Comments Off

Udhëheqja komunale e Hassleholm të Suedisë po qëndron në Mitrovicë

2006
04.28

Mitrovicë, 28 prill - Udhëheqja e komunës Hassleholm të Suedisë, Bengt Anderssen, kryetar dhe Per Hildingson, kryeshef i Ekzekutivit, të shoqëruar nga Ali Rexhepi nga Mitrovica, me qëndrim të përkohshëm në Suedi, me të cilën komuna e Mitrovicës ka një bashkëpunim shumë të mirë, ka arritur për vizitë zyrtare triditëshe në komunën e Mitrovicës. Mysafirët nga Suedia janë pritur në aeroportin e Prishtinës nga kryetari i Kuvendit të Komunës, Mursel Ibrahimi dhe nga zëvendëskryetarja Fatmire Berisha.Delegacioni nga Hassleholmi i shoqëruar nga udhëheqja komunale me të arritur në Prishtinë ka bërë nderime dhe ka vënë lule të freskëta mbi varrin e presidentit të ndjerë të vendit, dr. Ibrahim Rugova. Më pas, udhëheqja e Hassleholmit dhe Mitrovicës kanë qëndruar në familjen e presidentit Rugova, të cilës i kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e kryetarit të vendit, dr. Ibrahim Rugova.
Bashkëshortja e kryetarit Rugova, z. Fana ka falënderuar mysafirët për respektin që po tregojnë ndaj bashkëshortit të saj, dhe ka thënë se ndjehet mirë kur miqtë nga mbarë bota e nderojnë personalitetin dhe veprën e dr. Rugovës, i cili tërë jetën ia kushtoi popullit, Kosovës dhe paqes, duke shtuar se ai gjatë gjithë jetës së tij është angazhuar që Kosova të ketë miq sa më shumë, në mënyrë që me ndihmën e tyre të realizohet aspirata e kahmotshme e popullit për pavarësinë e Kosovës.
Z. Fana poashtu ka shpreh kënaqësinë e saj që Mitrovica ka një bashkëpunim të mirë me komunën e Hassleholmit dhe udhëheqjen e saj, përvoja e së cilës mund të shfrytëzohet në fusha të ndryshme.
Kryetari i Komunës së Hassleholmit Bengt Anderssen, pasi që falënderoi familjen Rugova për mikëpritjen, tha se presidenti Rugova ishte i njohur në botë për zgjidhjen e problemeve në mënyrë paqësore, gjë që ishte me rënëdësi jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin dhe tërë botën.
Anderssen tha se ndjen kënaqësi që pati fat që kryetarin Rugova ta takojë në rezidencën e tij, në vitin 2003, kur biseduam për zhvillimet aktuale në Kosvë e posaqësirsht për integtrimin e shqiptarëve nga Kosova në shoqërinë e komunës së Hassleholmit.
Në vazhdim të fjalës së tij, Anderssen tha se mburret për faktin që ka pas rast të takohet me një personalitet çfarë ishte dr Ibrahim Rugova, duke shtuar se në zemrën e tij kanë mbetur të pashlyera përjetime nga ai takim, ku presidenti kishte rrezatuar plotë ngrohtësi e mençuri, të cilin nuk do ta harroj kurrë.
”Erdhëm për t’ju shprehur ngushëllime për vdekjen e më të dashurit tuaj dhe presidentit të Kosovës, me bindje se puna dhe angazhimi i tij për realizimin e idealeve të popullit dhe të tija personalisht, do të sendërtohen së shpejti”, ka thënë Anderssen.
Kryetari i Kuvendit të Komunës, Mursel Ibrahimi falënderoj familjen e kryetarit Rugova për kohën që kishte ndarë për t’i respektuar dhe nderuar miqtë nga Suedia, të cilët në Mitrovicë kanë ardhur për të thelluar bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet dy komunave.
info@mitrovicapress.net

Comments Off

Decentralizimi, reformë e pushtetit, apo ndarje e brendshme e Kosovës?

