Comments Off

Reagim në shkrimin e Berat Buzhalës të datës 24 shkurt 2006

2006
02.28

Shkruan: Albin Kurti
Ka shumë mundësi, që pas kompromisit në negociata, do të na thonë se kjo është pavarësia. Por, mu ashtu kanë thënë edhe pas shpalljes së Republikës me 2 korrik 1990, edhe pas Kushtetutës së Republikës së Kosovës me 7 shtator 1990, edhe pas referendumit të mbajtur me 26-30 shtator 1991, edhe pas zgjedhjeve të 24 majit të vitit 1992, edhe pas Rambujesë, edhe pas hyrjes së forcave të NATO-s në qershor 1999!
Dhe, ku është shteti i pavarur i Kosovës? Askund. Problemi i makinës është se nuk vetëdijësohet. Ajo e përsërit gabimin. Neve hapur duan të na shndërrojnë në makina, në qenie indiferente dhe pa dinjitet. Po t’u thuhej shqiptarëve të Kosovës në verën e vitit 1999 se as pas 7 vjetëve nuk do të bëhet Kosova shtet i pavarur, askush nuk do të besonte. E ata që do të besonin do të shpërthenin menjëherë. A duhet të kalojnë sërish vite të tëra që të kuptojmë se ´pavarësia’ nuk ishte pavarësi? Unë them jo.
Në këto negociata, sigurisht se do të përpiqen të marrin një vendim kompleks i cili do të ketë elemente që do të mund të keqinterpretoheshin si pavarësi. Nuk ka dilema se po përgatiten për ta imponuar një entuziazëm të ri popullor për diçka të paqenë. Nuk ka dilema se do të na bombardojnë me lajka dhe premtime. Ama, është fascinuese se si Berat Buzhala qysh tash është i përgatitur për këto! Sa thellë ka depërtuar inxhinieringu politik mbi njerëzit. E parashikojnë gënjeshtrën që do ta besojnë! Qysh tash, pa e ditur përmbajtjen, Berat Buzhala e pranon se zgjidhjen e ardhshme do ta quajë pavarësi. Ai do që zgjidhja të quhet e tillë, paçka nëse nuk është në të vërtetë ashtu. Vetëm le ta ketë emrin e tillë. Me këtë logjikë, pavarësia del një fiksim psikologjik, një nevojë mentale dhe asgjë më shumë. Me atë që Berat Buzhala dhe shumë të tjerë do ta quajnë pavarësi, nuk do të mund të zhvillohemi si shoqëri e të përparojmë ekonomikisht. Improvozimet do të vazhdojnë e edhe agonia kolektive me to.
Berat Buzhala thotë që pavarësia po përmendet nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, përveç Rusisë, dhe së shpejti pritet të bëhet realitet. Këtë fjali e kam dëgjuar gjatë gjithë viteve të 90-ta e po ashtu edhe në këto vitet e pasluftës. Në fantazinë e vetë Berati tashmë ka vendosur edhe figurat idilike: ai shkruan edhe për njëfarë avioni special me të cilin liderët do të kthehen nga Vjena atëherë kur do të na vie pavarësia.
Pavarësia në Kosovë nuk është realizuar deri më sot pikërisht për shkak të iluzioneve që pandërprerë janë përhapur për të. Këto iluzione i kanë relaksuar njerëzit, i kanë mashtruar ata. Si bëhet që me kaq lehtësi mashtrohen njerëzit në Kosovë? Okupimi e robëria e gjatë, sundimi i vazhdueshëm i huaj dhe, për pasojë, varfëria dhe zhvillimi i dobët arsimor e kulturor, kanë bërë që njerëzit mbijetesën ta quajnë fitore, që gjithnjë të kënaqen me pak, dhe madje të besojnë në mrekullira.
Lehtë mund ta dimë nëse njëmend kemi fituar pavarësi dhe sovranitet. Nëse fundi i negociatave rezulton me ushtri të Kosovës, me Ministri të Punëve të Jashtme që ka të drejtë të caktojë ambasadorët e Kosovës nëpër botë, me ulëse në OKB për Kosovën, me mundësi për pjesëmarrje nëpër institucione e organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë, dhe pa entitet territorial serb përbrenda Kosovës, atëherë kjo vërtetë është pavarësi dhe sovranitet për Kosovën. Përndryshe, nuk është. Mirëpo, me negociata nuk fitohet ushtria. Në fakt, nuk negociohet pa ushtri, pa elementin e forcës. Negociatat përderisa s’ke ushtri janë lutje dhe përgjërim atje brenda ku zhvillon dhe janë farsë tragjike përjashta ku korren pasojat.
