komuna nuk ka dashur të bëjë vetëm një improvizim në Zhegër, por ka punuar me përkushtim të madh që kthimi në këtë fshat të jetë real dhe i qëndrueshëm. Sipas tij, kthimi është e drejtë elementare e çdo qytetari që ka pronë këtu dhe kjo nuk mund t`i kufizohet askujt, pavarësisht përgjegjësisë që mund të ketë ndokush nga e kaluara.
Janë institucionet tjera që duhet të merrem me krime dhe duhet lënë atyre ta bëjnë punën e vetë, ka thenë Hyseni.
Ndërkaq, ministri Sllavisha Petkoviq ka thenë se Ministria që drejton ai është e gatshme të mbështes këtë projekt kapital, por ai dëshiron që më parë të takohet në Zhegër me të dyja komunitetet vendore dhe të bindet vetë nëse kthimi është i mundur.
Nëse marrëdhëniet në Zhegër janë të mira dhe unë besoj në këtë që po e thotë kryetari Hyseni, atëherë më shumë se 90 për qind e punës është e kryer. Obligimi ynë si institucione qendrore dhe komunale në Kosovë, është që të krijojmë kushte për të gjithë ata që duan të kthehen, ndërsa janë mekanizmat tjerë që e vërtetojnë përgjegjësinë e kujtdo qoftë që ka bërë keq. Sipas Sllavisha Petkoviqit, Zhegra mund të jetë një shembull i mirë se serbët mund të kthehen në Kosovë.
Në anën tjetër, Bozhidar Periq, zëvendëskryetar i komunës dhe Miodrag Paviq, përfaqësues i serbëve të zhvendosur jashtë Kosovës, janë shprehur optimistë se kthimi në Zhegër do të ndodhë dhe kanë insistuar që të fillohet sa më parë me realizimin e projektit.
Kryetari i komunës, Xhemajl Hyseni dhe ministri Sllavisha Petkoviq janë dakorduar që javën e ardhshme të mbajnë edhe një takim një banorë të Zhegrës, përpara se projektit t`i jipet drita e gjelbër.
redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Konferencë për Aids-in në Nju Jork

2006
05.31

BBC – Në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara fillon një konferencë e posaçme për problemet e HIV/Aids-it, pesë vjet pasi udhëheqësit botërorë u takuan për të diskutuar masat për të luftuar epideminë.
Gjatë takimit treditor, politikanët duhet të vendosin se si të ndalojnë përhapjen e virusit dhe se si të arrijnë një marrëveshje për t’u dhënë mundësi të prekurve nga Aids-i, në të gjithë botën, që të mjekohen me medikamente retrovirale.
Afati për arritjen e këtij objektivi është vënë viti 2010.
Në këtë konferencë, marrin pjesë 180 qeveri, por përpara se politikanët të marrin fjalën ditën e premte, do të ketë dy ditë diskutime, të cilat diplomatët i quajnë ndryshe edhe “pikëpamjet nga fronti’.
Në konferencë do ta marrin fjalën përfaqësues nga e gjithë bota, të përfshirë në luftën kundër përhapjes së HIV/Aids-it.
Ata do të japin mendimin e tyre lidhur me masat që duhen marrë.
Kensani Mevasa, një grua e re afrikanojugore e infektuar me HIV, do të mbajë një fjalim në sesionin hyrës të konferencës.
Ndërkohë prapa kuintave vazhdojnë negociatat për deklaratat politike që do të shpallen në fund të konferencës.
Në një prej drafteve të dokumentit, në paragrafet për parandalimin e Aids-it, nuk ka referenca specifike për t’u dhënë përdoruesve të drogës prezervativë dhe shiringave sterile, një çështje kjo që është tabu për shumë qeveri që marrin pjesë në konferencë.