2006
04.28

Gjilan, 28 prill - Decentralizimi ka qenë tema që i ka mbledhur të enjten në Gjilan, në një debat të Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu”, që nga zvendërkryeminsitri i Kosovës, Lutfi Haziri, liderin e lëvizjes “Vetëvendosja”, Albin Kurti, profesorin Rifat Blaku, udhëheqës komunalë, përfaqësues të subjekteve politike dhe shoqërisë civile, të cilët këtë proces e kanë kundruar nga pozicione të ndryshme dhe mjaft kundërthënëse.
Lutfi Haziri, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, ka thenë se edhe rajoni i Gjilanit është pjesë e procesit të decentralizimit të pushtetit në Kosovës. Mund të thuhet se këtu, grupet etnike, pjesërisht, ose plotësisht janë integruar në institucione.
Duke e zbërthyer qëllimin e këtij procesi, ministri i pushtetit lokal ka thenë se decentralizimi nënkupton ralizim të interesave politike brenda institucioneve të Kosovës dhe jo krijim të koridoreve, ndarje etnike ose territoriale.
Ai është shprehur i bindur se statusi politik i Kosovës është duke shkuar në drejtim të pavarësisë dhe sovranitetit shtetëror, por deri te finalizimi i këtij procesi, ne si shumicë dhe institucione të Kosovës duhet të japim garanci se grupet etnike do të trajtohen barabarësisht dhe do të jenë të lira, tha Haziri.
Lideri i lëvzijes “Vetëvendosja” Albin Kurti i ka bërë një elaborim të gjerë dhe të gjatë procesit dhe problemit të decentralizimit në Kosovë, i cili, nëse ndodhë para përcaktimit të statusit final, e rrezikon tërësinë territoriale të Kosovës, duke krijuar kufij të brendshëm.
Nëse decentralizimi bëhet në fazën e tashme, Kosova do t`i ketë tri pavarësi të brendshme, një në Mitrovicë, tjetra në rajonin e Gjilanit dhe a treta – ajo që do të mbetet nga këto të dyja.
Përmes këtij procesi Serbia po mundohet ta përfitojë sa më shumnë në Kosovë dhe programi i kthimit të qëndrueshëm do të thotë rikolonizim i Kosovës, sepse parashehë kthimin e serbëve edhe atje ku nuk kanë jetuar më pare.
Duke kërkuar që ky proces të pengohet në këtë fazë, Kurti ka thënë se nëse e ndalim decentralizimin, e kemi penguar luftën, nëse e lejojmë decentralizimin, këtu do të ketë luftë.
Nga një kënd tjetër e ka kundruar decentralizimin Xhemajl Hyseni, kryetar i komunës së Gjilanit. As Kosova dhe as Serbia nuk mund të arrijnë asgjë me mendime të shekullit të 15-të dhe kjo bindje duhet të hiqet nga logjika jonë, ka thenë Hyseni.
Sipas tij, reformën duhet pare nga perspektiva dhe në funksion të ofrimit të shërbimeve me qytetarin. “Unë nuk dua me e pa nesër Kosovën të mbyllur në vetvete dhe as komunën e Gjilanit të izoluar nga komunat tjera”, ka thenë ai, duke kërkuar që shqiptarët, si shumicë, të ofrojnë shansin për pakicat që ato të integrohen në institucionet e Kosovës dhe ta ndiejnë veten të barbartë në shoqërinë kosovare.
Debati për decentralizimin, të cilit i ka kontribuar edhe profesori Rifat Blaku dhe pjesëmarrës tjerë, është mbështetetur nga fonadacioni gjerman Fridrich Ebert Stiftung.
info@mitrovicapress.net, redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Mjetet didaktike dhe libri në strategjinë e mësimdhënies

2006
04.28

Shkruan: Ylli XHAFERRI

Sot, në kohën kur shoqëria shqiptare përballet me një zhvillim të furishëm teknologjik dhe informatizimi, më tepër se kurrë përpara shkollës dalin detyra të mëdha për t’u realizuar. Zhvillimet e guximshme të shkencës, lidhja e saj me ekonominë, shoqërinë dhe mirëqenien kushtëzojnë një arsimim të suksesshëm, në shërbesë të njeriut, ekonomisë dhe vendit, një shkollim që orientohet drejtë njohurive konkrete, praktike, teknologjike, thënë ndryshe lehtësimin e programeve dhe teksteve nga ngarkesat teorike. Ndryshimet social-politike, lëvizjet demografike, përballja me emigrimin, ballafaqimi me shoqërine e hapur dhe tregun e lirë, rritja e nivelit ekonomik të familjes dhe dëshirës për shkollim, kërkojnë një informacion të bollshëm e të pandërprerë bashkëkohor, sidomos sot kur në jetën dhe procesin e punës kanë hyrë praktika të reja dhe përvoja të panjohura. Shkolla dhe stafet pedagogjike duhet të ndjekin hap pas hapi të rejat, jo vetëm teoriko-shkencore, por edhe të mjeteve didaktike demonstrative për lëndë të ndryshme. Shkolla duhet të paraprijë, të udhëheqë dhe krijojë traditën e së ardhmes. Për të ecur krah për krah shkencës dhe teknologjisë moderne përpara shkollës shqipe shtrohen këto përparësi:

Pasurimi i bazës didaktike mësimore

Pasurimi i bazës didaktike mësimore dhe mjeteve shkollore që prodhohen nga ndërmarrje dhe shoqëri të ndryshme ose që futen nga tregu i jashtëm shkollor. Decentralizimi i ekonomisë, hapja e ndërmarrjeve botuese për arsimin shkollor dhe mjetet mësimore, bëri të mundur të ballafaqohen përvoja të ndryshme dhe bashkëkohore. Para stafeve pedagogjike del detyrë ndjekja, njohja dhe thithja pranë shkollave e kësaj literature teorike dhe demonstrative praktike. Duke qenë se këto prodhime janë produkte të shoqërive aksionere private, lënë vend për subjektivizëm, dikush pëlqen këtë e një tjetër atë përvojë shkollimi. Kështu që përpara mësuesit, prindërit dhe nxënësit shpalosen forma dhe modele të ndryshme mjetesh shkollore. I takon shkollës dhe stafeve pedagogjike që në pafundësinë e tregut, të botimeve dhe mjeteve të përzgjedhin ato që përafrohen me nivelin, gjendjen dhe veçoritë psiko-pedagogjike të zonës dhe shkollës. Përpara stafeve pedagogjike shtrohet detyrë ndjekja e vitrinave të këtyre prodhimeve për t’i bërë pjesë e inventarit të shkollës, për t’u bërë pjesë e orës së mësimit. Harta, globe, atlasë, preparate kimike duhen bërë pronë e shkollës nëpërmjet një pune këmbëngulëse dhe të përkushtuar. Komuniteti, pushteti lokal dhe shkolla duhet të menaxhojnë fondet për të realizuar dhe pasuruar mundësinë demonstrative të çështjeve teoriko-mësimore. Përzgjedhja, peshimi dhe vlerësimi i këtyre mjeteve duhen bërë me grupe pune sipas specialiteteve, ku përgjegjësia të jetë profesionale dhe administrative. Duhet bërë kujdes mos të arrijmë në mbingarkim të buxheteve familjare me kërkesa të tepruara. Duhen përzgjedhur ato mjete dhe dukuri didaktike që harmonizohen natyrshëm me lëndën dhe mundësitë ekonomike të familjeve.

“Është më i dëmshëm tregu i dijeve se sa ai i ushqimeve”

Ndjekja e panaireve të librit shkollor dhe artistik, me qëllim të futjes në bibliotekën e shkollës dhe bibliotekën personale të nxënësve të botimeve serioze. Libri është prej letre të lehtë, por ka të tillë peshë dhe forcë sa ta çojë peshë dhe fisnikërojë njeriun. Me librin duhet bërë kujdës, duhet përzgjedhur dhe shoshitur me kujdes, jo vetëm nga mesazhet që përcjell në kohëra, por edhe nga vlerat e cilësitë artistike. Një filozof thonte: “Eshtë më i dëmshëm tregu i dijeve se sa ai i ushqimeve”. Kjo bëhet mëse e vërtetë sot, kur një mori shtëpish botuese, një armatë e tërë përkthyesish dhe shkrimtarësh botojnë papushim. Kjo prurje e bollshme patjetër që ka firo të mëdha. Krahas vlerave ideore, etiko-morale, virtyteve të larta njerëzore dhe cilësive artistike hidhet në treg për konsumim edhe letërsi me vlera të dyshimta. Mësuesit e letërsisë, por edhe ato të disiplinave të tjera duhet të tregohen të kujdesshëm në përvijimin e shijeve dhe nivelit të nxënësve. Askur dhe asnjëherë nuk duhet të ndodhë që për motive njohjeje, bërje nderi, apo më keq akoma përfitimi të pamerituar të disa thërrimeve nga sofra e antivlerave, të fusim në bibliotekën shkollore dhe atë të nxënësve botime komerciale, pa ndonjë vlerë reale. Nga përvoja konstatohet se këto botime herë këtu dhe herë atje kanë hyrë në shkollat tona. Tërheqim vëmendjen që dukuri të tilla të frenohen për dy arsye: Së pari, edukojmë në mënyrë të gabuar shijet e nxënësve, çka është e pafalshme për ato që duhet t’i zgjerojnë dhe thellojnë më tej ato.