Pse e kanë lënë statusin e Kosovës në fund të negociatave? Sepse nuk ka status final por vetëm status të ardhshëm. Kai Eide në raportin e tij, 46 herë e përmend shprehjen ’status i ardhshëm’. Njëherë do ta bëjnë decentralizimin, me ç’rast do të krijojnë fakte tjera të reja në terren, dhe kur t’i vie rradha statusit, përfundimisht do të shihet se nuk ka status. Pavarësia e Kosovës do të jetë e mundur vetëm si ndarje e saj. Decentralizimi në Kosovë do të duhej të vinte pas sovranitetit për Kosovën dhe të kryhej nga Kosova. Decentralizmi para sovranitetit për Kosovën e pamundëson këtë të fundit. Ofensiva me deklaratat e ndryshme për pavarësi nuk është presion mbi Serbinë por mbi shqiptarët e Kosovës, në mënyrë që këta të shlirohen dhe të bëjnë sa më shumë koncesione për decentralizmin. Negociatat nuk bëhen për t’i formalizuar ëndrrat, por për ta formalizuar realitetin. Aspekti legal e juridik i realiteti të Kosovës është Rezoluta 1244 që parasheh autonominë substanciale për Kosovën, ndërkaq aspekti faktik është ai i një Kosove të ndarë të cilës 25% të territorit ia kontrollon Serbia.
Njësoj sikurse politikanët e Kosovës, edhe Berat Buzhala ka strategji për skenarin më të mirë të mundshëm: pavarësia do të vie, ajo është vetëm çështje kohe, andaj krejt çfarë duhet të bëjmë është të jemi të durueshëm e të presim! E angazhimi politik fillon pikërisht aty ku përfundojnë trajtesat për skenaret më të mira. Kuptimi i politikës vjen mu prej strategjive për skenaret e këqija. Duke konsideruar vetëm skenaret më të mira, gjithmonë mbetesh i papërgatitur dhe ato asnjëherë nuk ngjajnë. Historia jonë, posaçërisht kjo më e reja, është dëshmi për këtë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk armiqësohet me faktorët ndërkombëtar. Liderët e Kosovës, me servilitetin e tyre, po e armiqësojnë Kosovën me faktorët ndërkombëtarë. Këta liderë një gjë i thonë qytetarëve e tjetër gjë diplomatëve të huaj. Andaj edhe këta diplomatë u bëjnë thirrje publike liderëve që ta përgatisin popullin për kompromis. Ngase, liderët tashmë janë të përgatitur. Këta liderë të Kosovës edhe kur refuzojnë diçka, këtë e bëjnë shumë butë dhe përkohësisht. Atëherë kur i thonë ca ’jo’ të qullta në fakt bëjnë me dije se duhet t’ua shtojnë ende presionin në mënyrë që të thonë PO dhe asisoj të duken të shfajësuar për shkak të presionit të madh. Këto ’jo’ të zbehta kanë bërë që populli ynë t’i ketë kundër shumë qarqe ndërkombëtare për një çështje aq univerzale dhe themelore – lirinë e vet! Përkrahjen e botës demokratike në përpjekjet tona për liri, po e minojnë pikërisht këta liderë. Para gjysëm shekulli, algjerianët i kundërshtonin dhe luftonin kolonizatorët francezë në emër të vlerave demokratike të Parisit. Sot, ne e kundërshtojmë dhe luftojmë UNMIK-un, mu në emër të vlerave të OKB-së.
Ne nuk themi që bashkësia ndërkombëtare të mos jetë në Kosovë. Mirëpo, ajo duhet të jetë në Kosovë në marrëveshje me Kosovën. UNMIK-u është këtu në bazë të Rezolutës 1244 e cila nuk merr parasysh vullnetin, interesat dhe historinë e popullit të Kosovës, ndërkohë që e ruan Serbinë e Madhe: e pranon integritetin territorial dhe sovranitetin e Jugosllavisë (tash Unioni Serbi-Mal i Zi). NATO-ja le të qëndrojë në Kosovë, madje në numër edhe më të madh sesa KFOR-i sot, por jo në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës të bërë me ushtrinë kriminale jugosllave. Në marrëveshje me neve vendasit; le të qëndrojë në Kosovë në bazë të marrëveshjeve SOFA, sikurse në Maqedoni e Shqipëri.
Pa i kuptuar këto që i shkrova më lartë nuk mund të kuptohet jo vetëm aksioni jonë i fundit, por asnjëri prej aksioneve të Lëvizjes sonë.
info@mitrovicapress.net

Comments Off

Fshatrat Kqiq i Madh dhe Kqiq i Vogël së shpejti bëhen me ujësjellës

2006
02.28

Mitrovicë, 28 shkurt – Agjencioni Evropian për Rindërtim (AER), ka shpallur këto ditë tenderin për realizimin e fazës së tretë të projektit për furnizim me ujë për pije të fshatrave Kqiq i Madh dhe Kqiq i Vogël.
Faza e tretë e projektit të lartëpërmendur përfshinë ndërtimin e rrjetit shpërndarës, me të gjitha punët përcjellëse, në gjatësi prej 22 kilometrash dhe me profile të ndryshme të tubacioneve, që do të përfshijë territorin e paraparë me projekt, të të dyja fshatrave.
Vlera parallogaritare e punimeve për ndërtimin e fazës së tretë të ujësjellësit për fshatrat Kqiq i Madh dhe Kqiq i Vogël, arrinë shumën prej mbi 400 mijë euro.
Projekti për furnizimin me ujë për pije të fshatrave Kqiq i Madh dhe Kqiq i Vogël ka filluar të realizohet para dy vitesh dhe ishte paraparë që të bëhet në tri faza.
Në fazën e parë është bërë kyçja në ujësjellësin magjistral Mitrovicë – Vushtrri, është bërë kalimi i lumit Sitnicë prej fshatit Frashër deri në Kqiq të Madh në gjatësi prej 3.800 metra. Për këtë fazë mjetet janë siguruar nga AER-i, 80 përqind dhe nga komuna 20 përqind të vlerës së përgjithshme, që ka arritur shumën prej 130 mijë euro.
Ndërkaq, për realizimin e fazës së dytë të projektit janë shpenzuar 330 mijë euro, mjete këto të siguruara nga mjetet vetenake të Kuvendit të Komunës.
Në fazën e dytë janë është ndërtuar stacioni i pompimit të ujit me rezervuar prej 100 metra kub, është instaluar gypi shtytës në gjatësi prej 1.200 metra deri tek rezervuari kryesor prej 400 metra kub, në kuotën 710 metra, pastaj gypi gravitues për zonën e epërme dhe ai për zonën e ulët, etj.
Pritet që punimet e fazës së tretë përfundimtare të projektit për furnizimin me ujë të fshatarve Kqiq i Madh dhe Kqiq i Vogël, të fillojnë menjëherë pas përzgjedhjes së ndërmarrjes që ofron kushte më të mira, diku ka fundi i marsit dhe të përfundojnë më së largu deri në vjeshtë të këtij viti, me çka përfundimisht do të zgjedhet ky problem jetik për rreth 7 mijë banorë të këtyre të fshtrave.
info@mitrovicapress.net