Të përzgjedhim korifejtë e letrave shqipe dhe shqiptarizmës

Depërtojnë në filozofinë dhe formimin e nxënësve dije, qëndrime dhe mendime që nuk janë të drejta, për më tepër edukative. Në morinë e panaireve të librit, të shtëpive botuese duhet të përzgjedhim korifenjtë e letrave shqipe dhe shqiptarizmës, vetëm kështu jemi në harmoni të plotë me programet shtetërore dhe ndërgjegjen intelektuale.

Së treti: Mjetet autentike mësimore që mësuesi mund dhe duhet të arrijë t’i realizojë në rrethanat ku ndodhet. Kjo mbase duket si propagandistike, që e fton mësuesin në përvoja dhe praktika të dikurshme. Kjo duket sikur e rëndon, e përshkallëzon punën e mësuesit jashtë limiteve të paguara. Në të vërtetë mësuesi që ndjen peshën e profesionit, përkushtimin e qytetarit dhe përgjegjësinë e edukatorit, duhet të hyjë në orën e mësimit i përgatitur. Përgatitja jo gjithmonë mund të jetë e vështirë dhe e shtrenjtë për t’u realizuar. Nga vizitat në orë mësimore për fat të keq kemi parë mësues që për gjëra fare të zakonshme tregohen të pakujdesshëm për t’ia demonstruar nxënësve. Janë gjëra rrethanore, të thjeshta, që hasen në përditshmëri, por që nxënësi duhet t’i perceptojë, prekë, përvetësojë. Prandaj mësuesi nuk duhet ta quaj mbingarkesë, punë të papaguar që gjatë përgatitjes ditore të vëzhgojë dhe realizojë mjete demonstruese, për faktin e thjeshtë se ato vlejnë më shumë se sa një mijë fjalë të thata teorizuese. Mjete të tilla didaktike realizohen lehtësisht, po qe se stafet pedagogjike krahas kontributit të mësuesve do të thithin edhe ndihmesën e komunitetit dhe biznesit vendas. Këto mjete, duke u ruajtur, duke u arkivuar dhe inventarizuar nga viti në vit krijojnë një fond të artë për shkollën, lëndën dhe nxënësin. Për cilindo mësues dhe drejtues shkolle del detyrë jo vetëm të shpjegojnë teorikisht, por të mundësojnë praktikisht nëpërmjet tabelave, fishave, preparateve dhe aparateve të ndryshme të thjeshtëzimin e lëndës, ta bëjnë atë të tejpashme.

Vlera e lojërave didaktike

Lojërat didaktike të thjeshta dhe të ndërlikuara, kryesisht për jashtëshkollorët dhe ciklin fillor marrin një vlerë të madhe. Duke qenë se infrastruktura shkollore, mundësitë e komunitetit dhe familjeve, ndërveprimi midis shkollës dhe pushtetit lokal, donacionet e ndryshme që kanë hyrë dhe vazhdojnë të hyjnë nëpër shkolla, kanë krijuar një klimë dhe mundësi shplodhëse, argëtuese, dhe pedagogjiko-shkencore. Përpara stafeve pedagogjike, drejtorive të shkollave del detyrë menaxhimi me sukses i situatës.

Duhet ngulmuar e përqëndruar në krijimin e ambjenteve edukative dhe mësimore brenda dhe jashtë shkollës. Nëpër oborre dhe këndet sportive duhen instaluar lojëra fizike me qëllim shfrytëzimin e tyre në kohën e lirë nga nxënësit. Paralele, shkallë të ushtrimeve fizike, gropa kërcimi, janë plotësisht dhe lehtësisht të realizueshme dhe nuk kërkojnë ndonjë shpenzim të veçantë. Vënia në efiçencë të plotë e ambjenteve del detyrë parësore, por gjithmonë duhet treguar kujdes për mos dëmtime fizike nga nxënësit.