Comments Off

Kryetari Ibrahimi priti krerët e Shtabit Rajonal të policisë në Mitrovicë

2006
02.28

Mitrovicë, 28 shkurt – Kryetari i Kuvendit të Komunës, Mursel Ibrahimi, ka pritur Thierry Leprivey, komandant dhe Gary Smith zëvendëskomandant, të Shtabit Rajonal të policisë në Mitrovicë, me të cilët ka biseduar për gjendjen e sigurisë dhe të rendit në Mitrovicë, si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë.Në takim është konstatuar se gjendja e sigurisë dhe rendit në komunën e Mitrovicës është relativisht e mirë dhe e qetë, me tendencë të relaksimit të mëtutjeshëm.
Krerët e Shtabit Rajonal të policisë në Mitrovicë e njoftuan kryetarin Ibrahimi me angazhimin e kapaciteteve policore në funksion të mbrojtjes së rendit dhe të qytetarëve e pronës së tyre, duke thënë se kanë shtuar numrin e patrullave policore si në pjesën veriore ashtu edhe në atë jugore, me qëllim që gjatë procesit të negociatave për statusin e Kosovës të ketë një gjendje stabile dhe që lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve të zhvillohet pa problem dhe në të gjitha drejtimet.
Në takim u bisedua edhe për nevojën e bashëkpunimit të ndërsjellë dhe të intensifikimit të aktiviteteve të përbashkëta për luftimin e krimit dhe sidomos korrupcionit, në të gjitha fushat e mjedisit, sepse kjo do të ndikonte që në komunë dhe rajon të ketë një ambient të sigurtë për të gjithë.
Kryetari Ibrahimi dhe udhëheqja e Shtabit Rajonal të policisë në Mitrovicë, u dakorduan që në vendkalimin e udhëtarëve në qendër të qytetit, para hotelit Adriatik, përderisa të bëhet një zgjidhje adekuate përkatësisht të vendoset një semafor, komunikacionin ta rregullojë policia, në mënyrë që të evitohen tollovitë që po shkaktohen, sidomos gjatë kohës së shkuarjes dhe daljes së nxënësve nga shkolla dhe në mbrëmje.
Udhëheqësit e Shtabit Rajonal të policisë në Mitrovicë, Leprivey dhe Smith, e njoftuan kryetarin Ibrahimi edhe për bashkëpunimin e mirë që kanë me kolonelët e SHPK-së, duke thënë se janë partnerë të barabartë në kryejen e detyrave të shtruara para këtyre institucioneve të rëndësishme. Ata thanë se pavarësimi i Shtabit Rajonal të policisë në Mitrovicë, nuk pritet të bëhet para se të përfundojnë negociatat për statusin e vendit.
Në fund, kryetari Ibrahimi, Leprivey dhe Smith u dakorduan që bashkëpunimi i mirë midis komunës dhe policisë në rajonin e Mitrovicës, të vazhdojë dhe të thellohet edhe në të ardhmen, duke bashkëpunuar dhe bashkëvepruar sa herë që e do nevoja, për të mirën e qytetarëve, të komunës dhe rajonit, njofton zpm pranë KK Mitrovicë.

Comments Off

Zëvendëskryeministri, Adem Salihaj qëndroi në vizitë zyrtare në Abu Dabi dhe Dubai

2006
02.28

Dubai, 28 shkurt – Gjatë qëndrimit në këtë vend, ata patën takime te shumta. Delegacioni i Kosovës u takua me zëvendëskryeministrin, i cili është njëkohësisht edhe djalë i mbretit të EBA-së, ekselencën e tij , Sheik Hamdan Bin Zayed Al Nayhan, me ministrën e Tregtisë së Qeverisë së EBA, znj. Lubna Al Kasimi , dhe me shefin e departamentit të Shëndetësisë të Qeverisë së Duabit, z. Abdul Rrahman G.Al Mutaiwe. Gjatë takimeve u bisedua për një serë çështjesh siç janë hapja e një zyre për bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe, mundësia e punësimit të punëtorëve nga Kosova, mundësia e shërimit të të sëmurëve nga Kosova, si dhe mundësia e eksportimit të prodhimeve kosovare në Emiratet e Bashkuara Arabe. Duhet theksuar faktin se kërkesat e delegacionit të Kosovës hasën në mirëkuptim te zyrtarët e qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe. Delegacioni i Kosovës vizitoi edhe Odën Ekonomike të Dubait, si dhe komunat e Dubait dhe Abu Dabit, të cilat premtuan ndihmë dhe bashkëpunim për komunat e Kosovës. Kosova importon sasi te mëdha te mallrave nga Dubai, i cili ka origjinë nga vendet të ndryshme të botës, por nuk eksporton në Emiratet e Bashkuara Arabe. Hapja e një zyrës për bashkëpunim ekonomik do ti mundësonte Kosovës një qasje më të madhe në këtë qendër tregtare botërore. Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe veçanërisht Dubai janë shndërruar në një fenomen të një zhvillimi të jashtëzakonshëm ekonomik. Delegacioni i Kosovës u njoh më për se afërmi me këtë fenomen. Zyra e Kosovës në këtë vend do të kishte rol te shumëfishtë në koordinimin e aktiviteteve ekonomike, punësimit, shërimit, tërheqjes se investimeve, si dhe bashkëpunimit kulturor. Në takime u diskutua edhe mundësia e investimeve të kapitalit të këtij vendi në Kosovë. Kosova duhet ta shqyrtojë mundësinë që ta ketë një zone të lirë doganore, e cila do ti mundësonte një zhvillim më të hovshëm ekonomik. Siç është e njohur, Emiratet e Bashkuara Arabe, përmes donacioneve të ndryshme, kanë ndërtuar një spital modern në Vushtrri, si dhe kanë financuar disa projekte të tjera. Forcat ushtarake të EBA kanë qenë prezent në periudhën e pasluftës në kuadër të KFOR-it. Zyrtarët e lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe premtuan se do ta vizitojnë Kosovën dhe do të njihen më për se afërmi me problemet e saj.
info@mitrovicapress.net

Comments Off

Dëgjim publik në Komisionin Parlamentar për Legjislacion

2006
02.28

Prishtinë, 28 shkurt – Komisioni për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Hydajet Hyseni, kryetar i Komisionit, mbajti sot një dëgjim publik lidhur me Projektligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes, i cili tashmë është miratuar në parim nga ana e Kuvendit të Kosovës. Në këtë dëgjim publik, ku merrnin pjesë përfaqësues të Kryeministrisë, të UNMIK-ut, të OSBE-së, Komisioneri i Pavarur për Media, si dhe përfaqësues e ekspertë të tjerë të institucioneve vendëse, u theksua se hartimi dhe hyrja në procedurë e këtij Projektligji është një nismë shumë e mbarë, si një synim për dekriminalizim në këtë lëmë, që është në funksion të humanizimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore. Qëllimi i këtij Projektligji, por edhe i debatit ishte si të gjendet një baraspeshë ndërmjet lirisë së shprehjes dhe ruajtjes së personalitetit të individit, duke vënë në dukje së shpifja dhe fyerja nuk ka të bëjë vetëm me prezantimet në media, por edhe me ato që ngjajnë në segmente të tjera të shoqërisë. Ndërsa sa i përket një propozimi që fyerja të hiqet tërësisht në Projektligji, u tha se kjo nuk është mirë të hiqet nga Projektligji, sepse fyerja nganjëherë është edhe më e rëndë se lëndimi trupor.
Në këtë aspekt duhet marrë parasysh edhe rrethanat e mjedisit dhe traditën.
Projektligji është hartuar nga ekspertë të njohur vendës dhe ndërkombëtarë dhe përfill standardet evropiane, në zgjidhjet që përmban, mirëpo debati synonte që ky Projektligj të përsoset edhe më, duke dhënë edhe mjaft propozime konkrete. Vëmendja e diskutuesve u përqendrua edhe në atë se a janë të qarta, përkatësisht sa termat shpifje dhe fyerje korrespondojnë me kuptimet që japin për këto nocione fjalët përkatëse në gjuhën angleze dhe në atë serbe.
Në frymë të kësaj ata u angazhuan që në procesin e mëtejmë të amendamentimit të jepen përkufizime sa më të qarta e kuptimplote lidhur me këto dy nocione, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zpikk.
info@mitrovicapress.net