Krijimi i situatave shlodhëse nëpërmjet lojërave didaktike duhet vendosur si objektiv për të gjitha shkollat që kanë parashkollorët. Duhet bërë kujdes për tërheqjen dhe vjeljen e kontributit të biznesit lokal dhe vendas. Duhet patur kujdes për të mos vendosur kërkesa ultimative për nxënësit, pa njohur më parë mundësinë e tyre ekonomike. Nuk duhet arritur në vendosjen e shumave në lekë për të gjithë nxënësit njëlloj, se kështu vrasim personalitetin e fëmijës dhe familjeve me mungesa ekonomike. Stafet pedagogjike duhet të tregohen shumë të kujdesshëm në nisma të tilla. Ato nuk duhet të kthehen në mbledhës kontributesh, por të caktojnë dhe zgjedhin komisione nga këshilli i prindërve e komuniteti. Blerjet duhet t’i vendosë ky grup. Çdo gjë e blerë duhet të invenarizohet me qëllim krijimin e besueshmërisë dhe ortakërisë së ndershme. Vetëm kështu do të kemi të drejtën morale dhe qytetare të krijimit të klimës së besimit reciprok.

Comments Off

Kriminelët dhe hajdutët që nuk u prekën nga Kryeprokurori

2006
04.28

Tiranë, 28 prill – Prokurori i Përthithshëm mban përgjegjësi për; moszbulimin e mbi 80 vrasjeve dhe krimeve të rënda ndaj jetës së personave, kryesisht persona publikë apo biznesmenë, shumica e dosjeve të të cilëve është mbyllur ose pezulluar.
Me urdhër të Theodhori Sollakut janë penguar inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë për të kontrolluar mbi dosjen “Gjermeni”.
Mosndjekje të denoncimeve publike për korrupsion, depozituar nga institucione të specializuara si Kontrolli i Lartë i Shtetit apo komisionet hetimore parlamentare.
Shantazhe ndaj funksionarëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit me kërcënim për ndjekje për kallëzim të rremë, nëse denoncojnë aferat korruptive dhe abuzimet me fondet publike të zyrtarëve të shtetit.
Përfshirje dhe mbështetje të elementëve kriminalë në radhët e Prokurorisë.
Shantazh politik ndaj deputetit Nikollë Lesi me kërkesën e heqjes së imunitetit.
Degradim të akuzës dhe favorizim të paligjshëm të familjarëve të pushtetarëve.
Shpronësimin e paligjshëm të shtetasit grek George Vourvachis, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Zegjine Sollaku, duke penguar drejtësinë dhe fshehur krimin.
Zvarritje të hetimeve mbi evazionin fiskal për 30 mijë automjete.
Komandimet e paligjshmne të prokurorëve.
Degradim të akuzave për çështjet e trafikut të organizuar dhe prostitucionit.
Për mosndjekje të asnjë denoncimi publik për vepra kundër korrupsionit, ndonëse ligji procedurial penal i njeh prokurorisë edhe të drejtën për të filluar ndjekjen penale kryesisht.
Shkelje të rënda të ligjit gjatë vendosjes së tarifave në marrëveshjet e interkoneksionit të lidhur mes “Albtelekom” sh.a dhe operatorëve celularë AMC dhe Vodafone.
Shpërdorim detyre: gjykatat kanë pranuar 105 kërkesa për kompensim për burgim të padrejtë, që i rëndojnë buxhetit të shtetit 79.340.346 lekë.
Nxjerrjen e urdhrave të paligjshëm.
Mosfillim i hetimeve për dëmin 40 milion dollarë në KESH.
Mungesë bashkëpunimi dhe mosvlerësim kallëzimi nga rezultatet e kontrolleve të komisioneve parlamentare.
Mosfillim hetimi ndaj kallëzimeve për abuzimet në shuma të mëdha me prokurorimet publike në Ministrinë e Mrojtjes, Arsimit, Shëndetësisë, Telekomunikacionit, Rendit, Pushtetit Vendor, në aparatin e Këshillit të Ministrave dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për vitet 2002-2004.
Abuzimet me miliona dollarë në administratën e pronave të kreditorëve të firmave piramidale.(rd)

Comments Off

Merkel dhe Putin takohen në Siberi

2006
04.28

Gazeta gjermane dhe ruse përqëndrohen në vizitën e kancelares gjemane Anglea Merkel në Rusi, ndërsa radikalët baskë akuzohen se pengojnë investimet në Spanjë.
Gazeta gjermane FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG lavdëron kancelaren Angela Merkel se ka pranuar që ka mosmarrëveshje me Vladimir Putin gjatë vizitës së saj dyditore në Rusi.

Gazeta shkruan se është e vërtetë se udhëheqësit e Gjermanisë duhet të promovojnë interesat tregëtare të vendit të tyre jashtë, por shton se “politikanët duhet të shohin më tej se thjesht biznesi”.

“Perëndimi nuk mundet të duartrokasë zhvillimin e një demokracie të kontrolluar rreptë në Rusi,” shkruan gazeta.

Edhe gazeta tjetër gjermane DER TAGESSPIEGEL është kënaqur që kancelarja “ngriti çështje të debatueshme” gjatë bisedimeve të saj në qytetin siberian Tomsk.

“Merkeli mbeti e fortë, dhe kjo është një gjë e mirë – për Gjermaninë ashtu edhe për Rusinë,” shkruan gazeta.

Mosmarrëveshjet midis zonjës Merkel dhe zotit Putin nënvizohen edhe në Rusi ku NEZAVISIMAYA GAZETA vë në dukje se as “mishi i ariut” – një pjatë e veçantë që u shërbye gjatë darkës së udhëheqësve – “as atmosfera e ngrohtë e samitit e krijuar nga vendasit, as turet e qytetit të bëra në një makinë, nuk mund të zgjidhin numrin e mosmarrëveshjeve në marrëdhëniet midis të dy vendeve.”

Gazeta qeveritare ROSSIYSKAYA GAZETA, megjithatë, është më optimiste.

“Raundi më i fundit i takimeve tradicionale midis udhëheqësve të Rusisë e Gjermanisë i përmbushi qëllime e tij,” shkruan kjo gazetë, “duke konfirmuar gatishmërinë e të dy palëve për të vazhduar dialogun e vërtetë midis partnerëve.”

Volkswagen dhe ETA

Në Spanjë, gazeta EL PAIS është gjithashtu e interesuar në marrëdhniet me Gjermaninë, duke vënë në dukje se kompania Volkswagen do të transferojë një pjesë të prodhimit të saj nga Landaben, në rajonin spanjoll Navarre, në Evropën lindore.

Gazeta përmend si arsye avantazhet e taksave dhe punës, si dhe mospranimin e forcës spanjolle të punës për të nënshkruar një marrëvshje kolektive sipas kushteve të kompanisë gjemane.

Një tjetër gazetë spanjolle EL MUNDO shkruan se në pamje të parë rasti i Landabenit duket si “një rast klasik transferimi”.

“Magjithatë ka një faktor shtesë që duhet mbajtur parasysh: situata e turbullt politike,” shton ajo, duke iu referuar rajonit Navarre, që pretendohet nga grupi i armatosur ETA si pjesë e vendit bask.

Gazeta akuzon sidikatën separatiste se nxit grevat dhe kujton një thirrje nga krahu politik i ETA, Batasuna, se nuk mund të ketë zgjidhje të konfliktit pa Navarren.

Gjyqi i Moussaouit

Ndërsa një juri amerikane pritet të rifillojë shqyrtimin e fatit të personit me origjinë franceze Zacarias Moussaoui në gjyqin e tij lidhur me sulmet e 11 shtatorit, gazeta franceze LE MONDE vë në dukje se shumica e amerikanëve e konsiderojnë dënimin me vdekje si në përputhje me të drejtat e njeriut.

“Kjo nuk është pikëpamja që kemi në Francë,” shkruan gazeta.

“Ne do të dëshironim që autoritetet franceze ta rikujtojnë këtë shumë qartë me rastin e këtij gjyqi,” shton gazeta.

“A shpjegon ‘bashkëpunimi i shkëlqyer’ midis Parisit dhe Uashigntonit në luftën kundër terrorizmit heshtjen publike të udhëheqësve franceze?” ngre pyetjen gazeta franceze.