Comments Off

MAQEDONIA, SHQIPËRIA DHE KROACIA PRESIN QË NË SAMITIN NË RIGA TË KONFIRMOHET SE DO TË JENË PJESË E NATO-S

2006
02.28

Shkup, 28 shkurt – Burimet e agjencisë MIA njoftojnë se Kryeministri i Maqedonisë, i Shqipërisë dhe i Kroacisë, Vllado Buçkovski, Sali Berisha dhe Ivo Sanader, në takimin e sotëm tripalësh në Durrës edhe njëherë e treguan bindjen se të tri vendet do të bëhen anëtare të NATO-s gjatë zgjerimit të ardhshëm. Komfirmimin e aspiratave të këtilla të tyre e presin në Samitin e ardhshëm të Aleancës në Riga, njofton raportuesi i MIA-s.
“Shpresojmë se do të jemi pjesë e NATO-s deri në vitin 2008. Ne i mbështesim të gjitha angazhimet pozitive në këtë drejtim, si mes vete, ashtu edhe të vendeve të tjera në rajon. Jam optimist për zhvillimin pozitiv në rajon”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë në konferencën e përbashkët për shtyp me kolegët e tij të Shqipërisë dhe të Kroacisë.
Kryeministri shqiptar Berisha theksoi se është konkluduar se tre shtetet duhet të bashkëpunojnë në projekte të përbashkëta si anëtare të ardhshme të NATO-s.
“Vendet tona do të punojnë bashkarisht si në planin politik, ashtu edhe në planin ushtarak. Bashkë jemi në Afganistan, në Bosnjë dhe kudo që ka nevojë. Aleanca veriatlantike ka nevojë për ne. Besoj se do të na bëjnë ftesë në Samitin e ardhshëm në Riga. Çdo hap i yni drejt BE-së dhe NATO-s është i përbashkët”, tha Berisha.
Kryeministri kroat Sanader deklaroi se bashkëpunimi i vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut është i fuqishëm. “Për ne NATO-ja nuk është vetëm aleancë ushtarake, por paraqet paqe, demokraci dhe siguri të të drejtave të njeriut. Konsideroj se Samiti në Riga është shumë i rëndësishëm për ne. Mesazhi ynë është se vendet nga Karta e Adriatikut dëshirojnë individualisht të hyjnë në NATO, por duke punuar së bashku”, tha Ivo Sanader.
Kryeministri i Maqedonisë Vllado Buçkovski në takim ka inicuar të dërgohet një letër e përbashkët deri të presidenti i SHBA-së Xhorxh Bush para Samitit të NATO-s në Riga.
Letra do të përmbajë katër pika: riafirmimin e procesit të deritanishëm të zgjerimit të Aleancës, vazhdimin e politikës të dyerve të hapura të NATO-s, në tubimin në Riga të konfirmohet se të tri vendet do të marrin ftesa për anëtarësim në Samitin e Aleancës në vitin 2008, sipas formulës të përdorur në Samitin e Madridit nga viti 1997 dhe vlerësimin e arritjeve të deritanishme të secilit vend individualisht.
Të tre kryeministrat biseduan edhe për bashkëpunimin ekonomik, për propozimin për formimin e zonës së lirë tregtare dhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Vllado Buçkovski, në kuadër të vizitës dyditëshe në Shqipëri, do të ketë bisedime dypalëshe në Qeverinë shqiptare, ndërsa do të pritet edhe nga presidenti i Shqipërisë, Alfred Mojsiu.
Në Tiranë nesër do të mbahet edhe biznes-forumi i Maqedonisë dhe Shqipërisë ku do të marrin pjesë një numër i madh i firmave dhe biznismenëve të Maqedonisë.
info@mitrovicapress.net

Comments Off

Socialistët bëhen gazi i botës. Mazhoranca e kalon me gjakftohtësi seancën e zhurmshme