Comments Off

Mblidhet parlamenti në Nepal

2006
04.28

BBC - Parlamenti në Nepal do të mblidhet të premten, për herë të parë që kur u shpërnda nga mbreti Guanendra para katër vjetësh.
Ai e mori vendimin për ta mbledhur sërish parlamentin pas disa javë protestash masive kundër sundimit të tij.
Megjithatë, ceremonia e betimit të kryeministrit të zgjedhur nga koalicioni i shtatë partive të opozitës, Girija Prasad Koirala, është shtyrë sepse ai është sëmurë.
Zoti Koirala është 84 vjeç dhe vuan nga bronkiti.
Pas këtyre zhvillimeve, rebelët maoistë kanë shpallur një armëpushim tremujor.
Politikanët kanë premtuar se do të bashkëpunojnë me ta, në mënyrë që rebelët të përfshihen në proceset politike si partnerë të mundshëm në qeverisje.
“Ndryshimet politike që ne kërkojmë dhe problemet që kemi mund të zgjidhen me ndryshime kushtetuese, pa asnjë konpromis me monarkinë. Ne duam gjithashtu që të zhvillohen zgjedhje”, tha një nga udhëheqësit e rebelëve maoistë.

Comments Off

Asambleja Komunale edhe sot nuk vendosi për emërtimin e rrugëve dhe shesheve të qytetit

2006
04.26

Ferizaj, 26 prill – Natyrisht si gjithherë koha më e çmueshme e këshilltarëve komunal humbët në fillim të takimit kur shumica e tyre nuk shprehen për aprovojnë rendin e ditës. Edhe në këtë takim të radhës së asamblesë komunale kjo veti ishte e pranishme dhe në vend se të fillohet më punë më pika të rendit të ditës më shumë u diskutua rreth shkëmbimit të komenteve nga e kaluara. Pikë kryesore e rendit të ditës ishte Emërtimi i rrugëve dhe shesheve të qytetit të Ferizajt, megjithatë para se të diskutohet për këtë pikë të rendit të ditës grupet e këshilltarëve komunal nuk u akorduan. U kërkua një konsultë në mes udhëheqësve të këshilltarëve komunal e pastaj pasoi një ftohje e konsiderueshme e mendimeve. Faik Grainca Kryetar i Kuvendit Komunale në këtë takim ishte këmbëngulës që pika e rendit të ditës për emërtimin rrugëve dhe shesheve të shtyhet për më vonë sepse nuk kishte kushte normale që këshilltarët të debatojnë pasi që kishte kundërshtime, dhe ishte vështirë që 28 këshilltarë të votojnë pro aprovimit të punës së komisionit të rrugëve dhe shesheve. Pasi që u vendos që vetëm të diskutohet për këtë pikë të rendit të ditës , kishte më shumë debate konstruktive që në një mënyrë asambleja komunale kësaj radhe doli mjaftë produktive. interesant për këshilltarët dhe që nxiti debat të mirëfilltë ishte propozimi qe objekti në oborrin e ish Gjimnazit të meremetohet më koncesion në mënyrë 24 banesa të ndahen për familjet e dëshmorëve, ato më gjendje të rëndë sociale si dhe për familje të shoqatave të tjera. Gjatë debatit kishte mendime se ky objekt i cili është ndërtuar para vitit 1999 të rrënohet, pastaj dikush propozoi që edhe objekti afër tij e që janë të ndërtuar në kompleksin e shkollave të rrënohet. Meqë është fjala për një objekt gjashtë katesh dhe tjetri i rregulluar dhe ka 24 banesa u dha mendimi se duhet meremetuar por jo me koncesion., por me mjete të KK Ferizaj. Kryetari Grainca e arsyetoj se nuk është mirë një objekt më që kushton mjaftë shumë të rrënohet, megjithatë propozoi që të përgatitët një elaborate profesional ku do të përcaktohet baza juridike e lokacionit e pastaj të mendohet edhe për hapësirën në të cilën ndodhet objekti se mos është pengesë serioze për dy shkollat në afërsi. Edhe për këtë propozim nuk u votua sepse ishte me interes të veçantë. Ish ndërtesa e gjimnazit e ndërtuar më 1941 dhe tjetra në afërsi, janë objekte të vjetra dhe u dha propozim që në një të ardhme një komision të mendoj për konservimin e tyre apo edhe shfrytëzimin në bazë krejtësisht arsimore dhe kulturore. Në vazhdim të kësaj séance kreu komunal Grainca kërkoi mendimin e këshilltarëve për ndërrimin e rreth 40 hektarëve tokë të Sallës së Sporteve “Bill Klinton” që të bëjnë ndërrimin më një parcelë tjetër më AKM-në sepse në këtë pjesë jugore të qytetit parashihet ndërtimi i kompleksi sportive që dhe mendohet të behët qendër rekreative. Gjithashtu ai kërkoi që në afërsi të kësaj ngastre kadastrave përsëri të kërkoj ndërrim më AKM-në për 70 hektarë tokë ku parashihet ndërtimi i rreth 2 mijë banesave më gjithë infrastrukturë ndihmëse. Këto propozime ishin unanime dhe tash e tutje KK Ferizaj vazhdon procedurën për ndërrimin e parcelave ashtu siç ka ndodhur më ngastrën kadastrave “Lloçi i keq” ku parashihet ndërtimi i kompleksit të objekteve të arsimit.
Rregullorja e aprovuar në asamblenë komunale mbi orarin e bizneseve e cila është kontestuar nga Ministria e Pushtetit Lokal sot ka shkaktuar reagime të ashpra nga këshilltarët, megjithatë nga kjo është nxjerrë vetëm një konkluzë sepse në arsyetimin e Kryetarit Grainca u tha se duhet të vazhdohet procedura, të respektohen institucionet e pastaj më vonë nëse nuk kemi përgjigje pozitive më vonë mund të vendoset. mund të vendosim.
Është autorizuar kreu komunal që të ndjek procedurën dhe të informoi kryeministrin Agim Çeku dhe Përfaqësuesin Special të Kombeve të Bashkuar Jessen Petersen. U bisedua edhe për gjashtë projekte të financuara nga USAID- i dhe u mor vendim që KK Ferizaj të siguroi prej 20 për qind nga vlera e kontraktuar e projektit.
Reagimet ishin pse pa bazë ligjore një vendim i asamblesë komunale është pezulluara dhe se 99 për qind të afaristëve ishin për respektimin e rregullores në fjalë.
info@mitrovicapress.net, redaksia@mitrovicapress.net