2006
02.28

PS i bie bilbilit, Kuvendi vazhdon punën

Tiranë, 28 shkurt – Seanca e djeshme e Kuvendit të Shqipërisë ka marrë më tepër formatin e një estrade ku aktorët nuk kanë qenë profesionistë, por pikërisht anëtarë të këtij institucioni të rëndësishëm. Deputetët e Partisë Socialiste, të zgjedhur nga populli, nuk kanë ngurruar të japin shembullin më të keq në historinë e Parlamentit shqiptar, duke u shndërruar në një turmë zhurmuese dhe që nuk kupton askënd. Veprimet e përfaqësuesve të kësaj force politike e kanë kthyer sallën e legjislativit, ku duhet të mbizotërojë kultura dhe sjelljet shembull, në një sallë ku gjithkush mund të bëjë çfarë të dojë dhe si të dojë. Ky ka qenë shembulli që kanë ofruar fatkeqësisht dje përfaqësuesit e forcës kryesore të opozitës, në pamundësi reale për të përballuar debatin parlamentar dhe jetën politike. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk i kanë kursyer veprimet qesharake dhe të denja vetëm për një grup adoleshentësh të mbledhur nga provincat për të parë një ndeshje futbolli dhe jo një seancë parlamentare. Duke mos treguar as respektin më minimal për institucionin më të rëndësishëm në demokracinë e vendit, socialistët tashmë të drejtuar nga persona që janë të aftë të prodhojnë vetëm politikën e rrugës dhe anarkisë, janë pajisur me bilbilë dhe trompa, në përpjekje për të penguar veprimtarinë e Kuvendit. Por, më qesharake se sa vetë veprimet e tyre, qëndrimin e opozitës e bën arsyeja për të cilën ata kanë ndërmarrë nisma të tilla. Ndonëse këmbëngulja e votimit vetëm me kuti tingëllon si tepër naive për t’u besuar si arsye, retrospektiva dëshmon se nisma e tyre për shkarkimin e kryetares së parlamentit erdhi menjëherë pas rezultateve konkrete që filloi të japë mazhoranca për të ndërprerë lidhjet e politikës me krimin. Bilbilat dhe prangat kanë qenë mjetet me të cilat janë pajisur dje përfaqësuesit e opozitës, duke dëshmuar qartë se simfonia e tingujve çjerrës të bilbilave dhe shfaqja e prangave dirigjoheshin nga përfaqësuesit e krimit të organizuar dhe trafiqeve, që po e ndjejnë dita-ditës ngushtimin e rrethit të aktivitetit të tyre kriminal. Megjithatë, edhe më naive do të ishte po të besohej se një forcë politike do të pranonte të bëhej qesharake jo vetëm në sy të opinionit publik kombëtar, por edhe atij ndërkombëtar, vetëm për një tekë të rastit që mocioni i saj të votohet vetëm me kuti, në një kohë kur rregullorja e miratuar prej vetë kësaj force kur kishte mazhorancën, ka përcaktuar dy forma votimi. Në këtë rast, kur mungon çdo lloj argumenti dhe logjikë, është e qartë se kushdo do të kërkojë dhe do të gjejë arsyen reale të shpërfytyrimit politik të socialistëve. Megjithatë, ndonëse zhurma që kanë krijuar bilbilat socialistë në sallë ka qenë tepër shqetësuese, kjo nuk e ka penguar aspak mazhorancën të vazhdojë normalisht punën, duke kaluar të gjitha projektet e parashikuara në rendin e ditës. Madje Kuvendi ka dëgjuar me aq sa mundej edhe raportin vjetor të Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, projektrezoluta e të cilit do të miratohet në seancën e ardhshme. Po gjatë seancës së djeshme, ligjvënësit e mazhorancës hodhën poshtë raportin e KKRT-së të lexuar disa ditë më parë nga kreu i këtij komisioni, duke miratuar rezolutën e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, që e cilëson këtë institucion si të paaftë për të zbatuar ligjin. (rd)
info@mitrovicapress.net

Comments Off

Irani vazhdon me pasurimin

2006
02.28

BBC – Një raport i agjencisë bërthamore të OKB thotë se pa tre vjet hetimesh, ata ende nuk kanë mundur të sqarojnë natyrën dhe shkallën e programit bërthamor të Iranit.
Raporti konfidencial, një kopje e të cilit u pa nga BBC thotë se Irani ka filluar punën pasuruese në uzinën në Natanz.
Uraniumi i pasuruar mund të përdoret ose për sigurimin e energjisë nga uraniumi, ose për armë bërthamore.
Ndërsa raporti nuk akuzon në mënyrë specifike Iranin për bllokim të punës së agjencisë atomike të OKB-së, ai sugjeron se bashkëpunimi i Teheranit ka qenë i ngadaltë dhe ndalues.
Raporti rendit një seri pyetjesh të hapura rreth aktiviteteve të Iranit, midis tyre edhe disa eksperimente me plutonin, apo dhe përpjekje të tjera të cilat mund të kenë një dimension bërthamor ushtarak.
Agjencia i bën thirrje Iranit të bashkëpunojë tërësisht me agjencinë duke thënë se transparenca ishte themelore.
SHBA ka akuzuar Teheranin se në mënyrë sekrete po zhvillon armë bërthamore, një akuzë që nuk pranohet nga Irani.