Comments Off

Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa

2006
04.26

Prishtinë, 26 prill - Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit , shqyrtoi sot Raportin e pasqyrave financiare për vitin 2005. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri me bashkëpunëtorë.
Gjatë prezantimit të këtij Raporti nga ana e ministrit Shatri dhe bashkëpunëtorëve të tij, u theksua se ka lëvizje pozitive në ecuritë e aktiviteteve financiare gjatë vitit të kaluar. Kjo u ilustrua me të dhënat se të hyrat ishin realizuar rreth 98, për qind. E dhënë inkurajuese në këtë aspekt ishte fakti se po vërehet një zbritje e përqindjes së të hyrave në kufi, derisa në të njëjtën kohë kemi një rritje të ndjeshme të të hyrave në brendi, të cilat realizohen nga ana e administratës tatimore të Kosovës, shenjë kjo se kjo administratë ka shtuar efektshmërinë në arkëtimin e tatimeve. Njëkohësisht është shënuar edhe një zvogëlim i shpenzimeve në pajtim me obligimet që janë marrë para institucioneve vendëse dhe atyre ndërkombëtare. Po aplikohet një politikë e matur në shpenzime drejt një balanci më të favorshëm buxhetor, si faktor që ndikon gradualisht në zvogëlimin e deficitit në buxhetin e Kosovës. Ndërkaq, në lëmin e investimeve kapitale shënohet një rënie.
Disa anëtarë të komisionit shtruan disa pyetje rreth disa pikave që ngërthen Raporti, duke kërkuar një analizë më të detajuar. Ministri dhe bashkëpunëtorët, pos që dhanë përgjigje, u zotuan se do të ofrojnë edhe një analizë më detaje, madje ata theksuan se secilit anëtar, Komisionit në përgjithësi, ashtu si edhe Kuvendit do t’ i ofrohen detaje për çdo pikë që iu intereson, për secilën agjenci shpenzuese. Ministria është e gatshme që krahas këtij raporti të paraqesë në Kuvend edhe Raportin financiar të tremujorit të parë të këtij viti.
info@mitrovicapress.net, redaksia@mitrovicapress.net